Kjo është shënuar në fletëpalosjet e shpërndara në Tiranë, për kandidaten për deputete më të re të politikës shqiptare. 48 vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, kandidon nën siglën e ADK, e para në listën e deputetëve të qarkut të Tiranës, duke votuar numrin 33.
Duke qenë se ka qenë në emigracion, dhe ka menaxhuar në Greqi dhe Shqipëri një biznes të rëndësishëm, Diela Anna Preka, ka tashmë një synim të ri: të hyjë në labirinthin e politikës.
Ndoshta ende nuk e ka kuptuar se politika nuk është ajo që u paraqitet njerëzve, por në intervistën për shqiptarja.com, Diela Anna Preka, tregon se si kërkon që eksperiencën e jetës së saj, të punës, arsimimit, edukimit të fëmijëve, ndihmës për familjet në nevojë, ta “eksportojë” brenda sallës së Kuvendit, aty, ku do të merren vendimet e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë e Shqiptarëve.
Dhe nga aty, ku me politikat dhe reformat që ajo mendon se do të duhet të bëjë qeveria e ardhshme, do të ndryshojë edhe imazhi i vendit që ka 23 vjet që “rropatet” për të kaluar tranzicionin e për të qenë një vend i denjë i familjes evropiane.
Zonja Preka, pse vendosët në këtë moment të përkushtoheshit në politikë, për të kandiduar si deputete nën siglën e Aleancës Demokristiane?
Për mua, nuk ka qenë aspak një vendim i vështirë. Nuk kam pasur asnjë dilemë për të qenë një zë dhe një vlerë e shtuar në politikën shqiptare, jo vetëm me zërin e një gruaje, të një nëne, por me vizionin që gjërat në këtë vend të ecin në rrugën e tyre të drejtë, larg klientelizmit, larg korrupsionit, larg varfërisë e papunësisë. Në fund të fundit, për të merituar një vend të rëndësishëm në familjen e madhe evropiane ku ne duam të aderojmë.
Duket se këtë sfidë e ka çdo politikan. Të gjithë e thonë, por kemi parë që në këto 23 vjet, duket se askush nuk e realizon...
Nuk jeni ju e para dhe e vetmja me të cilën bisedoj, dhe shoh apo ndjej një lloj skepticizmi apo lodhje nga politika e politikbërja. Unë nuk mendoj kështu. Mendoj se gjithsecili prej nesh duhet të kontribuoj në çdo lloj drejtimi, për të arritur të gjithë së bashku në Shqipërinë që meritojmë. Unë jam një grua e drejpërdrejtë, dhe po e them hapur, se ndoshta do të ishte më qetë dhe më mirë për mua të vazhdoj në rrugën e biznesit që e kam ngritur me mundim gjatë këtyre 23 vjetësh, mes vështirësish dhe praktikash të padrejta, në luftën e paepur të bërrylave, sistemit korruptiv dhe sistemit të antivlerave. Por jo.
Ka ardhur koha që gjithsecili prej nesh, unë nga këto pozita, ju nga pozitat e gazetares, arsimtari nga pozitat e mësimdhënies, ekonomisti nga pozitat e menaxhimit, apo edhe diplomati nga pozitat e diplomacisë, të mendojmë se duhet të bëjmë më të mirën për vendin. Mesa shoh gjatë kësaj fushate që kam kohë që e kam filluar me qytetarët e Tiranës dhe të rrethinave, duhet të thyejmë tabunë e skepticizmit, tabunë se “nuk ka rëndësi kush voton, e rëndësishme është se kush numëron”. Shqipëria e ka kaluar fazën e të bërit politikë boshe dhe të pashpresë për qytetarët; ka ardhur koha, që me vullnetin, punën dhe forcën tonë, ta kthejmë skepticizmin në optimizëm, për të garantuar, se jeta e qytetarëve brenda vendit dhe shqiptarëve jashtë Shqipërisë, të jetë brenda parametrave të një vendi evropian.
E thënë kështu, duket optimiste, dhe siç na treguat, edhe ju keni jetuar në emigracion. Janë të vlerësuar emigrantët shqiptarë nga qeveria e tyre?
Edhe për këtë duhet që qytetarët në Tiranë të më votojnë për të qenë pjesë në parlament. Shumica e familjeve shqiptare, kanë nga një apo më shumë të afërm të tyre në emigracion. Pas 24 qershorit, me politikat e reja të mbrojtjes së shtresës së emigrantëve, me politikat dhe reformat e reja për të realizuar projektin e votës për emigrantët, do të bëjmë ç’është e mundur që zëri i tyre të dëgjohet, pse jo, edhe të jetë i përfaqësuar në kuvendin e Shqipërisë. Jam e bindur se një komunitet i gjerë emigrantësh do të vijnë të votojnë në këto zgjedhje. Duke qenë se dua ti përfaqësoj denjësisht, u bëj thirrje të votojnë në numrin 33 në fletën e votimit.
Besoj se në fokusin tuaj nuk janë vetëm emigrantët. Ju jeni një grua. Gjithmonë ka pasur skepticizëm se gratë nuk janë në vendin e tyre...
Mund të jetë pjesërisht i drejtë ky konstatim. Kështu ka ndodhur edhe në Parlamentin e Shqipërisë. Por nuk duhet ta kuptojmë shoqërinë shqiptare vetëm si një shoqëri patriarkale. Dhe po ta shohim, gratë e vajzat, janë të përfshira në të gjithë sektorët. Kjo është një gjë e mirë. Edhe për to unë dua të jem në Kuvend. Me anë të politikave, reformave dhe angazhimeve, që do të ndërmarrë pas 24 qershorit qeveria e re që do të kryesohet nga Edi Rama, do të ketë një vlerësim dhe rol tjetër të meritave dhe vlerave që secili individ përcjell.
Duket se jeni e sigurt se do të ketë një ndryshim. Nga ju vjen kjo siguri?
Kjo duket në çdo takim, në çdo komunikim me qytetarët. Nuk duhet të shihet fare me habi. Ndryshimi po vjen dhe do të bëhet shumë shpejt realitet. Të gjithë e kuptojmë se çfarë ka ndodhur në tetë vitet e qeverisjes së Sali Berishës. Po e nis nga biznesi, meqënëse vij nga bota e biznesit. Sot biznesi vuan nga mungesa e fondeve për punimet e kryera brenda vendit. Kryeministri krenohet me rrugë e prerje shiritash. Ju ftoj të lëvizim bashkë nëpër Shqipëri, dhe të më thoni një rrugë që ka pamjen e një autostrade apo superstrade. Rrugët edhe për aq sa janë bërë, janë lënë në mes, kjo, sepse qeveria nuk ka para t’i japë biznesit, duke e drejtuar atë përditë e më shumë nga sistemi bankar, e duke e rënduar me pa të drejtë. Le të ndalemi te mbledhja e taksave...
Po, dua t’ju pyes për këtë pjesë. Jeni dakord me taksën progresive?
Po ju flisja për taksat. Ne të gjithë nëpër punët tona i paguajmë taksat sigurisht. Taksa vendore apo ato kombëtare. Pyetja që nuk merr asnjëherë përgjigje është: ku shkojnë paratë që paguan biznesi? Pse nuk përkthehen ato në investime të rëndësishme për vendin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve? Çfarë e pengon këtë qeveri të arrijë të realizojë atë të ashtuquajturin “program të duarve të pastra” që e nisi me një “yrysh” të madh tetë vite më parë? Të gjithë shqiptarët e panë qartë, se kjo qeveri, vetëm alternativën që ju premtoi shqiptarëve, nuk ua bëri realitet.
Përkundër kësaj, u ngrit një sistem klientelist, një sistem antivlerash, një sistem ku të shkolluarit dhe njerëzit e aftë nuk merren në punë sepse nuk kanë një teserë të Partisë Demokratike në xhep; u ngrit një sistem i korruptuar, ku një biznesmeni i krijohen kushte dhe favore për të punuar, e një biznesi tjetër ia morën frymën duke e falimentuar. Kjo nuk është e ndershme. Kjo nuk është rruga e duhur e zhvillimit të këtij kombi, e kjo është politikë e dështuar, të cilën e kanë kuptuar të gjithë shqiptarët.
Kjo do të thotë se një qeverisje e re do ta ndryshojë?
Duhet shumë punë në Shqipëri. Ne do të fillojmë të punojmë, duke ngritur një sistem të vërtetë vlerash dhe meritokracie. Ku punët në Shqipëri nuk do të zgjidhen me miq e me shokë, por në bazë të kualifikimit të gjithësecilit. Unë besoj se qeveria e nesërme e kryesuar nga Edi Rama, do të krijojë bazat e sigrurta për kualifikimin e stafeve universitare larg korrupsionit. Shikoni shkollat e larta. Për tre milionë banorë, është vendi që ka më shumë universitete private.
Pse? Sepse secili nga ata që ka pasur një firmë në dorë, e ka shpërdoruar atë në mënyrë korruptive, duke krijuar skandale që na kanë bërë edhe objekt shkrimesh në median ndërkombëtare. Rinia e sotme nuk ka asnjë motivim, ndërkohë që kryeministri mburret më kot me Shqipërinë në kohën e internetit. Të gjithë të rinjtë i sheh nëpër kafene, ashtu sikurse qëndrojnë edhe pensionistët, apo moshat e treta. Dhe meqë jemi te politikat sociale, më lejoni të them se sot (dje) vij nga një takim me këtë kategori personash.
Dhe të vjen keq, që ata, pensionistët, qytetarët me moshën e prindërve tanë, të cilët kanë punuar një jetë për këtë vend, pavarësisht se në çfarë periudhe, të mos kenë mundësi sot të blejnë ilacet apo të kalojnë një pleqëri të lehtë. Politikat sociale të qeverisë së nesërme, do të fokusohen te shtresat në nevojë, dhe jo me diskriminime apo dhënie parash nën dorë për të futur emrin në lista të ndihmës ekonomike apo lista të papunësh. Por me plane dhe veprime konkrete që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së gjithsecilit.
Më folët për Edi Ramën kryeministër. Ju keni besim se do të jetë kryeministër?
Kohë më parë, kur kthehesha nga rrugëtimet e mia, më pëlqeja të dilja e të shikoja Tiranën. E Edi Rama, sapo ishte zgjedhur atë kohë si kryetar bashkie. Brenda pak kohëve, me një vizion dhe ide të qartë për ndryshimin e kryeqytetit, bëri gjithçka për pastrimin e parkut Rinia, Lanës, për kthimin në identitetet të bulevardit, apo ngjyrosjes së pallateve të dalëboje dhe lënies në harresë nga qeveritë e të gjitha kohërave.
Punët e këtij djali në atë kohë, impresionuan jo vetëm shqiptarët. Në mediat ndërkombëtare, edhe në Greqi ku unë qëndroja shkruheshin me dhjetëra artikuj për piktorin kryebashkiak që ndryshoi kryeqytetin e Shqipërisë. Sot ai djalë, është në lartësinë e duhur si menaxher, administrator e politikan. Ndaj sigurisht kam besim se me energjinë e forcën që e karakterizon, por edhe vizionin që ka për vendin, do të ndryshojë gjithë imazhin e Shqipërisë.
Le të kthehemi te ju: jeni duke bërë një fushatë të qetë, fushatë agresive, me takime të mëdha apo derë më derë. Pra, cila është strategjia juaj?
Kam kohë që e kam filluar punën me strukturat e Aleancës Demokristiane dhe me një staf të mrekullueshëm e energjik të rinjsh e të rejash që kanë dëshirën dhe pasionin për të parë gjërat ndryshe. Jemi duke trokitur derë më derë, në çdo lagje të Tiranës, në çdo familje, në çdo fshat e në gjithë zonat rreth kryeqytetit. Qarku është i madh, dhe sigurisht, jam e ndërgjegjshme që sdo të kem shumë kohë në dispozicion për të komunikuar me të gjithë.
Por besoj se më e rëndësishme është të kthejmë besimin e qytetarëve te politika, besimin se nëse unë do të jem nesër në Kuvend, do të flas pikërisht për të gjithë ata që kam takuar dhe që do të më japin votën. Ndaj duke ju falenderuar për këtë intervistë, i ftoj të gjithë qytetarët e qarkut të Tiranës, të votojnë në numrin 33 ne fletën e votimit. Sepse të gjithë së bashku mund ta bëjmë vendin tonë më të mirë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)