Biden, thirrje për qetësi dhe rritje të vaksinimit përballë variantit 'Omicron': Shqetësim, por jo panik

Biden, thirrje për qetësi dhe rritje të vaksinimit përballë variantit 'Omicron': Shqetësim, por jo panik

Presidenti Joe Biden

Pandemia Covid-19 ka një emër të ri, dhe ai është Omicron. Varianti i ri shumë i transmetueshëm i koronavirusit u identifikua për herë të parë nga shkencëtarët e Afrikës së Jugut dhe u emërua me shkronjën e 15-të të alfabetit grek.

“Ky variant është shkak për shqetësim, jo shkak për panik. Ne kemi vaksinën më të mirë në botë, ilaçet më të mira, shkencëtarët më të mirë. Ne po mësojmë më shumë çdo ditë, dhe do ta luftojmë këtë variant me shpejtësi, veprime shkencore dhe maturi, jo kaos dhe konfuzion”, tha presidenti Joe Biden.

Menjëherë pas shpalljes së variantit të ri, presidenti Biden vendosi kufizime udhëtimi në disa vende të Afrikës Jugore. Kjo shkaktoi zemërimin e menjëhershëm të presidentit të Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa.

"Këto kufizime janë krejtësisht të pajustifikuara dhe diskriminojnë në mënyrë të padrejtë vendin tonë dhe vendet motra të Afrikës Jugore. Ndalimi i udhëtimit nuk është i bazuar në shkencë dhe as nuk do të jetë efektiv në parandalimin e përhapjes së këtij varianti".

Por presidenti Biden argumenton se po përdor kufizimet për të fituar kohë që më shumë amerikanë të vaksinohen dhe të marrin masa të tjera parandaluese.

“Ditën që Organizata Botërore e Shëndetësisë identifikoi variantin e ri, unë mora hapa të menjëhershëm për të kufizuar udhëtimet nga vendet në Afrikën Jugore. Por ndërsa ne e dimë se kufizimet e udhëtimit mund të ngadalësojnë shpejtësinë, ato nuk mund ta parandalojë variantin e ri. Por kjo na jep kohë për të ndërmarrë më shumë veprime”, tha presidenti.

Dr. Taison Bell, asistent profesor i mjekësisë në Universitetin e Virxhinias, thotë se ka shumë gjëra që shkencëtarët nuk dinë për variantin e ri –së pari, nëse është më i rrezikshëm. Pa e ditur këtë, thotë ai, është e vështirë të dihet se cila është mënyra më e mirë e veprimit.

“Të dyja palët kanë argumente të drejta. Nëse shikoni se ku është izoluar virusi tani, varianti omicron, ai është në shumë vende të tjera, në disa vende në Evropë, dhe përfshin njerëz që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me Afrikën Jugore apo Afrikën e Jugut. Kështu që mendoj se argumenti që kjo masë duket diskriminuese – është i drejtë. Vendet që janë në listën e udhëtimeve të kufizuara nuk përkojnë me të gjitha vendet që tani kanë raste të izoluara. Kështu që, nga ana tjetër, mendoj se administrata Biden, Dr. Fauci dhe të tjerët, po përpiqen të frenojnë përhapjen dhe të fitojnë më shumë kohë”.

Presidenti Biden u bëri thirrje amerikanëve të pavaksinuar që të vaksinohen ndërsa të vaksinuarit të marrin dozën përforcuese. Kjo është këshilla e drejtë shkencore, thotë Dr. Bell - dhe ajo vlen jo vetëm për amerikanët.

“Kjo me të vërtetë duhet të jetë një thirrje urgjente që të bëjmë sa më shumë që të mundemi për të vaksinuar popullatën globale, sepse në fund të fundit, nëse më shumë variante janë në gjendje të lulëzojnë sepse virusi po qarkullon në nivele të larta, - ne duhet ta ndalojmë këtë nëpërmjet vaksinimit efektiv dhe zhdukjes së tij.”

Ndërsa variantet vazhdojnë të shfaqen, mjekët vazhdojnë të përsërisin të njëjtat mesazhe për të gjithë: vendosni maskën, mbani distancë dhe vaksinohuni.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi