‘Bixhozi’ i fundit i Netanyahut, rifilloi luftën në Gaza për të shpëtuar karrierën e tij

‘Bixhozi’ i fundit i Netanyahut, rifilloi luftën në Gaza për të shpëtuar karrierën e tij

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu

Prej javësh, mes analistëve, diplomatëve dhe gazetarëve më të njohur, pyetja nuk ka qenë kurrë “nëse”, por vetëm “kur” Izraeli do të rifillonte ofensivën në Gaza. Përgjigjja erdhi natën mes të hënës dhe të martës, në formën e një shiu bombash mbi Rripin e Gazës, që shkaktoi qindra viktima, shumica civilë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ia faturoi përgjegjësinë Hamasit dhe refuzimit të tij për të liruar pengjet izraelite. Por për të kuptuar realisht se çfarë po ndodh, duhet parë më gjerë — sepse në sfond janë të paktën tre zhvillime të tjera vendimtare.

Së pari, është çështja e buxhetit të shtetit, që pritet të kalojë në votim në Knesset në ditët në vijim. Netanyahu beson se nëse arrin të miratojë buxhetin — i cili përfshin edhe financimin e komuniteteve ultraortodokse, ndonëse ato nuk marrin pjesë në përpjekjet ushtarake — ai do të mund të qëndrojë në pushtet deri në përfundim të mandatit në vitin 2026. Por shumica e tij aktuale në parlament është tejet e brishtë — vetëm një votë diferencë — ndaj ai ka nevojë për rikthimin në koalicion të partisë ekstremiste Otza Yehudit, e drejtuar nga Itamar Ben Gvir. Ky i fundit kishte braktisur qeverinë në janar, në shenjë proteste kundër armëpushimit. Pikërisht dje, vetëm pak orë pas fillimit të bombardimeve, Ben Gvir njoftoi kthimin në qeveri.

Por kjo nuk është e vetmja lëvizje që përfiton Netanyahu. Paralelisht me rikthimin e Ben Gvir-it, gjyqtarët që po ndjekin çështjen e korrupsionit ndaj kryeministrit vendosën të pezullojnë gjyqin, duke e justifikuar me situatën e luftës. Një lehtësim i madh për Netanyahun, pasi nëse do të dënohej, karriera e tij politike do të përfundonte.

Së treti, hetimi i shërbimit sekret të brendshëm, Shin Bet, mbi ngjarjet e 7 tetorit ka përfunduar së fundmi, dhe rezulton se një pjesë e përgjegjësisë bie mbi vetë Netanyahun. Sipas raportit të kreut të Shin Bet-it, Ronen Bar, Netanyahu ka lejuar që miliona dollarë nga Katari të përfundonin në duart e Hamasit, ka ndjekur një strategji pasive ndaj tij dhe ka injoruar sistematikisht paralajmërimet gjatë vitit 2023. Sapo mori në dorë raportin, Netanyahu — i vetmi lider që nuk ka marrë përgjegjësi për atë që ndodhi — deklaroi se do të shkarkojë Bar-in, duke shkaktuar reagime të ashpra nga opozita, ish-zyrtarë të lartë ushtarakë dhe familjet e pengjeve.

Shpresa e Netanyahut është që rifillimi i luftës të errësojë gjithë këtë zhurmë politike dhe ta mbajë atë në pushtet. Këtë e përmbledh qartë edhe editorialisti i njohur i gazetës Haaretz, Amos Harel: “Ajo që e shtyu realisht Netanyahun është rikthimi i Itamar Ben Gvir në qeveri për të stabilizuar koalicionin. Mbijetesa e tij politike varet nga vazhdimi i presionit në Gaza dhe nga përpjekja për të larguar vëmendjen nga protestat që po rriten për shkarkimin e Ronen Bar-it.

Tani mbetet për t’u parë nëse Netanyahu do të mund t’i rezistojë presionit. Sipas një sondazhi të televizionit Kan, vetëm 30% e izraelitëve mbështesin rifillimin e luftimeve, ndërsa 43% janë kundër, dhe pjesa tjetër është e pavendosur. Që nga sot janë paralajmëruar protesta të mëdha, të ngjashme me ato që dy vite më parë paralizuan vendin dhe bllokuan reformën gjyqësore të qeverisë. Por tani jemi në një kohë tjetër, në një Izrael tjetër. Çfarë do të ndodhë më tej, mbetet për t’u parë./La Repubblica

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 20 Mars, 10:18

    Nisin kualifikueset e Botërorit, si del Angli-Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Armando Broja dhe 10 të tjerë, Chelsea nxjerr në shitje gjysmën e ekipit

Armando Broja dhe 10 të tjerë, Chelsea nxjerr në shitje gjysmën e ekipit