Sipas deputetit Braçe Sali Berisha është “përfshirë kokë e këmbë në mbrojtjen e ish-ministrit, i kërkuar nga Interpoli. E ka strehuar, e ka mbrojtur, e ka pritur, e ka mbështetur dhe i ka ngritur biznes dy hapa larg selisë së qeverisë në bulevardin Dëshmorët e Kombit”.
“Më 28 Korrik, ish-ministri i Jashtëm i Perusë, i kërkuar nga Interpoli ka krijuar në Tiranë kompaninë e tij Apollonia Investments, një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, ku Manuel Augusto Blacker Miller, banues në Bulevardin Dëshmorët e Kombit "Twin Towers Tirane, zotëron 80% të aksioneve", shkruan Braçe.
Pas këtij "objekti", sipas deputetit socialist, është një projekt konkret: ngritja e një impianti të tillë, incenerator, në hyrje të qytetit të Fierit, të prezantuar në Qeverinë e Sali Berishës, Ministrinë e Mjedisit, bashkinë e Fierit dhe me mbështetje të plotë siç thuhet në dokumente edhe nga këshilltarja për investimet e kryeministrit Berisha, Suzana Guxholli!!
Në objektin e punës së kompanisë shkruhet:Ndërtim dhe zotërim të impianteve të përpunimit të mbetjeve urbane të të gjitha llojeve. Prodhim energjie termike dhe elektrike nga procesi i përpunimit të mbeturinave dhe substancave të tjera nëpërmjet ngritjes së infrastrukturës për këtë qëllim.
REAGON SUZANA GUXHOLLI: E REKOMANDOI BAFTJAR ZEQO
Pas akuzave të deputetit socialist Erjon Braçe se qeveria është e përfshirë në projektin e kompanisë ku Miller ishte aksioner për ngritjen e një impianti të tillë incenerator në hyrje të qytetit të Fierit, ka reaguar këshilltarja për investimet e kryeministrit Berisha, Suzana Guxholli.
Sipas saj, mediat e kontrolluara nga Edi Rama dhe ndonjë shpifës i paguar prej tij, mashtrojnë opinionin publik.
Duke shmangur komentet mbi qëndrimin e qeverisë ndaj arrestimit apo jo të ish-ministrit, Guxholli thekson se kompania Apollonia Investments është rekomanduar nga kryetari socialist i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo, “jo me një por me disa letra drejtuar Kryeministrit por dhe me mesazhe sms”
“Zoti Zeqo thekson në letrat dhe mesazhet e tij se ka mëse dy vjet që bashkëpunon në mënyrë të suksesshme me këtë kompani për realizimin e projektit të saj në qytetin e Fierit”, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të këshilltares për Investimet të Kryeministrit.
Deklarata vijon: “Në këtë kuadër, pas kërkesës së drejtuar Kryeministrit nga zoti Baftjar Zeqo dhe përfaqësues të kësaj kompanie, përfaqësues të saj janë pritur në takim nga këshilltarja e kryeministrit për çështjet ekonomike Suzana Guxholli, rregull ky i pandryshuar në të gjitha kërkesat e autoriteteve vendore apo kompanive të biznesit, të cilët më pas drejtohen në institucionet përgjegjëse sipas fushave të projekteve”.
Në përfundim të deklaratës Guxholli thekson se ish-ministri peruan ndryshe nga sa deklaroi sot deputeti socialist Braçe se e strehon Kryeministri, është “fshehur nga Fideli i tij në Kullat Binjake pronë e deputetit të PS Fidel Ylli”.
REAGON BASHKIA FIER, ZEQAJ: MILLER PARAQITI PROJEKTIN, I KERKUAM LEJEN E QEVERISE
Pas deklaratave për shtyp të bëra nga këshilltarja e Kryeministrit për çështjet ekonomike, Suzana Guxholli ka reaguar Bashkia e Fierit duke sqaruar se “shtetasi Manuel Augusto Blacker Miller është paraqitur 3 muaj më parë në Bashkinë Fier me ekstrakt të QKR për një projekt mbi ndërtimin e një impianti të përpunimit të mbetjeve urbane dhe pasi u prezantua në Këshillin Bashkiak është rekomanduar që të pajiset me lejen e qeverisë shqiptare, ashtu sikurse e parashikon ligji.
“Kompania ”Apollonia Investmens”, drejtuar nga shtetasi Manuel Augusto Blacker Miller regjistruar në Shqipëri, është paraqitur tri muaj më parë në Bashkinë Fier me ekstrakt të QKR për një projekt mbi ndërtimin e një impianti të përpunimit të mbetjeve urbane. Ky projekt iu prezantua ekzekutivit dhe Këshillit të Bashkisë dhe gjatë kohës që vazhdonin negociatat, Bashkia Fier e rekomandoi kompaninë në fjalë, që të pajisej me lejen e qeverisë shqiptare, ashtu sikurse ligji e parashikon. Bëjmë me dije se projekti që i është paraqitur ekzekutivit të Bashkisë Fier është paraqitur, po ashtu, edhe në ministritë përkatëse si dhe në Kryeministri.
Bashkia Fier, si një ndër njësitë vendore me transparencë të plotë me qytetarin dhe në kërkim të investimeve serioze për qytetin ka mirëpritur të gjitha kompanitë e interesuara për të investuar në Fier”, thuhet në deklaratën e Bashkisë së Fierit.
Redaksia Online
(Gre.M/eç/Shqiptarja.com)