Vetëm pak ditë pasi u rrëzua në senatin amerikan, për shkak të tejkalimit të afateve, emri i diplomatit amerikan David Kostelancik është propozuar sërish për ambasador të SHBA-së në Shqipëri.

Ai u emërua ambasador i SHBA në Tiranë nga Presidenti i SHBA, Joe Biden në 24 janar të 2023, por emërimi i tij u rikthye sërish në Shtëpinë e Bardhë pasi senati gjatë sesionit që u mbyll në fund të vitit të kaluar nuk futi në rend dite brenda afateve, votimin për konfirmimin e zotit Kostelancik dhe të dhjetra të emëruarve të tjerë.

Në bazë të një klauzole të rregullave të senatit thuhet se “emërimet që as nuk janë konfirmuar, as nuk janë hedhur poshtë nga Senati në kohën kur mbyllet sesioni legjislativ”, i kthehen Presidentit. 

Siç e parashikon edhe procedura presidenti Biden ka dërguar sërish të njëjtin emër, atë të diplomatit Kostelancik. Tashmë pritet që kandidatura e tij të kalojë, ndërkohë që është e paqartë nëse do të rithirret për t’u marrë në pyetje.

Aktualisht selia diplomatike e SHBA në Shqipëri po drejtohet nga i ngarkuari me punë David Vvisner, pas mbarimit të mandatit të Yuri Kim në korrik të këtij viti.

Kostelancik njihet si diplomat me një karrierë 30-vjeçare, ndërsa në Shqipëri ka shërbyer edhe më përpara në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e porsahapur amerikane në Tiranë. Ai ka shërbyer dy herë si ambasador në Rusi dhe zëvendës ambasador në Hungari.