Bileta “relike”, korrupsion në
Muzeun Arkeologjik shqipta

Bileta “relike”, korrupsion në<br />Muzeun Arkeologjik shqipta
TIRANA - Bileta që administrohet nga Qendra e Studimeve Albanologjike (QSA), që u jepet vizitorëve për të parë Muzeun Arkeologjik Kombëtar, në shkelje të plotë të ligjit dhe jashtë çdo standardi, u zbulua një ditë më parë nga Auron Tare gjatë shoqërimit të një grupi vizitorësh të huaj. Pasi blemë dje një biletë të tillë, ku shkruhej shuma vetëm me 1 dollarë (konvertimin e vlerës e bënte vetë biletashitësja!!!; mori 100 lekë), kërkuam edhe arsyet e përdorimit të kësaj bilete-relikte nga koha e komunizmit. Pamë se bileta është pjesë e një problematike më të madhe që përfshin Muzeun Arkeologjik dhe vetë kupolën drejtuese, Qendrën e Studimeve Albanologjike QSA.

Përveç problemeve që nisin që mungesa e rinovimit, ku në muzeun arkeologjik nuk janë reflektuar në stenda zbulimet e bëra që nga viti 1981, nuk ka asnjë procedurë korrekte që të provojë numrin e turistëve dhe shumën e saktë të biletave ekzistuese, atyre të shitura e atyre të pa shitura.
Bileta shkruan vetëm "Biletë Hyrjeje", por nuk thotë se ku hyn vizitori, në cilin institucion.

S'ka as emrin e institucionit që të jetë në varësi, siç e ka Galeria Kombëtare e Arteve, e cila aktualisht përdor një biletë me kod të fshehtë, logo të qartë të institucionit dhe atij që e ka në varësi MTKRS. Bileta e Muzeut Arkeologjik mban sipër emrin e një institucioni fantazmë që ka ekzistuar shumë para viteve '90, shumë kohë përpara se të krijohej si institucion më vete edhe vetë Ministria e Kulturës (1992). Bileta ka vetëm një vizatim me motive etnografike. Me sa duket është motivi i qilimit shqiptar. Ngjyra e saj është violetë e mbyllur, por duket si e fshirë nga uji.

Mban shënimin me vlerën 1 dollarë dhe vetëm një Nr. Serie: njëzetë e shtatë mijë e gjashtëqind e tre (Nr. 27603), por nuk ka as ISBN, as emrin e shtypshkronjës ku është prodhuar, ku kjo e fundit të jetë e licencuar për ta bërë këtë punë. Megjithëse bëhet fjalë për një relikte të rrallë të kohës së komunizmit, që përdorej vetëm për turistët në atë kohë, nuk vihet re asnjë shenjë apo kod sekret, që ta veçojë këtë biletë nga një copë letër e rëndomtë. Ajo mund të fotokopjohet lehtë në çdo fotokopjuese elektronike, por edhe nga një shtypshkronjë artizanale.

Shkelja: Konfirmon Kontrolli i Lartë i Shtetit

Pyesim personat përgjegjës në Kontrollin e Lartë të Shtetit, pasi japim të dhënat që ka bileta, “nëse është e lejuar me ligj një biletë si kjo që kemi paguar në Muzeun Arkeologjik për përdorim nga Institucionet”. Pasi na sigurojnë se është një shkelje e rëndë dhe pakorrektësi ligjore, ata thonë se nuk e dinim që bëhej një gjë e tillë. Vetë kreu i KSHL-së, i kontaktuar nga gazeta, z.Leskaj tha se “përdorimi i një bilete të tillë, jo vetëm përbën shkelje, por konsiderohet shkelje në vijimësi”.

Drejtoresha Gjongecaj: S’është puna ime. Administron QSA

I drejtohemi për arsyet e përdorimit të kësaj bilete Drejtoreshës së Institutit të Arkeologjisë, zonjës Shpresa Gjongecaj, që thotë se “unë nuk merrem me biletat. Puna ime është të merrem me studime, është didaktike, unë gëzohem që këtu vijnë studentë dhe e shikojnë muzeun. Gëzohem që ka vizitorë dhe turistë. Ky muze është me pasuri të mëdha kombëtare. Nuk di pse u shqetëson juve aq shumë një copë biletë. Këtë përgjigje jep ajo, ndërsa është duke u marrë me punën e saj dhe qëndron e përkulur mbi një monedhë të zbulimeve të fundit, ku i bëhet procesi i verifikimit dhe regjistrimit. Duke na argumentuar disa herë se është specialiste, studiuese dhe “këtë punën e biletave e di administrata. Shkoni pyesni atje”, ajo shton se “këtu në muze vinë shumë vizitorë, nxënës e studentë për qëllime mësimore, të cilët nuk paguajnë asgjë. Jo të gjithë duhet të paguajnë biletë, thotë drejtoresha e Muzeut Kombëtar Arkeologjik Shpresa Gjongecaj. Studentët nuk paguajnë biletë, se vinë për të mësuar këtu”, shton ajo për Shqiptarja.com. Ndërkohë duke pasur Universitetin pranë mësuam se vetëm studentët e arkeologjisë e kanë këtë të drejtë. Studentët e degëve të tjera që shkojnë herë pas here për kureshtje e kanë paguar këtë biletë. Ndërsa i kërkojmë drejtoreshës që të sqarohemi se kur dhe sa vizitorë vijnë në Muzeun Kombëtar Arkeologjik, ku shkojnë këto të ardhura, ajo thotë që t’i drejtohemi administratës së QSA-së për këtë. Ndërkohë biletashitësja tha se lekët e grumbulluar nga këto bileta i çon në zyrën e financave të këtij institucioni.

Knacelari: Biletat? Stoqe, ja ku shkojnë paratë e tyre

Ndërsa vetë drejtori i QSA-së, zoti Ardian Marashi nuk pranon të prononcohet për “Shqiptarja.com”, kancelari i këtij institucioni Arben Skënderi ka pohuar dje se këto bileta nuk prodhohen tashmë më në asnjë shtypshkronjë. I pyetur se nga cila shtypshkronjë ose ent botues dalin këto bileta, ai thotë se “kanë mbetur prej kohësh stoqe në magazinë”. Kancelari nuk pohoi se për to ka një fletë inventarizimi, por tha se “Janë stoqe të ngelura në bodrumet e QSA-së. Kanë ngelur aty prej vitesh e ne i përdorim.” . Punonjësit e Financës në QSA thanë se nuk janë të autorizuar për të dhënë një shifër zyrtare, duke thënë se është vetëm në kompetencat e kancelarit. Kancelari nuk pranon të japë shifra, por thotë se shuma e mbledhura nga këto lloje biletash “depozitohen dhe përdoret nga QSA për rinovimin dhe mirëmbajtjen e muzeut”. Vëmë re se në Muzeun Arkeologjik nuk është vënë dorë prej vitesh dhe arkeologët e njohur janë ankuar shpesh se aty që prej tridhjetë vjetësh nuk bëhet përditësimi me zbulimet e reja. Madje aty nuk ka as skeda të përkthyera në anglisht për turistët e huaj. Lind pyetja se ku shkojnë në të vërtetë paratë e biletave...?!


Çudia, bileta e stampuar para 1976-s

Të habitur për shenjat e zbehta të një qilimi etnografik që janë në këtë biletë, zbulojmë se këto shenja kanë mbetur që nga koha e Kthimit nga Muze Etnografik-Arkeologjik në Muze Arkeologjik. Në faqen zyrtare të këtij muzeu thuhet se “Muzeu Arkeologjik i Tiranës është i pari muze i krijuar pas Luftës së II Botërore, pasi gjatë kësaj lufte u shkatërruan edhe institucionet e fundit muzeale. U hap më 01.11. 1948 si Muze Arkeologjik-Etnografik dhe vazhdoi i tillë deri në vitin 1976, kur u veçua pavijoni etnografik dhe ai u organizua si muze i profilizuar arkeologjik. Ky muze prezanton kërkimet e zbulimet arkeologjike në të gjithë territorin e Shqipërisë. Materiali i ekspozuar përfshin një periudhë kohore nga epokat e gurit, tek ato të metaleve (bronzit e hekurit) kur lindi e u zhvillua qytetërimi ilir, periudhën e antikitetit ilir (dhe jo vetëm), dhe periudhën e antikitetit të vonë e mesjetën deri në pushtimin osman”.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Kongresi i PS, ministrja Pirdeni: Fokus lufta ndaj korrupsionit, nisëm konsultimet për strategjinë e re! Prokurime publike me inteligjencë artificiale

Kongresi i PS, ministrja Pirdeni: Fokus lufta ndaj korrupsionit, nisëm konsultimet për strategjinë e re! Prokurime publike me inteligjencë artificiale