Fushat e Divjakës janë të mbushura me shalqi. Me kamerën e Report Tv shkuam në fshatrat Mizë dhe Zharnec, aty ku fermerët janë në pikun e punës, duke vjelur prodhimin që duket se është i bollshëm. 

"Shalqini është i mbarë por çmimi nuk është i favorizueshëm. E sheshim me 15 lek/kg dhe me këtë çmim nuk fitojmë asgjë", shprehet një fermer.

Aktualisht tregu i shitjes nga fermeri tek grumbulluesi është 15 lek për kilogram. Fermerët ankohen se është ky çmim shumë i ulët, ndaj nga prodhimi nuk nxjerrin dot as shpenzimet.

"Çmimi është katastrofë, po e shesim nën kosto. Punëtorët duan lekë, tokat duhen plehëruar. I lutemi shtetit të vërë dorë sepse jemi të falimentuar", tha një tjetër fermer i zonës.

Përpos tregut vendas, shalqini i Divjakës eksportohet në shtetet fqinje. Një prej grumbulluesve pranon se çmimi nuk favorizon fermerët por këta të fundit diktohen nga kërkesa ne tregjet rajonale.

"Eksportojmë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Serbi, etj. Ne jemi të varur se na e vendosin ata çmimin", tha ai.

Kjo kulture bujqësore përben rreth 50% të të ardhurave për familjet fermere, ndërsa gjetja e tregut ka qenë gjithë shqetësim për ta.

Këtë vit janë mbjellë rreth 300 hektarë me shalqi në fshatrat Mize dhe Zharnec, me një prodhim prej 90 mijë kuintalësh.