Big Basta: Hip Hopi, jo më burim zënkash mes reperave

Big Basta: Hip Hopi, jo më burim zënkash mes reperave
Gerald Xhari apo siç njihet nga të gjithë me emrin Big Basta, do të promovojë sonte në mbrëmje albumin e tij të dytë muzikor. Radio& Club, titullohet albumi i fundit i reperit të njohur shqiptar, që do të përmbajë 22 këngë dhe shumë bashkëpunime me artistët me në zë të vendit, si Jonida Maliqi, Vesa Luma, etj. Në një intervistë për TH&TH, Big Basta flet për karrierën 9 vjeçare në fushën e muzikës, dashurinë e tij për rrymën hip hop, si dhe për të marrdhënien e tij me këngëtaren, Vesa Luma. Ai bën edhe një apel për të gjithë reperat shqiptar, ku shprehet se sherret mes tyre nuk e ndihmojnë aspak hip hopin shqiptar. Big Basta ndalet edhe tek kënga ”Ku ka si Tirona”, e Dr. Florit dhe Ermal Mamaqit, duke e cilësuar si shumë banale.

Sonte do të promovohet albumi juaji i dytë. Sa këngë do të përmbajë dhe si është keni konceptuar?

Albumi është krijuar me shumë dashuri nga “Big City Studio”, një vit më parë. Titulli i tij është “Radio& Club”, e tregon më së miri konceptin sesi do të jetë ai. Ka këngë që i shkojnë përshtat radiove dhe clubeve ndaj dhe mendohet që këto këngë do të luhen në to. Këto do të vinë në trajtën e bashkëpunimeve për arsye se kemi shumë koleg miq.

Cilët janë ata?

Në këtë album marrin pjesë Jonida Maliqi, Vesa Luma, Shpat Deda, më pas nga fusha e hip-hopit kemi më të mirët Dj Blunt, Real 1, Lyrical Son, MC Kresha. Gjithashtu kemi dhe këngëtarë të rinj të cilët janë shumë premtues si Anxhelo, Ensa, Eni Koçi por edhe Etno Engjujt Risia është që kam bashkëpunuar në trajtën e një lidhjeje mes hip-hopit shqiptar dhe atij francez, bashkëpunim i cili ka kohe që po zhvillohet. Kam bashkëpunuar me artistë si Mr. Dj Weed, Mesrine, Momystick, etj. Është një album mix, i ndërthurur vetëm me hip-hop dhe RnB.

Si vjen Big Basta në albumin e radhës?
100% HD. Kjo do të thotë që ne ecim me hapin e kohës (qesh).

Albumi juaj i parë ka patur vetëm këngë hip-hop?
Po edhe albumi i parë ka qenë hip-hop dhe RnB. Unë gjithmonë e kam karakterizuar veten si pjesë të kësaj muzike, pasi e ndjej veten më mirë. Është një lloj kulture e cila nuk do të mungojë jo vetëm në albumin e dytë , por as në të tretin apo të katërtin që do të vijojnë.

Ju kemi parë të eksploroni në fusha të ndryshme por sërish ktheheni tek Hip-Hopi?

Patjeter hip-hopi është kulturë . Duke sjellë atë në Shqipëri po shtyjmë edhe gjeneratën e re tek kjo kulturë . Njerëzit po punojnë dita-ditës për të përhapur atë.

Keni një reper tuajin të preferuar?

Normalisht edhe unë kam modelet e mia tek të cilat referohem, jo për t’i imituar por për t’u përmirësuar si Snoop Dog, Ice Cube,etj . Më tepër jam i dhënë pas hip-hopit të 2001, pavarësisht se emrat që përmenda janë edhe më të hershëm, por më pëlqen shumë Whizft Kalif dhe Jay Cole që janë shumë të talentuar.

Hip-Hopi është një muzikë ku mund të shprehesh lirshëm deri diku si muzikë rruge. Megjithatë tekstet e tua janë më me klas. Çfarë mund të më thoni për këtë pjesë?
Në tekstet e mia mund t’a gjejnë veten të gjithë, pasi trajtoj problemet sociale por në këtë kulturë mund të thuash edhe gjërat e bukura të cilat po jeton. Thjesht bazohet tek muzika e bukur tepër ritmike me rimë, ose siç i quajnë në shqiptarët tek bejtet.

Mendon se hip-hopi ashtu si edhe rrymat e tjera ka një target grup të caktuar në Shqipëri?

Me aq sa jam i informuar nga sondazhet më të fundit, mendohet se hip-hopi në Shqiqëri dëgjohet nga mosha 14 vjeç - 26 vjeç. Megjithatë mendoj se kjo rrymë dëgjohet edhe nga mosha më të mëdha por jo hip-hop shqip. Ne po mundohemi të rrisim sadopak target grupin. Megjithatë për momentin jemi akoma tek adoleshentët dhe tek rinia.

Çfarë mendimi keni për hip-hopin në Shqipëri si dhe për reperat shqiptar. I konsideroni si rival?
I vlerësoj shumë ata pak që janë, pasi po mundohen që hip-hopi të njihet sa më tepër në Shqipëri, është një ndarje detyrash mes nesh. Thjesht uroj që shumë shpejt të qetësohen edhe këto gjakrat mes tyre.

Jeni pjesë e këtyre grupeve dhe zënkave?
Ne jemi pjesë e “Big City”, i cili përfaqëson Tiranën, shqiptarët dhe një target grup të caktuar, që duan ta ndjejnë veten po aq europian. Ne duhet të ecim përpara ti përshtatemi kulturës perëndimore, pasi kemi shumë vite që jemi pjesë e kulturës lindore dhe kjo është një nga arsyet që kemi ngelur në vend. Ne jemi me mendje të hapura dhe e dimë që ato janë gjëra shumë momentale ndaj dhe ju uroj të gjitha palëve të qetësojnë gjakrat. Kjo është muzikë dhe secili duhet të jap kontributin e tij.

Kjo është edhe arsyeja që nuk keni qenë asnjëherë pjesë e skandaleve?
Sepse jam prirur që njerëzve t’iu ofrojë pozitivitetin, që kjo kulturë ofron. Kam dhënë edhe mësim në shkollat 8-vjeçare për hip hopin dhe dua të predikojë vetëm anët pozitive të kësaj rryme.

Në fakt këto skandale mes reperash janë edhe në vende të ndryshme të botës, përmend këtu rastin më të fundit, sherrin mes Chris Brown dhe Drake?
Në radhë të parë do doja që mediat ti shohin këto gjëra si njerëzore dhe jo t’ia venë fajin imitimeve, pasi njeriu është i prirur që kur ka kontradikta ta tejkalojë pak masën dhe të dal nga vetja e vet. E vërteta është që gjërat ndodhin, jemi njerëz duhet të përballemi me të tilla situata. Drake edhe Chris Brown mund të kenë edhe arsye komerciale që e kanë bërë atë gjë.

Në një status në Facebook, keni kritikuar përsëri këngën “Ku ka si Tirona” dhe nuk etiketoni Ermalin por Dr. Florin, pse?
Në radhë të parë nuk e përmend si reper, sepse përderisa bën të tilla projekte s’mund ta quaj të tillë. Nuk e di ishte ajo përshtypja e parë kur pashë këngën , jam kundra banalizimit të këngëve popullore.

Ju duket banalizim?
Në një farë mënyre po, sepse nuk na përfaqëson si projekt, të paktën flas për komunitetin e Tiranës. E thashë edhe më sipër duhet të ecim përpara. Ermali është humorist, na kënaq me batutat e tij. Prandaj ndalem tek emri tjetër se nuk mund ta gjej dot lidhjen. Megjithatë gjithsecili nga ne bën gjërat e tij.

Dr. Flori dhe Ermali kanë pohuar se me këtë këngë, nuk ironizojnë askënd?
Unë nuk e kam më tepër tek tallja, sesa e kam tek koncepti që në nuk duhet të vazhdojmë më me banalizime të tilla. Sepse mendoj që të tilla këngë na kthejnë mbrapa në kohë, por megjithatë artisti është i lirë të bëj ç’të dojë.

E mbani mend daljen tuaj të parë në skenë?

Kam qenë 18 vjeç kur kam dal në skenë. Kënga ka qenë Hip-Hop, dhe për ironi të fatit ka qenë edhe këngë e vjedhur (qesh).

Cilët kanë qenë bashkëpunëtorët tuaj të parë?
Bashkëpunëtorët e parë kanë qenë anëtarët e grupit “Sweet Company”, ndërsa këngëtarja e parë që kam bashkëpunuar ka qenë Eranda Libohova, me këngën “Çoko dhe Kakao”. Ajo ishte që mi hapi rrugët përpara.

Si ka ardhur Big Basta nga fillimi deri tani, do të bënit diçka ndryshe?
Do doja që po ta ktheja kohën pas, zoti ti ndihmonte njerëzit të ishin më humanist. Më pas do doja që ti vazhdoja gjërat ashtu si i kam , sepse çdo gjë do të shkonte shumë mirë edhe pasi kemi patur ato uljet dhe ngritjet tona. Ne jemi artistë duhet të jemi më korrekt me veten dhe kolegët.

Ju jeni diplomuar për sociologji, e keni ushtruar si profesion?
Dita ditës e kam vënë në zbatim për tekstet e këngëve, pasi një pjesë e tyre janë të bazuara në histori reale.

Pra gjen të përbashkëta mes Hip hopit dhe sociologjisë?
Hip hopi i afrohet më tepër shtresave sociale.

Pse keni vendosur ta promovoni albumin edhe në Kosovë?
Janë dy vende që e kanë zhvilluar hip hopin shqiptar. Në prishtinë kam edhe bashkëpunimin me Black Fish Audio, që është marr shpërndarjen e albumit tim.

Po si kompozitor si ndihet Big Basta?
Japonezët kanë një shprehje. Ata thonë se, “ kur një gjë di ta bësh mirë, do të jesh gjithë jetën i pa punë”, kështu që unë ndihem shumë mirë dhe i papunë, sepse atë di ta bëj shumë mirë (qesh).

Ju kanë përndjekur thashethemet, dhe sa i merrni parasysh?
Edhe i marr edhe si marr varet sa të rënda janë. Thashethemi që nuk më ka pëlqyer ishte lidhja ime me Vesa Lumën, jam munduar ta përgënjeshtrojë. Por tani shoh që edhe ujërat janë qetësuar, ç’ka do të thotë se ishin thashetheme.

Pse ky thashethem, ndoshta nga bashkëpunimet e shumta mes jush?
Ndoshta… (qesh)

Do të kemi një tjetër këngë tuajën?
Po dhe titullohet “Power”, është pjesë e albumit të tim të ri.

Do ta shoqëroni me videoklip?
Nuk e kemi menduar. Klipi im i radhës, do të jetë ai i këngës “Radio& Club” që mban dhe emrin e albumit.

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Zjarret në Athinë, Greqia apelon për ndihmë ndërkombëtare

Zjarret në Athinë, Greqia apelon për ndihmë ndërkombëtare