Bizneset detyrohen të paguajnë
edhe skanimin që nuk ekziston

Bizneset detyrohen të paguajnë<br />edhe skanimin që nuk ekziston
Bizneset në Shqipëri janë të detyruara nga 7 shtatori i këtij viti të paguajnë një tarifë prej 22 eurosh për deklaratë doganore, pagesë e cila shkon për llogari të kompanisë koncesionare “S2 Albania”, një kontratë që teorikisht do të ndihmonte autoritetet të luftonin kontrabandën dhe evazionin fiskal si dhe do të përmirësonte sigurinë duke shmangur rrezikun e transportit të mallrave të rrezikshme si armë apo eksplozivë. Problemi është se kompania koncesionmarrëse, sipas kontratës së vet me qeverinë shqiptare, ka instaluar aktualisht vetëm një skaner në portin e Durrësit ndërsa kompanitë importuese dhe eksportuese duhet sërish të paguajnë tarifën 22 euroshe edhe në të gjitha pikat e tjera doganore pavarësisht se në këto pika nuk ka shërbim skanimi.

Absurdi filloi në vitin 2013 kur qeveria e kaluar nënshkroi këtë kontratë për skanimin e shpejtë të konteinerëve dhe makinave të tjera, një kontratë që përcakton një kosto ekstra prej dhjetëramilionë eurosh në vit për bizneset dhe konsumatorët, ku argumenti i prezantuar qe që ky skanim do të ofronte mundësi për autoritetet për të ulur rrezikun e qarkullimit të mallrave të ndaluar nëpër pikat kufitare.

Problemi është se Shqipëria ka aktualisht 27 pika doganore të shpërndara në të gjithë vendin ndërsa kontrata koncesionare parashikon vendosjen e vetëm pesë pikave të skanimit nga kompania koncesionmarrëse. Megjithëse shërbimi i skanimit nuk do të ofrohet në shumicën e pikave doganore, sërish bizneset do të paguajnë.
Udhëzimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave i datës 4 shtator 2015, përcakton se tarifa 22 euroshe do t’i merret çdo deklarate doganore pa përmendur nëse ka apo jo skanim.
 
Kosto shtesë për eksportuesit
 
Segmenti më i prekur nga detyrimi për të paguar skanimin që nuk ekziston, është sektori i përpunuesve aktivë, të cilët përbëjnë thelbin e ekonomisë eksportuese shqiptare. Për shkak të modelit të tyre të biznesit, i cili përfshin importimin e lëndës së parë dhe më pas, eksportimin e produktit të gatshëm apo gjysmë të gatshëm, këto kompani duhet të dorëzojnë deklarata doganore dy apo tri herë për të njëjtën sasi malli, duke u detyruar të paguajnë shërbimin e skanimit dy apo tri herë. Biznesi i përpunimit aktiv, i përqendruar më së shumti në prodhimin e veshjeve dhe këpucëve, ka norma shumë të ulëta fitimi ndërkohë që modeli i tregut për të cilin shërben i detyron këto kompani të kryejnë praktika të shumta importi në sasi relativisht të vogla, duke e bërë koston e skanimit tepër të lartë.

Burime nga ky sektor i thanë BIRN në kushtet e anonimatit se janë përpjekur të bisedojnë me Ministrinë e Financave mbi problemin por nuk kanë gjetur zgjidhje. Eksporti i veshjeve dhe këpucëve përmes sistemit të përpunimit aktiv zë mbi gjysmën e të gjitha eksporteve shqiptare dhe sektori ka dhjetëramijëra të punësuar në të gjithë vendin.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave deklaroi në një njoftim për shtyp se ka “përgatitur ndryshimet ligjore të nevojshme në mënyrë që tarifa e skanimit të paguhet vetëm një herë për operacionet e zhdoganimit”, por nuk bëri të qartë se çfarë ndryshimesh ligjore ka përgatitur dhe me çfarë autoriteti i ka përgatitur këto ndryshime ligjore. Doganat nuk bëjnë gjithashtu të ditur se kur ata mendojnë se do të mund të zgjidhet problemi i pagesave të dyfishta për eksportuesit e mallrave të përpunimit aktiv.

Me një kosto prej 22 eurosh për deklaratë doganore, në kushtet kur bizneset e përpunimit aktiv duhet të bëjnë dy apo tri deklarata për të njëjtin mall, procesi i skanimit ka krijuar një faturë jo të vogël ekstra për këtë sektor, ndërkohë që vetë procesi i skanimit aktualisht nuk ekziston në asnjë pikë kufitare përveç Portit të Durrësit. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave refuzoi t’i përgjigjej kërkesës së BIRN për komente. Një zëdhënëse tha se administrata qe aktualisht tepër e zënë.

Pa faturë tatimore
Shqetësimi tjetër i kompanive të biznesit të cilat po paguajnë koston e skanimit nga dy edhe tri herë, po u mbahet me një faturë të thjeshtë të lëshuar nga administrata doganore, por që nuk përbën faturë të rregullt tatimore dhe rrjedhimisht, nuk njihet si shpenzim i zbritshëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Edhe për këtë shqetësim, Dogana refuzoi t’i përgjigjej kërkesës për koment të BIRN.

Ndërkohë, Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave deklaroi gjatë një vizite në Dropull më 24 shtator se ligji është i qartë, tarifa e skanimit paguhet për çdo deklaratë doganore si dhe përsëriti argumentin se po përgatit ndryshime ligjore që kjo pagesë të bëhet vetëm një herë, pa bërë të ditur se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë.

Marrë nga Birn

  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?



×

Lajmi i fundit

Erion Veliaj: SPAK të ecë vetëm para, kush ka gabuar të mbajë përgjegjësi! Llumi e fundërrinat kundër meje (FJALA E PLOTE)

Erion Veliaj: SPAK të ecë vetëm para, kush ka gabuar të mbajë përgjegjësi! Llumi e fundërrinat kundër meje (FJALA E PLOTE)