Biden pret presidentin koreanojugor, bien dakord: Jo armë bërthamore në Korenë e Jugut, SHBA do të rrisin masat parandaluese

Biden pret presidentin koreanojugor, bien dakord: Jo armë bërthamore në Korenë e Jugut, SHBA do të rrisin masat parandaluese

Yoon Suk Yeol dhe Joe Biden

Koreja e Jugut ra dakort të mërkurën të mos krijojë një program të vetin bërthamor, në shkëmbim të një roli më të madh vendimmarrës në planet e Shteteve të Bashkuara në rast të një sulmi bërthamor të Koresë së Veriut dhe të një pranie më energjike të Shteteve të Bashkuara në rajon.

Marrëveshja është pjesë e të ashtuquajturës Deklarata e Uashingtonit e njoftuar të mërkurën, ndërsa Presidenti Joe Biden ka mirëpritur Presidentin koreanojugor Yoon Suk Yeol në një vizitë shtetërore për të festuar 70-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe dhe për të diskutuar të ardhmen e aleancës.

“Marrëveshja për mbrojtjen e ndërsjelltë është e çeliktë, dhe përfshin angazhimin” për masa të zgjeruara parandaluese, tha Presidenti Biden gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, duke iu referuar një marrëveshjeje të vitit 1953 të nënshkruar në fund të Luftës Koreane, nëpërmjet së cilës Uashingtoni angazhohet ta ndihmojë Korenë e Jugut të vetëmbrohet, në veçanti nga Koreja e Veriut.

Ai përsëriti një frazë nga dokumenti i administratës së tij të vitit 2022 për Rishikimin e Gatishmërisë Bërthamore, se një sulm bërthamor ndaj Shteteve të Bashkuara apo aleatëve dhe partnerëve është i papranueshëm dhe do të rezultojë në fundin e regjimit që e bën këtë sulm.

Presidenti Yoon e quajti Deklaratën e Uashingtonit “një zgjerim dhe forcim të paprecedentë” të strategjisë së masave të zgjeruara parandaluese – një term i njohur gjithashtu si ombrella bërthamore amerikane. Dokumenti thotë se Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjen sulmeve ndaj aleatëve dhe partnerëve “në mbarë spektrin e skenarëve të mundshëm bërthamorë dhe jo-bërthamorë”.

“Dy vendet tona kanë rënë dakort për konsultime të menjëhershme dypalëshe presidenciale në rast të një sulmi bërthamor nga Koreja e Veriut dhe premtuan të përgjigjen me shpejtësi, në shkallë të gjerë dhe me vendosmëri duke përdorur forcën e plotë të aleancës, përfshirë armët bërthamore të Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Yoon.

Në një seancë informimi për gazetarët të martën, zyrtarë të lartë të administratës thanë se sipas Deklaratës së Uashingtonit, Seuli do të “ruajë statusin jobërthamor dhe do të vazhdojë t’u përmbahet të gjitha kushteve si palë e Traktatit të Mospërhapjes”. Ky traktat, të cilin Koreja e Jugut e ratifikoi në vitin 1975, ua ndalon vendeve anëtare prodhimin e armëve bërthamore.

Dy vendet do të krijojnë gjithashtu Grupin Konsultativ Bërthamor SHBA-Koreja e Jugut (NCG), një “mekanizëm konsultimi të rregullt dypalësh që do të përqëndrohet tek çështjet e planifikimit bërthamor dhe strategjik dhe do t’u japë aleatëve koreanojugorë qasje të mëtejshme tek mënyra se si ne mendojmë për planifikimin e operacioneve të mëdha”, shtoi një zyrtar i lartë.

Krahas ndarjes më të madhe të informacionit, Seuli do të ketë një rol më të madh në dislokimin e armëve amerikane, tha ai.

Kërcënimet bërthamore në rritje të Koresë së Veriut, së bashku me shqetësimet për vendosmërinë ushtarake dhe ekonomike të Kinës në rajon, e kanë shtyrë administratën e Presidentit Biden të zgjerojë aleancën e saj me vendet aziatike. Për këtë qëllim, Presidenti Biden i ka kushtuar shumë vëmendje Presidentit Yoon si dhe Kryeministrit japonez Fumio Kishida. Javën e ardhshme, Presidenti Biden do të presë Presidentin e Filipineve, Ferdinand Marcos Jr. për bisedime në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë vitit të kaluar, Koreja e Veriut ka zgjeruar vazhdimisht arsenalin e saj bërthamor, ndërsa Kina dhe Rusia në mënyrë të përsëritur bllokojnë përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për të ashpërsuar sanksionet ndaj Veriut për morinë e provave të ndaluara të raketave.

Provat e shtuara nga Koreja e Veriut përfshijnë edhe një raketë balistike ndërkontinentale me lëndë djegëse të ngurtë, provë e bërë për herë të parë në fillim të këtij muaji. Prova e fundit shihet si një përparim i mundshëm në përpjekjet e Koresë së Veriut për të patur një armë më të fuqishme, më të vështirë për t'u zbuluar dhe që synon të arrijë deri në territorin kontinental të Shteteve të Bashkuara.

Presidentët Biden dhe Yoon, si dhe ndihmësat e tyre, diskutuan edhe për luftën në vazhdim të Rusisë në Ukrainë. Administrata e Presidentit Biden ka lavdëruar Korenë e Jugut për dërgimin e rreth 230 milionë dollarëve ndihma humanitare në Ukrainë, por Presidenti Biden do të mirëpriste që Seuli të merrte një rol edhe më të madh për të ndihmuar ukrainasit të zmbrapsnin Rusinë.

Vizita e Presidentit Yoon vjen vetëm disa javë pas zbulimit të një sërë dokumentesh tepër sekrete që kanë komplikuar marrëdhëniet me aleatët, përfshirë Korenë e Jugut. I pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp nëse rrjedhja e informacionit u diskutua gjatë takimit, Presidenti Yoon u përgjigj: "Jemi duke komunikuar mes dy vendeve tona"./VOA

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:14
VIDEOLAJM/ Momenti i veçantë, presidenti i Koresë së Jugut 'ia merr këngës' në darkën me Biden

Një moment i veçantë është vënë re në darkën mes presidentit të SHBA, Joe Biden dhe presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol. Ky i fundit ndodhet në një vizitë shtetërore në SHBA dhe darka në Shtëpinë e Bardhë përfundoi me një këngë.

Presidenti Yoon Suk Yeol këndoi disa rreshta të këngës American Pie të Don McLean.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë