Ish presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton do të vizitojë më 12 qershor shtetin e Kosovës. Kjo do jetë hera e katërt që Clinton vjen në Kosovë.

Vizita, e cila është konfirmuar nga Këshilli Organizativ,  përkon me 20  vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Sipas mediave kosovare, Clinton pritet të mbajë një fjalim në Tubimin Qëndror në Prishtinë.

Kujtojmë se, në vitin 1999, ish kreu i Shtëpisë së Bardhë dhe vendet kryesore të NATO-s morën vendimin për bombardimin e ish-Jugosllavisë.

Njoftimi i plotë:

Më 12 qershor 2019 Kosova shënon 20 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-së. Ne jemi duke shënuar këtë përvjetor historik të Kosovës bashkë me miqtë dhe aleatët tonë me të cilët ndajmë vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë. Njëkohësisht, ne po nderojmë të kaluarën tonë dhe vizionin tonë për paqe të qëndrueshme.

Ish- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në shënimin e 20 viteve të lirisë, dhe do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.

Data: E mërkurë, 12 Qershor 2019

Vendi: Sheshi “Skëndërbeu”

Koha: 11: 00

Ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në tubimin qendror, dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi për të falënderuar Presidentin Clinton për lidershipin e tij në ndërtimin e paqes në Kosovë dhe përkrahjen e tij të vazhdueshme për paqe dhe stabilitet në tërë rajonin.