Bizneset shqiptare në New York: Ajo që njihej si 'Italia e vogël', tani quhet 'Shqipëria e vogël'

Bizneset shqiptare në New York: Ajo që njihej si 'Italia e vogël', tani quhet 'Shqipëria e vogël'

“Arthur Avenue” është emërtim i njohur për shqiptaro-amerikanët.

Në këtë rrugë, në lagjen Bronks të Nju Jorkut, ndodhen shumë biznese që zotërohen nga shqiptaro-amerikanët, ndërsa edhe klientët e tyre janë kryesisht shqiptaro-amerikanë.

Zgjerimi i bizneseve shqiptare ka bërë që kjo zonë, që dikur njihej si “Italia e vogël”, tani të quhet “Shqipëria e vogël”.

Kolegu Burim Goxhuli ishte në rrugën “Arthur” dhe bisedoi me disa pronarë biznesesh.

I themeluar më 2017 pranë rrugës “Arthur” në Bronks të Nju Jorkut, “Çka ka qëllu” është një nga restorantet më të suksesshme shqiptaro-amerikane.

Sot, pronari i biznesit, që shërben ushqime tradicionale shqiptare, Ramiz Kukaj, ka zgjeruar veprimtarinë e tij edhe në dy pika të tjera, në Manhatan dhe Kënektikat.

Suksesi i “Çka ka qëllu” nuk varet vetëm nga shumëllojshmëria e ushqimeve, por edhe numri i madh i artefakteve shqiptare, thotë zoti Kukaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Kurreshtja e të huajve për të paparën, të panjohurën, është shumë shumë e madhe. Aty është suksesi më i madh i ‘Çka ka qëllu’. Kur një i huaj futet brenda, është si të futesh në një restorant muze. Asnjëherë nuk kam hasur në diçka të ngjashme. Edhe po të kërkosh restorant francez, që e kanë historinë mijëra vjeçare, ose nëse futesh në ndonjë restorant Italian, që është kulmi i kulturës botërore, nuk e gjen një të tillë në Nju Jork”, thotë zoti Kukaj, i cili erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë.

Më 2019 “Çka ka qëllu” ishte në mesin e 10 restoranteve më të mira në Nju Jork, sipas një liste të gazetës prestigjioze amerikane Nju Jork Times.

Historia e këtij dhe disa bizneseve tjera të ngjashme, ishte frymëzim për sipërmarrësit shqiptaro-amerikanë, që të investojnë në rrugën “Arthur” në Bronks, thotë zoti Kukaj.

“Kanë dhënë një energji pozitive, një mentalitet ndryshe, të gjithë atyre që kanë menduar të hapin një biznes shqiptar. Mendoj se gjatë viteve të fundit ka ndodhur një revolucion brenda rrugës ‘Arthur’, ku ka ndryshuar e gjithë struktura e bizneseve. Ajo pjesë për shumë vite njihej si ‘Italia e Vogël’, por tani i dëgjon edhe vetë italianët, që thonë se nuk është më Italia e vogël, por Shqipëria e vogël”, thotë zoti Kukaj.

Zëri i Amerikës bisedoi me drejtuesit e disa bizneseve shqiptaro-amerikane në rrugën “Arthur” në Bronks.

Në fillim të kësaj rruge ndodhet “Prince Coffee House”, një kafene që është hapur para 6 vitesh dhe që tani është kthyer në një vendtakim për shqiptaro-amerikanët.

“Kur janë këtu ndihen si me qenë në Kosovë, nuk e ndjejnë mungesën e familjarëve apo shokëve. Kjo do të thotë shumë për ne. Është një shtysë e madhe që ne të vazhdojmë më tej, duke sjellë gjëra të reja dhe të mundohemi t’ua bëjmë, sadopak, më të lehtë kurbetin këtyre gjeneratave të reja, apo njerëzve që vijnë”, thotë Ilir Pishtani, menaxher i kafenesë.

Sipas zotit Pishtani, zgjerimi i bizneseve shqiptare është një tregues i vendosmërisë së shqiptaro-amerikanëve për sukses.

“Ne nuk jemi të kënaqur vetëm me një punë të zakonshme, por gjithmonë kemi pasur synim të arrijmë pika më të larta. Kjo ka ndikuar që ne, shqiptarët, të kemi kaq shumë biznese të reja. Për të arritur këtu, ka ndikuar edhe ndihma që i japim njëri tjetrit”, thotë ai.

Rreth 400 metra larg kësaj kafeneje ndodhet byrektorja “Tony and Tina”.

Filip Kajtazi dhe familja e tij, shërbejnë shqiptaro-amerikanët me gatime tradicionale për mbi tre dekada.

“Ne e kemi me traditë, jemi nga rajoni i Hasit. Merremi me furrë buke çdokund, në Kroaci, në të gjitha anët e Evropës. Kur ka ardhur babai këtu, ka punuar në një furrë dhe pastaj para 30 vitesh, hapëm dyqanin ‘Tony & Tina’s Byrek dhe Kos”, thotë zoti Kajtazi.

Zoti Kajtazi ka lindur në Shtetet e Bashkuara, por vazhdon ta ruajë traditën e familjes. Investimi në një biznes të tillë kërkon guxim, thotë ai.

“Babai kishte zemër. Kemi thënë se do ta bëjmë me këmbëngulje, do të kemi sukses dhe do t’i tregojmë gjithë Amerikës se çfarë është byreku”, thotë zoti Kajtazi.

Sipas Ismer Mjekut, autor i “Albanian Yellow Pages”, një botim vjetor me bizenset shqiptaro-amerikane, historia e shqiptarëve në rrugën “Arthur” në Bronks fillon në vitet ‘60.

Në atë kohë shumica e bizneseve në këtë rrugë ishin italiane.

“Arsyeja pse shqiptarët gjetën punë më lehtë në Bronks është sepse rruga për të ardhur në Amerikë ishte përmes Italisë. Aty kanë pritur që t’u rregullohen dokumentat dhe aty e kanë mësuar gjuhën italiane. Pa asnjë fjalë në gjuhën angleze, kanë ardhur këtu dhe ky ka qenë një vend perfekt, sepse kanë folur italisht dhe janë dukur sikur italianë. Pastaj me kalimin e kohës, ata që kanë punuar për italianë kanë hapur bizneset e veta”, thotë zoti Mjeku.

Sipas zotit Mjeku biznesi i parë shqiptaro-amerikan në rrugën “Arthur”, një dyqan me mallra shqiptare, është hapur në fund të viteve ‘60.

Dekada më vonë, numri i bizneseve shqiptaro-amerikane në këtë rrugë është shumëfishuar.

Tani, thotë veprimtari Mjeku, pranë rrugës “Arthur” ndodhen rreth 56 biznese shqiptare të industrive të ndryshme.

“Klienti shqiptar është këtu. Ideja është që ai klient, në vend se të shkojë në lagje të tjera më të largëta, t’i ofrohet atij edhe një biznes që të mos ketë nevojë të shkojë më tutje. Kurse bizneset nuk janë vetëm për shqiptarët. Këto biznese janë edhe për të huajt. Mirëpo fluksi apo koncentrimi i madh i shqiptarëve që vijnë këtu e bën të veçantë këtë lagje”, shton ai.

Sipërmarrësi shqiptaro-amerikan Vaso Nikprelaj është pronar i shtatë lokaleve në rrugën “Arthur”, katër prej të cilave janë dhënë me qira për bizenese shqiptaro-amerikane.

Zoti Nikprelaj thotë se investimi në Bronks synonte zhvillimin e bizneseve shqiptaro-amerikane dhe krijimin e një hapësire ku pjesëtarët e komunitetit ndihen si në vendlindje.

“Çfarëdo që bën për veten tënde, vdes me ty, ndërsa atë që e bën për të tjerët jeton përgjithmonë. Unë nuk di ta shpjegoj me fjalë emocionin tim, sa herë që vij këtu, ndihem shumë krenarë, shumë mirë, sepse e shoh se po përdoret ky koncept. Është diçka e mrekullueshme dhe e bukur. Po të vini këtu në fundjavë, dëgjon muzikën shqipe, ndiheni sikur jeni në sheshin Skenderbej në Tiranë apo diku në Pristinë, kjo është bukuria e kësaj ideje”, thotë zoti Nikprelaj.

Në rrugën “Arthur” ka selinë e saj edhe platforma TV Alb, e cila ofron kanale televizive nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Sipërmarrësja Nusha Dreshaj, thotë se kompania e saj mundëson informimin e shqiptaro-amerikanëve, por edhe ruajtjen e kulturës dhe gjuhës.

“Motoja e TV Alb është ‘më afër vendlindjes’. Edhe vetë motoja e bën të qartë se komuniteti shqiptar në Amerikë dhe Kanada, janë të informuar dhe ndihen sikur të ishin në vendlindje. Pra janë të informuar drejtpëdrejt. Sa i përket interesimit, janë shumë të interesuar sepse TV Alb është një dritare e madhe e informimit mbi kulturën dhe çdo familje dëshiron ta ketë në shtëpi, që fëmijët ta ruajnë kulturën shqiptare”, thotë zonja Dreshaj.

Në rrugën “Arthur” mund të blihen edhe vegla muzikore popullore, thotë Milot Berisha, pronar i dyqanit “Euroalb”.

“Të gjitha instrumentet janë të importuara nga Kosova. Njerëzit janë shumë të interesuar për instrumente dhe ruajtjen e traditive shqiptare. Kemi importuar çiftelinë, lahutën, kemi sharkija. Edhe veshje kombëtare kemi këtu. Më bën të ndihem shumë mire sepse ka shumë njerëz që e shohin dyqanin nga jashtë dhe futen brenda sepse u duket interesant”, thotë ai.

Një vit më parë, një rruge pranë kryqëzimit që të çon drejt rrugës “Arthur” iu shtua emri i “Gjergj Kastrioti-Skenderbeut”, ndërsa çdo vit, me rastin e ditëlindjes së heroit kombëtar, organizohet panairi i bizneseve dhe kulturës shqiptare./ VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta