Kryesia e PS zgjat 5 orë/ Ndryshime në qeveri? Rama: Kemi gabime, kemi shumë për të korrigjuar

TIRANË - Kryesia e PS zhvilloi sot një mbledhje maratonë prej rreth 5 orësh këtë të hënë. Në fokus të kësaj mbledhje ka qenë bilanci politik por edhe ai qeverisës. Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Kryesisë, kryeministri Edi Rama dha detaje të asaj që u diskutua në mbledhje. Kreu i qeverisë e vuri theksin te organizimi i PS, protesta studentore, ndërsa komentoi edhe ndryshimet në qeveri i pyetur nga mediat. 

Edhe roli i FRESSH është diskutuar në mbledhjen e sotme të Kryesisë, pasi sipas burimeve pranë PS, kryeministri Edi Rama akuzon këtë strukturë për inaktivitet sa i takon diskutimeve brenda fakulteteve për ligjin e Arsimit të Lartë, tarifave të kërkuara nga rektorët dhe dekanët për t’u paguar menjëherë dhe përcjelljen e shqetësimeve të studentëve pranë strukturave drejtuese të PS-së dhe Ministrisë së Arsimit. Kritika të cilat Rama nuk i ka kursyer as mbledhjen e sotme.

Pas katër ditësh, 28 dhjetor, PS mbledh Asamblenë Kombëtare, edhe kjo mbledhje e paparashikuar në kalendar, por që mesazhi i kreut të qeverisë ishte në këtë forum diskutimet do të jenë edhe më të gjëra, duke mos përjashtuar lëvizjet në kabinet. Vendimet që do marrë Kryesia sot, do të diskutohen në Asamblenë e PS-së. Mbledhja e fundit e Asamblesë së PS u zhvillua në 7 shtator me fokus zgjedhjet e ardhshme lokale (Lexo këtu). 

Këto mbledhje vijnë pak ditë pas mbylljes së protestës së studenteve dhe një valë protestash lokale të organizuara nga PD në disa qytete. Më herët kryeministri Rama, i ndalur tek protesta e studentëve ka thënë se ka qenë një mësim i mirë për qeverinë dhe të personalisht.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:02
Vendimi i Kryesisë: PS, kongres paraelektoral në mars, partia në zgjedhje

Një prej vendimeve të sotme të Kryesisë së PS ka qenë mbajtja e një kongresi paraelektoral në muajin mars. Kjo do të thotë se degët e PS në do kalojnë në sitë dhe priten zgjedhje partiake katër muaj përpara zgjedhjeve vendore. 

Ora 14:11
Nga protesta e studentëve te ndryshimet në qeveri, Rama flet pas mbledhjes së Kryesisë

Kryeministri Edi Rama flet pas mbledhjes së Kryesisë së PS e cila zgjati prej rresh pesë orësh (Lexo këtu). Në një prononcim për mediat, kreu i qeverisë tha se në mbledhje u diskutua për organizimin e PS, protestën e studentëve, ndërsa i pyetur nga gazetarët sa i takon ndryshimeve në kabinetin qeveritar, Rama e la të hapur si opsion, por mesazhi i tij ishte se pas pak ditësh do mblidhet Asambleja Kombëtare e PS.

"Kemi pasur një diskutim të gjatë dhe të dobishëm në kuadrin e një procesi të premtuar reflektimi, që sigurisht merr shtysë nga protesta e studentëve, por është në ADN-në tonë dhe është një tjetër shprehje e vetëdijes se çdo ditë ka gjëra për të përmirësuar, se nuk jemi të pagabueshëm, përkundrazi dhe se mbi të gjitha në vakumin e madh të lënë nga opozita, në mungesën e një opozite të besueshme, është një sfidë më vete që të vetëkorrigjohemi në vijim.

Kemi folur për partinë, organizimin në tërësi, mekanizmat e komunikimit, domosdoshmërinë e një raporti me shoqërinë, ku shoqëria dhe zëri i shoqërisë të gjejë më shumë hapësirë dhe të gjejë dëgjimin që meriton në partinë tonë dhe partia të ketë kapacitetin të shkojë përtej vetes dhe të shtrihet në mënyrë më të natyrshme dhe në mënyrë më të dobishme në shoqëri. Kur them Partia, kam parasysh të gjithë bazën e veprimtarisë sonë dhe të përfaqësimit tonë sepse në fund të fundit, të gjithë forumet dhe të gjitha mekanizmat përfaqësues, qoftë Parlamenti apo qeveria, janë drejtpërdrejtë të lidhura me raportin e krijuar në terren mes njerëzve.

Kemi shumë për të korrigjuar dhe shumë për të përmirësuar dhe është një proces pozitiv. Kemi diskutuar edhe për protestën, arsyet, faktorët, dobishmërinë e madhe të protestës dhe për domosdoshmërinë që ne ta mishërojmë ashtu siç duhet atë që është shqetësimi real i asaj proteste dhe që është transmetuar në formën që ajo mori nga shumë studentë, të cilët i thonë vetes apolitikë, por që në këtë rast e kanë shkundur politikën në raport me vetveten.

I kanë dhënë një shuplakë qeverisë, unë e kam thënë edhe më parë. Po ashtu, siç kam thënë edhe po bëjmë që protesta ka dinamikën dhe trajektoren e vet, ndërsa reflektimi ynë i domosdoshëm pas asaj shuplake do të vazhdoje dhe do të thellohet në funksion jo vetëm të studentëve, por në funksion të të qenit të denjë dhe në lartësinë e ambicieve, por edhe të shqetësimeve të shoqërisë"


Do bëni ndryshime në qeveri z.Rama?
Çdo gjë hap pas hapi. Ju e dini që unë nuk e them asnjëherë fjalën e fundit të parën. Nga ana tjetër, unë di gjithmonë radhën e lëvizjeve pasi gjithmonë mendohem gjatë përpara se sa të bëj çdo lëvizje. Ne do të bëjmë të gjitha gjërat e duhura dhe do t’i përgjigjemi me dinjitet shqetësimit të studentëve, por do të shkojmë përtej këtij shqetësimi sepse ne e kuptojmë se ka ende shumë për të bërë dhe pavarësisht rezultateve të padiskutueshme që janë arritur njerëzit meritojnë shumë më tepër akoma dhe në këtë aspekt ne kemi shumë për të korrigjuar. Kemi bërë gabimet tona.

Gabime që i bëjnë të gjithë ata që ndërtojnë, punojnë dhe që përpiqen të spostohen nga diku në diku tjetër dhe të marrin përsipër sfidat si sfidat që ne kemi marrë përsipër, por e rëndësishme është që të mësojmë prej gabimeve dhe të shkojmë përpara. Ajo që është e sigurt është që e kemi lexuar me shumë vëmendje dhe po e lexojmë me shumë respekt mesazhin e protestës. Do të mbledhim Asamblenë Kombëtare dhe do të flasim përsëri.

Ora 13:45
FOTO pas mbledhjes së socialistëve, Rama i hedh dorën të moshuarës, lali Eri 'sprint' me biçikletët

Kryesia e PS u mblodh sot për 5 orë në selinë e socialistëve. Pavarsisht se mbledhja ishte hermetike LSA ka shkëputur disa momente interesante pas përfundimit të diskutimeve. Siç shihet në foto kryebashkiaku Erion Veliaj nuk e tradhëtoi as sot biçikletën ndërsa kryeminstri pavarësisht lodhjes u ndal të takonte një të moshuar e cila e priste jashtë dyerve të PS.

Ora 13:41
4 orë mbledhje e pandërprerë e kryesisë së socialistëve, 12 kryetarët e qarqeve raportim të detajuar

Report Tv ka mundur të zbulojë disa nga detajet e diskutimit në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste. Burime nga mbledhja e kryesisë së PS bëjnë me dije se 12 kryetarët e PS në qarqe po bëjnë një raportim të detajuar në këtë mbledhje lidhur me situatën e partisë në rrethe. Gjithashtu, në kryesi po bëhet një analizë e thellë e performancës së kryetarëve të bashkisë dhe këshilltarëve të PS në bashkive përkatëse. Në këtë mbledhje, burimet kanë saktësuar se deri më tani nuk ka patur asnjë diskutim për ndryshime në qeveri apo largime të ministrave të caktuar. Pritet që në fund të kësaj mbledhjeje, kryesia të organizojë edhe axhendën për Asamblenë e PS e cila pritet të zhvillohet pas 4 ditësh, në 28 dhjetor.

Ora 11:07
Mbledhja e Kryesisë së PS/ Majko, Braçe, e Kodheli 'të përpiktë' me orarin, Veliaj shkon me biçikletë (VIDEO)

Ka nisur mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste. Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë të gjithë anëtarët e kryesisë së PS. Të parët që kanë hyrë në këtë mbledhje janë ministri Pandeli Majko, apo zv.kryeministrja Senida Mesi. Eglantina Gjermeni, Mimi Kodheli, Elisa Spiropali, e Erion Braçe janë parë të hyjnë në selinë e PS. Bie në sy sërish ardhja e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj i cili ka shkuar me biçikletë në mbledhjen e kryesisë së PS.

Ora 09:07
Kryesia e PS, Kryeministri Rama mbërrin në seli (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur pak minuta më parë në selinë e Partisë Socialiste, ku pritet të mblidhet kryesia e kësaj partie. Sic shihet edhe në këtë foto, kryeministri ka hyrë i vetëm në këtë kryesi, ndërkohë që priten zhvillime, pasi Asambleja e PS vjen pas 4 ditësh.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • luani: 25/12/2018 12:48

    Me qene se Ridvan Boden e cove ne Bordin e Bankes, merr Florian Mimen ose Sherefedin Shehun si minister te ekonomise dhe financave. Jane me te mire dhe te ndershem se sa ai qe ke. Edhe keta firmosin per cfaredo qe te duash ti....

    Përgjigju
  • sefa: 25/12/2018 06:58

    sa bukur sa bukur, me ne fund pasi ia shtive thiken tej e pertrj pupillit, e paskerkan kuptuar, qe kane bere gabime. tashti, rregulloni gabimet e qendroni 100 vjet ne pushtet. e si rilindas patriot qe jeni, zhvateni kete ven. vampira.

    Përgjigju
  • Tani: 25/12/2018 00:34

    Bjeri, bjeri, se, i bi bukur

    Përgjigju
  • Adri: 24/12/2018 11:11

    Rrofte Robin Hoodi invers e pervers!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët