Binjaket Michelle dhe Lavinia Osbourne kanë pasur gjithmonë një lidhje të veçantë mes tyre.
Por kur Lavinia klikoi mbi një email me rezultatet e një testi ADN-je të bërë në shtëpi në shtator të vitit 2022, ajo u mbush me një ndjenjë frike.
“Ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme e dija”, thotë ajo.
Rezultatet e testit të saj zbuluan diçka tronditëse: binjaket jo-identike Lavinia dhe Michelle nuk kanë të njëjtin baba. Ato lindën nga e njëjta nënë brenda pak minutash diferencë nga njëra-tjetra, por ato janë motra nga nëna, me baballarë të ndryshëm.
Michelle dhe Lavinia, 49 vjeçe, ekzistojnë falë një procesi biologjik jashtëzakonisht të rrallë të quajtur superfekondim heteropaternal. Që kjo të ndodhë, një grua duhet të prodhojë më shumë se një vezë gjatë të njëjtit cikël, këto vezë duhet të fekondohen me sukses nga spermatozoide të burrave të ndryshëm, dhe embrionet që formohen duhet të mbijetojnë gjatë shtatzënisë.
Vetëm 20 raste janë identifikuar në të gjithë botën.
Për Lavinian, ky zbulim ishte shkatërrues. Ajo dhe Michelle kishin kaluar një fëmijëri të vështirë, ku shpesh lëviznin nga një shtëpi në tjetrën dhe nga një kujdestar te tjetri. E vetmja gjë e përhershme që kishin ishte njëra-tjetra.
“Ajo ishte e vetmja gjë që më përkiste mua, e vetmja gjë për të cilën isha e sigurt, e vetmja gjë për të cilën nuk kisha dyshime”, thotë Lavinia. “Dhe pastaj doli që nuk ishte ashtu”.
Por kur Lavinia i telefonoi motrës së saj binjake për t’i treguar lajmin, Michelle reagoi ndryshe.
“Nuk u habita”, thotë Michelle. “Ende më duket e pabesueshme që kjo mund të ndodhë - është shumë e çuditshme, shumë e pazakontë, jashtëzakonisht e rrallë - por ka kuptim”.
Nëna e tyre ishte vetëm 19 vjeçe kur i solli në jetë, në vitin 1976 në Nottingham. Sa herë që binjaket pyesnin se kush ishte babai i tyre, nëna gjithmonë u thoshte se ai ishte një person i quajtur James. “Ai nuk ishte pjesë e jetës sonë”, vazhdon Michelle.
As nëna nuk ishte e pranishme. Kur vajzat bënë 5 vjeç, ajo shkoi të studionte në Londër dhe i la me nënën e shoqes së saj të ngushtë, të cilën binjaket e quanin “gjyshe”. Në moshën 10-vjeçare, vajzat u bashkuan me nënën e tyre në Londër. Por brenda pak vitesh, Lavinia dhe Michelle u dërguan përsëri larg, për të jetuar në një nga familjet kujdestare ku nëna e tyre kishte jetuar më parë.
James u rikthye në jetën e tyre kur binjaket ishin në mesin e adoleshencës. Lavinia arriti ta gjente - dhe ndërsa ajo mendonte se shihte ngjashmëri me të, Michelle nuk ishte kurrë e sigurt se ai ishte babai i saj. Thellë brenda saj, kishte dyshime të vazhdueshme.
Nga fundi i vitit 2021, nëna e tyre vuante nga demenca me fillim të hershëm dhe nuk ishte më në gjendje t’u përgjigjej pyetjeve të tyre. Michelle pa një fotografi të Jamesit dhe u bind edhe më shumë se ai nuk mund të ishte babai i saj dhe bëri analizën e AND-së.
Rezultatet mbërritën më 14 shkurt 2022, në të njëjtën ditë kur nëna e binjakeve ndërroi jetë.
Pas javësh kërkimesh, Michelle zbuloi se babai i saj ishte Alex, vëllai i një gruaje që kishte qenë shoqe me nënën e tyre. Michelle kontaktoi disa nga familjarët e Alexit, të cilët e paralajmëruan se ai kishte luftuar për vite me radhë me alkoolizmin dhe varësinë nga droga, dhe se jetonte në rrugë.
Michelle dhe Lavinia u takuan me një grua të quajtur Olivine, për të cilën Michelle besonte se ishte kushërira e tyre e parë nga ana e babait. Michelle ndjeu menjëherë një lidhje me të, ndryshe nga Lavinia.
Lavinia vendosi të bënte analizën gjenetike dhe rezultati e tronditi sepse doli që binjaket nuk kishin të njëjtin baba dhe nuk ishte as James. Me këmbënguljen e Michelle për të ndjekur gjurmët, mbërritën te Arthur, babai biologjik i Lavinias.
“Ai ishte paksa nervoz, por ka një karakter shumë të gjallë - si unë”, thotë Lavinia. Në fund të takimit të tyre, ajo e puthi Arthurin në faqe. “Thjesht e ndjeva ta bëja”.
Që atëherë, të dy kanë qenë shumë të afërt, duke u takuar disa herë në muaj, shpesh edhe me Michelle.
“Ndjej sikur kam gjetur një vend ku i përkas, dhe ai vend është me babanë tim”, thotë Lavinia.
Binjaket nuk do ta mësojnë ndonjëherë nëse nëna e tyre e dinte që baballarët e tyre janë të ndryshëm, por mendojnë se ajo dyshonte dhe thjesht s’e ka pranuar kurrë.
Si binjake jo-identike, Lavinia dhe Michelle kanë qenë gjithmonë të vetëdijshme për dallimet mes tyre, por ato gjithmonë do të ndajnë një lidhje unike.
“Ne jemi mrekulli”, thotë Lavinia. “Do të kemi gjithmonë një afërsi që nuk mund të thyhet”. “Ajo është motra ime binjake”, pohon Michelle. “Asgjë nuk e ndryshon këtë”.
Komente







