Pronarët e biznesit "Fish City" në Labinot të Elbasanit kanë reaguar pas protestës së një dite më parë nga një grup banorësh të mbështetur dhe nga ish deputeti demokrat Luçiano Boçi, pranë investimit të tij dhe akuzave për pronat dhe si ndotës të ajrit dhe lumit Shkumbin. Sot pronari i "Fish City", Gjergj Luca u shpreh përmes një deklarate duke i cilësuar akuzat kundër tij si fyerje. Ai shprehet më tej se u ka ardhur në ndihmë komunitetit me një projekt të rëndësishëm ku kanë përfituar mbi 1000 persona.

Për protestën ka reaguar edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së qarkut të Elbasanit, që shigjeton opozitën. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në një prononcim pas ankesës së marrë nga biznesmeni Gjergj Luca për rastin e incidentit të ndodhur në protestën e banorëve të zonës së Labinotit "i bën thirrje klasës politike të distancohet nga sulmet e hapura kundrejt biznesit duke marre parasysh faktin e pa mohueshëm të një investimi strategjik për qytetin me efekt në punësimi shumë të gjerë në zbutjen e problemeve sociale dhe ekonomike për zonën dhe mbarë qytetin".

"Problemet teknike të ndikimit në infrastrukturë dhe ambient duhet të adresohen në institucionet përkatëse duke i lënë mundësi stafit teknik për zgjidhjen e problemeve dhe kompensimit sipas ligjit të sipërfaqeve në shfrytëzim. Çdo bllokim në përmirësimin infrastrukturor është i dëmshëm për biznesin dhe banoret e zonës gjithashtu institucioni dhomës inkurajon dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellët komunitet-biznes pa përfshirje të asnjë flamuri politik, i cili dëmton imazhin e biznesit të ndershëm, i cili duhet konsideruar një aset i shenjtë kombëtar", shprehet Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Elbasanit.

Për ngjarjen ka reaguar edhe Biznes Albania, e cila deklaron se investimet e ‘Fish City’ në Elbasan kanë sjellë zhvillim në zonë dhe për këtë arsye u kërkon përfaqësuesve të opozitës në këtë qytet që të distancohen nga sulmet kundër kompanisë. “Investimet e Fish City kanë sjellë zhvillim dhe punësim për Elbasanin. Apelojmë opozitën lokale të mos sulmojë kompaninë ‘Fish City’ si edhe të distancohet ndaj këtyre sulmeve. ‘Fish City’ është pioniere e biznesit si edhe krenari për sipërmarrjen shqiptare”, thuhet në reagimin e Biznes Albania.