Ai ka vendosur që të kandidojë për Partinë Socialiste dhe deklaron se do japë maksimumin, madje edhe jetën për PS-në pasi ka ardhur koha për “Rilindje”. Gjatë intervistës së tij, ai tregon edhe kalimin e figurave te e djathta si dhe frikën e tyre, duke përmendur këtu edhe ish-futbollistin Indrit Fortuzi që tashmë është pjesë e sktrukturave të djathta.
Ju keni qenë simpatizant i PD-së, kur ndryshuat mendje për të kandiduar me PS-në?
Shumë e vërtetë. Unë kam qenë një simpatizant i flaktë i Partisë Demokratike që kur kjo parti u krijua, duke filluar që nga vitet `90-`91 pra në fillimet e saj deri para një viti. Dhe pikërisht para një viti mu ndryshua mendja sepse u zhgënjeva totalisht nga kjo parti. Te njësia numër 8 kam qënë një ndër më të flaktët që mbështesja Partinë Demokratike. Kam dhënë shumë për këtë parti, bashkë me familjen dhe miqtë e mi mirëpo zhgënjimi ka qënë i madh.
Përse u zhgënjyet, cilat ishin arsyet e këtij zhgënjimi?
Atëherë, këtu dua të përmend vitin 2005 kur isha një ndër iniciatorët kryesorë të kësaj partie, dhe kur Sali Berisha ishte në opozitë. Në atë periudhë unë të gjithë ekipin e Tiranës e kam çuar te Partia Demokratike duke i binduar ata se ishte më e mira. Madje disa nga ata nuk donin të vinin te Berisha sepse atëherë kishin frikë.
Një ndër to ishte edhe ish-futbollisti Fortuzi, i cili nuk pranonte të vinte dhe refuzoi. Sot pozicioni ndryshoi dhe këto dolën më demokratë se unë kur kohë më parë kishin frikë. Kam bërë çdo gjë për PD-në , mirë që nuk dhashë dhe jetën por nuk fitova asgjë. Lodhja, mundi dhe sakrifica më shkoi kot dhe pikërisht ky ishte dhe zhgënjimi sepse nuk u shpërbleva për asgjë që bëra për PD-në.
A ju ka propozuar ndonjëherë për të kandiduar Partia Demokratike?
Asnjëherë. Kam dhënë shpirtin, gjakun për këtë parti bashkë me qytetarët e njësisë numër 8 por asnjëherë nuk më kanë thënë për të kandiduar. Kam qënë sipatizanti më i zjarrtë i PD-së. Madje para dy viteve kam qënë krahu i djathtë i Bashës në fushatën e tij për Bashkinë. Kam bërë fushatën kundër Ramës duke mbështetur Lulzim Bashën.
Por vetëm kam humbur, asgjë nuk kam fituar nga kjo parti. Edi Rama kur ishte kryetar bashkie më ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” dhe unë prapë vazhdoja të bëja fushatë me Bashën kundër tij. Nuk kam fjalë ta shpreh pendimin tim dhe zhgënjimin që kemi pësuar jo vetëm unë, por të gjithë nga Partia Demokratike.
Flasiom pak raportet tuaja me ish-kreun e bashkisë së Tiranës, zotin Rama, sa herë jeni takuar me këtë që kur keni ikur nga PD?
Shumë herë. Në `86 Rama ishte lojtar i basketbollit ndërsa unë futbollit dhe kemi pasur relata të mira. E vlerësoj Ramën sepse sido që ishte situata politike dhe Tata ishte krahu djathtë ndërsa Rama i majti, ai siç e përmenda më lart në 2009-2010 më dha titullin “Qytetar Nderi” në qytetin e Tiranës. Nuk e prisja këtë gjë që ai bëri dhe po në atë kohë i thash që “krahu i majtë nuk bën pa të djathtin dhe i djathti pa të majtin”.
Kush ju propozoi në listën e Partisë Socialiste?
Si fillim ishte ana personale. Pastaj me miqtë e mi Ervin Bushatin dhe Gazhelin biseduam gjatë për këtë çështje, por ishte dhe thirrja e Z. Rama. Më mirë vonë se kurrë. Tani jam futur me një dëshirë dhe vullnet të plotë me PS-në dhe do jap maksimumin tim madje edhe jetën për PS-në.
A do i ftoni miqtë tuaj të Partisë Demokratike që të votojnë për ju tashmë në grupin e Rilindjes?
Patjetër që po. Miqtë e mi janë mbështetësit kryesorë për Tatën. Ata do të më mbështesin mua për një Rilindje.
Cili është programi juaj politik? Si do e organizoni fushatën zgjedhore?
Unë nuk dua të flas shumë për këtë pjesë sepse nuk ka nevojë për fjalë, por do bëj vepra. Të gjithë më njohin mirë dhe e dinë kush jam unë. Unë do kontribuoj për përmirësimin e jetës së qytetarë e në njësinë numër 8. Të gjithë do bashkohen me mua sepse ka ardhur koha për Rilindje.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.05.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)