Një takim mes përfaqësuesve rusë dhe amerikanë mbi luftën në Ukrainë do të zhvillohet këtë fundjavë në Miami, Florida. Këtë e njoftoi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Presidenca amerikane nuk ka dhënë detaje mbi përbërjen e delegacioneve.
Sipas Politico, SHBA-të do të përfaqësohen nga i dërguari i tyre në Ukrainë, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, ndërsa Rusia pritet të dërgojë të dërguarin e saj ekonomik të Kremlinit, Kirill Dmitriev.
Ky raund i ri bisedimesh vjen pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vërejtur “progres” drejt një kompromisi mes Kievit dhe Uashingtonit mbi përmbajtjen e një plani për t’ua propozuar Moskës për të ndalur luftimet, pas takimeve të zhvilluara në Berlin të dielën dhe të hënën mes zyrtarëve amerikanë, ukrainas dhe evropianë.
Megjithatë, Zelensky paralajmëroi se, sipas tij, Rusia po përgatitet për një tjetër “vit lufte” në 2026.
Të premten dhe të shtunën do të zhvillohet gjithashtu një raund i ri bisedimesh mes Ukrainës dhe SHBA-ve në kuadër të negociatave për paqen. Këtë e njoftoi Zelensky këtë mëngjes para gazetarëve, pa dhënë detaje mbi përbërjen e delegacionit.
“Të premten dhe të shtunën, ekipi ynë do të jetë në Shtetet e Bashkuara; ata janë tashmë në rrugë dhe amerikanët po i presin atje. Nuk e di se kush tjetër mund të jetë prezent, ndoshta do të ketë edhe evropianë”, tha Zelensky.
Nuk janë parashikuar takime trilaterale SHBA-Rusi-Ukrainë.
Lajmi kryesor:
Asetet ruse ose kredi/ Këshilli Europian vendos sot për rindërtimin e Ukrainës! Në fundjavë bisedime SHBA-Rusi në Miami











