Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nisi punën më 19 dhjetor 2019 kur 8 prokurorët e parë Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Behar Dibra, Arben Kraja, Klodian Braho, Ened Nakuçi dhe Altin Dumani u betuan në Presidencë dhe që atëherë e thënë në një fjalë të urta “shumë ujëra kanë rrjedhur”.
Aktualisht prokurorë të posaçëm janë 20, të cilët ndihmohen nga 60 agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, hetues financiarë dhe ekspertë, nën asistencën e përhershme të BE dhe SHBA dhe me marrëveshje bashkëpunimi me institucionet më të rëndësishme ligjzbatuese në të gjitha kontinentet, me 42 skuadra të përbashkëta hetimore, nga të cilat 27 janë aktualisht aktive.
Prokuroria e Posaçme, sidomos kreu i saj Altin Dumani, në veçanti vitin e fundit janë çështja kryesore që ka marrë vëmendjen e diskursit politik në vend. Sulmet kanë qenë sistematike, deri në nivelet më të lartë të krimit, politikës dhe pushtetit, veçuar këtu dy forcat kryesore politike të opozitës me kryetarët e tyre, Sali Berisha i PD dhe Ilir Meta i PL.
Në kundërshti të plotë me mbështetjen ndërkombëtare, Berisha e Meta kanë folur për strukturë kriminale ndërsa jo rrallë herë Dumanin e kanë kërcënuar edhe personalisht! Po pse gjithë ky përqendrim i vëmendjes te SPAK e Dumani?
Në këtë periudhë 5 vjeçare SPAK ka regjistruar 1809 procedime penale për 2496 persona. Prej tyre, 1387 persona janë dërguar për gjykim, një tregues i qartë i efektivitetit për të çuar para drejtësisë dhe për të mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjin.
Lidhur me korrupsionin sot numërohen 1097 procedime penale dhe 1036 persona nën hetim. Nga këta 61 janë zyrtarë të nivelit shumë të lartë dhe 70% të tyre janë dërguar për gjykim. Prangave të SPAK nuk i kanë shpëtuar ministra dhe ish ministra, deputetë dhe ish deputetë, zyrtarë të lartë të administratës publike, prokurorë dhe ish prokurorë, gjyqtarë dhe ish gjyqtarë, deri te drejtuesit më të lartë të pushtetit si ish Presidentët dhe ish kryeministrat Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Sa i takon krimit të organizuar kemi regjistruar 494 procedime penale për 955 persona në hetim, mes tyre emrat më të rëndësishëm të krimit të organizuar në vend dhe ndërkombëtar. Emra që më parë e konsideronin veten të paprekshëm. Hetime ka pasur edhe për veprën penale që ka të bëjë me terrorizmin, ku janë bërë 50 procedime penale me 29 persona nën hetim. 73 procedime penale janë nisur për 141 biznese të ndryshme. Mbi 182 milionë euro janë sekuestruar nga SPAK, asete të krimit të organizuar por edhe të atyre të korruptuar.