EGJIPT - I dërguari special për paqen në Siri Lakhdar Brahimi zhvilloi të dielën bisedime në Kajro me drejtuesin e Ligës Arabe Nabil Elaraby. Në qendër të diskutimit ishte përpjekja diplomatike për t’i dhënë fund gjakderdhjes e cila deri më tani raportohet të ketë lënë 30 mijë të vdekur.

Brahimi, me mandatin e Ligës Arabe dhe Kombeve të Bashkuara po negocion me Presidentin e Sirisë Bashar al-Assad dhe grupet opozitare, të cilat po luftojnë për t’i dhënë fund regjimit. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov pritet t'i bashkohet bisedimeve të sotme të Brahimit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ligës Arabe.

Revoltat ndaj Assad nisën si protesta paqësore, në të cilat bëheshin thirrje për liri e demokraci, por u shndërruan shumë shpejt në përleshje të dhunshme me armë mes qytetarëve dhe forcave të ushtrisë. Ndërhyrja diplomatike deri më tani nuk ka pasur rezultat ndërsa përpjekja e fundit ishte armëpushimi i dështuar për festën e bajramit.

(dm/Shqiptarja.com)