Biden: Sulmet kundër objektivave të grupit Houthi do të vazhdojnë

Biden: Sulmet kundër objektivave të grupit Houthi do të vazhdojnë

Joe Biden

Presidenti Joe Biden tha të enjten se sulmet ushtarake të SHBA-së kundër rebelëve Houthi, të mbështetur nga Irani në Jemen do të vazhdojnë. Ai megjithatë e pranoi se bombardimet amerikane dhe britanike ende nuk i kanë ndalur sulmet e militantëve ndaj anijeve në Detin e Kuq që kanë dëmtuar tregun global.

Dy zyrtarë amerikanë thanë se Shtetet e Bashkuara kryen një sulm të pestë të enjten në mëngjes që vuri në shënjestër një pikë tjetër nga hidheshin raketa. Zyrtarët folën në kushte anonimiteti për të dhënë detaje që nuk ishin ende publike.

Presidenti Biden u tha gazetarëve, para se të nisej nga Shtëpia e Bardhë për në Karolinën e Veriut për një fjalim mbi politikën e brendshme, se Uashingtoni do të vazhdonte sulmet.

“Kur pyesni a po ia arrijnë qëllimit të ndaljes së sulmeve ndaj Houthi-t, jo. A do të vazhdojnë sulmet, përgjigja është po”, tha Presidenti Biden.

Sulmet e fundit po kryhen ndërsa Shtetet e Bashkuara e rikthyen lëvizjen Houthi në listën e organizatave terroriste. Sanksionet kundër organizatave terroriste synojnë t’i shkëpusin ato nga burimet financiare. Pavarësisht sanksioneve dhe sulmeve ushtarake, përfshirë një operacion në shkallë të gjerë të kryer nga luftanijet dhe avionët luftarakë të SHBA-së dhe Britanisë, që goditën më shumë se 60 objektiva në të gjithë Jemenin, rebelët Houthi vazhdojnë të sulmojnë anijet tregtare dhe ushtarake. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar fuqishëm Iranin që të ndërpresë dërgimin e armëve për këtë grup.

Për muaj të tërë, rebelët Houthi kanë marrë përgjegjësinë për sulme ndaj anijeve në Detin e Kuq për të cilat ata thonë se janë të lidhura me Izraelin ose shkonin drejt porteve izraelite. Ata thonë se sulmet e tyre synojnë t'i japin fund ofensivës izraelite ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që u nxit nga sulmi terrorist i grupit militant palestinez, Hamas më 7 tetor në jug të Izraelit.

Sulmet kanë vënë në shënjestër anijet tregtare që kalojnë tranzit nëpër ngushticën kritike Bab el-Mandeb që lidh tregjet aziatike me Evropën, që nga sulmi i 7 tetorit dhe lufta e mëvonshme e Izraelit kundër grupit militant në Gazë.

SHBA dhe aleatët e saj kanë formuar Operacionin “Prosperity Guardian” për të mbrojtur trafikun e anijeve dhe aktualisht anije luftarake nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar po patrullojnë zonën.

“Këto sulme do të vazhdojnë për aq kohë sa të jenë të nevojshme” tha të enjten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby./VOA

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen