Blerësit janë të lodhur nga pandemia

Blerësit janë të lodhur nga pandemia

Nje grua e moshuar me maske e shami ne koke duke dale nga Tregu i Kombinatit, ne Tirane

Sonila është një grua në të dyzetat, e cila prej disa vitesh tregton veshje. Ajo zotëron një dyqan, të cilin, pak muaj më parë u detyrua që ta mbyllë.

Megjithatë, gjatë këtyre ditëve ajo ka rifilluar sërish punën, me shpresën se në këtë sezon festash mund të arrijë të shesë diçka. Në qoshe të dyqanit, Sonila ka vendosur edhe një pemë Krishtlindjesh, të zbukuruar dhe plot drita.

“Shpresojmë që festat të na sjellin fat”, thotë ajo, megjithatë shton se në krahasim me një vit më parë, blerjet janë shumë të pakta.

“Ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Shitjet kanë rënë goxha”, vëren Sonila, ndërsa pohon se veç të tjerash, nuk ka qenë e lehtë as nga pikëpamja personale.

“Unë vetë e kalova COVID-19 dhe ishte e vështirë. Pata probleme me mushkëritë”, rrëfen, ndërsa shton se pandemia i ka vështirësuar gjërat në shumë drejtime.

“T’i lutemi Zotit që viti i ri të jetë i mbarë!”, përfundon ajo.

Edhe Anxhela, 42 vjeç, në muajin maj humbi punën në një agjenci turistike për shkak të pandemisë.

“Pandemia solli rënie të madhe të të ardhurave. Pronari i agjencisë bëri fillimisht përgjysmim të rrogave të punonjësve e më pas disa prej nesh u larguan nga puna”, rrëfen ajo për gazetën “Si”.

Për  këtë shkak të ardhurat në familjen e saj me katër anëtarë u ulën ndjeshëm dhe për momentin punon vetëm bashkëshorti i Anxhelës.

“Doja të blija dhurata gjatë këtyre festave, por në ndryshim nga vitet e tjera, përveç ndonjë gjëje të vogël për dy fëmijët e mi, nuk mund të blej asgjë tjetër, sepse buxheti është i kufizuar”, pohon ajo.

Vasilika, një shitëse në një treg të frutave dhe perimeve në rrugën e Elbasanit thotë se këtë fundvit ka më pak blerës se sa një vit më pare edhe pse  sipas saj nuk ka ndryshim çmimesh.

 “Ç’të bëjmë! Unë jam pensioniste. Me pension nuk i dilet. Na mbajnë fëmijët, se po të jetë për mua dhe tim shoq nuk do të mbyllnim dot muajin as vetëm me bukë e kafe.”,- shprehet një zonjë, që i ka kaluar të 70-at.

“Njerëzit nuk blejnë se nuk kanë lekë. Nuk është se ka rritje çmimesh. Malli është i vendit dhe jo i importit se nuk ka pasur import këtë vit për shkak të pandemisë. Por nuk kemi ç’bëjmë. Pandemia ka ndikuar shumë.”, –thotë një shitës.

Të njëjtën mendim ndan edhe një tjetër blerëse.

“Në familjen time jemi pesë vetë. Punoj vetëm unë dhe im shoq, por të ardhurat tona nuk i kalojnë 7,000 lekë në muaj. Jemi me shtëpi me qira, ndërsa një nga fëmijët është i sëmurë. Llogariteni vetë: qiraja, dritat, uji… Sa mbeten pastaj për të shpenzuar?! Është varfëri e madhe. Ka qenë dhe më parë, por tani njerëzit e ndiejnë edhe më tepër, pasi shumë vetë kanë pakësuar të ardhurat ose kanë humbur punën.”,- shprehet ajo.

Që nga shpërthimi i epidemisë në muajin mars në Shqipëri janë regjistruar mbi 54 317 raste pozitive me COVID-19 dhe kanë humbur jetën 1117 persona. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT, gjatë tremujorit të dytë të 2020-tës, Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit ra në – 10.2 përqind. /Gazetasi

K.T.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan