“Ata duhet të luftojnë për veten e tyre”, ka qenë kjo deklarata e presidentit amerikan, Joe Biden, teksa ka theksuar se nuk pendohet për vendimin e tij për tërheqjen e trupave ushtarake nga Afganistani.

Në një kohë që talebanët po fitojnë gjithnjë e më shumë terren, Biden u ka bërë thirrje liderëve në Afganistan që të bashkohen dhe të luftojnë “për kombin e tyre”.

Dhuna është përshkallëzuar në këtë shtet tani që forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara janë duke u tërhequr nga Afganistani, pas 20 vjetëve të operacioneve ushtarake.

Talebanët kanë fituar kontrollin e të paktën tetë nga 34 kryeqytetet e provincave, dhe janë duke kërcënuar për më shumë.

I fundit që kanë marrë nën kontroll është qyteti kyç afgan, Pul-e-Khumri, 225 kilometra në veri të kryeqytetit Kabul, duke siguruar kontrollim të rrugës strategjike që e lidh Kabulin me veriun dhe perëndimin e vendit.

 “Pul-e-Khumri u mor nga talebanët, ata janë gjithkund”, tha një zyrtarë gjatë një bisede telefonike, gjatë së cilës dëgjoheshin të shtëna të shumta.

Për fitoren e talebanëve pretendoi edhe një zëdhënës i tyre në rrjetet sociale. Pamjet e publikuara në internet tregonin flamuj të talebanëve në portat e qytetit dhe luftëtarë brenda tij.

Më shumë se 1,000 civilë janë vrarë si pasojë e luftimeve të ashpra në mes të talebanëve dhe forcave qeveritare muajin e kaluar. UNICEF, ka paralajmëruar këtë javë se mizoritë ndaj fëmijëve po rriten “ ditë pas dite”.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talebanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talebanët kanë strehuar Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.