Joe Biden, zv/presidenti amerikan shtetit në një analizë të publikuar sot në gazetën “Financial Times” thotë se Shqipëria ka rrugë të vështirë për të bërë në rrugën drejt integrimit europian megjithëse pranon se janë duke shënuar përparim drejt integrimit evropian. Analiza e zv/presidentit vjen ditën kur Kroacia u bë anëtarja e 28-të e familjes së madhe europiane. 

“Le ta çojë Kroacia Ballkanin në BE” shkruan Biden në analizën e tij të publikuar më 1 korrik. Biden thotë se suksesi i Kroacisë është testament për kurajën e qytetarëve dhe të udhëheqësve të saj. Tejkalimi i së kaluarës është një luftë e përditshme dhe hyrja e Kroacisë në BE ngre po ashtu stimuj për fqinjët, të cilët përballen me rrezikun se mund të mbeten prapa. Me kalimin e kohës, kufijtë e BE-së duhet t'i bashkojnë vendet e Evropës juglindore, në vend t'i ndajnë ato.”

“Por së pari- shton Biden- , fqinjët e Kroacisë duhet të bëjnë zgjedhje të vështira që do t'i hapin shtigjet e tyre drejt Evropës. Është në interesin e Shteteve të Bashkuara, Kroacisë, dhe pjesës tjetër të Evropës që ata të kenë sukses. Çdo vend që detyron veten me rregulla të BE-së na sjell më pranë synimit për një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe. Në muajt e fundit, kam takuar disa udhëheqës të Ballkanit Perëndimor.

Jam i bindur se nëse bëjnë zgjedhje të drejta, secili fqinj i Kroacisë do të arrijë BE-në. Serbia dhe Kosova kanë qenë të mbërthyera në një luftë të thellë dhe të hidhur - deri më tani. Përmes dialogut, bashkëpunimit dhe kompromiseve të dhimbshme, kryeministrat Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçi kanë arritur marrëveshje historike për normalizimin e marrdhënieve. Hapat e ardhshëm nuk do të jenë të lehtë, por këta udhëheqës u kanë dhënë qytetarëve të tyre një mundësi të paparë për të ndërtuar një të ardhme, të bazuar nga respekti për të drejtat, prosperiteti i përbashkët dhe bashkëjetesa paqësore. Mali i Zi dhe Shqipëria po ashtu kanë punë të vështira për të bërë, por janë duke shënuar përparim drejt integrimit evropian nëpërmjet realizimit të reformave ekonomike dhe politike, luftës kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit. Maqedonia duhet t'i qëndrojë kursit të reformave, të adresojë tensionet ndëretnike dhe, së bashku e, së bashku me Greqinë, të gjejn një zgjidhje të pranueshme për emrin.

"Asnjë vend nuk mund të lërë plotësisht prapa historinë ose të harrojë tragjeditë e veta. Dhe, as që duhet të bëjë një gjë të tillë. Por, vendet duhet të zgjedhin të ardhmen dhe të veprojnë për mirëqenien e brezave të rinj. Kjo është ajo çfarë ka bërë Kroacia. Ëndrrat që dukeshin të pakapshme 20 vjet më parë, sot janë të mrekullueshme dhe të pakthyeshme."

(sg/shqiptarja.com)