Raundi i parë i bisedimeve të nivelit të lartë midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara ka përfunduar, thuhet në një deklaratë të përbashkët të Pakistanit dhe Katarit duke shtuar se negociatat u zhvilluan në një atmosferë konstruktive dhe pozitive.
Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord për një plan veprimi për të arritur një marrëveshje përfundimtare që t’i japë fund luftës brenda 60 ditëve.
Dy vendet do të krijojnë një “qelizë koordinimi” me Libanin për t’i dhënë fund operacioneve ushtarake. Paralelisht, do të krijojnë një “linjë komunikimi” për të shmangur incidentet në Ngushticën e Hormuzit. “Është krijuar një linjë komunikimi midis palëve… për të shmangur incidentet dhe keqkuptimet, me qëllim garantimin e kalimit të sigurt të anijeve tregtare përmes ngushticës”, kanë deklaruar Pakistani dhe Katari.
Bisedimet teknike midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara do të vazhdojnë këtë javë në Zvicër.
Në përfundim të këtij raundi bisedimesh, ka reaguar ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi.
“Ndërmjetësimi i palodhur pakistanez dhe katariot ka sjellë përparim të rëndësishëm për t’i dhënë fund luftës në Liban. Për Iranin janë dhënë përjashtime për kufizimet mbi eksportet e naftës dhe produkteve petrokimike, është hequr bllokada, janë zhbllokuar disa asete të ngrira dhe është nisur një plan i rëndësishëm rindërtimi dhe zhvillimi”, është shprehur ai./La Repubblica
Lajm në përditësim...

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të udhëtojë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt dhe Bahrein nga 23 deri më 25 qershor, njoftoi Departamenti i Shtetit i SHBA-së në një deklaratë.
Rubio, njoftoi Dapartamenti, "do të diskutojë një sërë prioritetesh rajonale, duke përfshirë Memorandumin e Mirëkuptimit me Iranin, përpjekjet për të siguruar tranzit të sigurt dhe të papenguar përmes Ngushticës së Hormuzit dhe rëndësinë e paqes e stabilitetit në rajon".
Në Bahrein, Rubio do të takohet gjithashtu me Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit "për të diskutuar prioritetet e përbashkëta rajonale".

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur përsëri se ushtria izraelite nuk do t'i japë fund pushtimit të Libanit jugor.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Netanyahu tha se direktiva e tij, e ndarë me ministrin e Mbrojtjes Israel Katz, ishte e qartë dhe e pandryshuar.
"Luftëtarët tanë në Libanin jugor kanë liri të plotë veprimi për të penguar çdo kërcënim të drejtpërdrejtë ose të ri ndaj tyre ose ndaj banorëve të veriut. IDF nuk ka kufizime në këtë drejtim", tha ai.
"Unë qëndroj i vendosur se ne do të qëndrojmë në zonën e sigurisë në Libanin jugor, për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të mbrojtur banorët e veriut dhe të gjithë qytetarët e vendit", vijoi ai më tej.
Kujtojmë se Izraeli ka pohuar se do të vazhdojë të pushtojë Libanin jugor, të cilin e konsolidoi në operacionet ofensive në fillim të këtij muaji, si një "zonë tampon" ndaj kërcënimeve nga Hezbollahu.
Megjithatë, Irani ka këmbëngulur që çdo marrëveshje përfundimtare paqeje me SHBA-në duhet të përfshijë tërheqjen e Izraelit nga Libani.
Duke folur më parë me gazetarët në Zvicër, zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance tha se situata në Liban ishte "në zhvillim e sipër".

Foto: Ali Khamenei
Homazhet për Liderin e ndjerë Suprem të Iranit, Ali Khamenei, do të mbahen më 8 korrik në qytetet Naxhaf dhe Kerbela, Irak. Kjo u njoftua nga zyrtari Iman Attarzadeh.
Ceremonitë në Iran, megjithatë, do t'i kushtohen udhëheqësit dhe katër anëtarëve të familjes së tij të vrarë me të, theksoi Attarzadeh.
I njëjti burim konfirmoi se homazhet do të fillojnë në Teheran nga 4 deri më 6 korrik dhe do të vazhdojnë në qytetin e shenjtë të Qom dhe në Irak, konkretisht në Naxhaf dhe Kerbela. Më 9 korrik, Khamenei do të varroset në faltoren e Imamit të tetë shiit, Reza, në Mashhad, qytetin e tij të lindjes.
Ali Khaenei mbeti i vrarë në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit më 28 shkurt, pasi udhëhoqi Republikën Islamike për gati 37 vjet.
Komente









