Kryeministri Edi Rama përmes një statusi në rrjetet sociale shprehet se Shqipëria u listua sot në tregjet ndërkombëtare të kapitalit për blerjen e Eurobondit, ndërsa paralajmëron se do të ketë sukses për disa arsye.

Sot paradite Shqipëria u listua në tregjet ndërkombëtare të kapitalit për blerjen e Eurobondit dhe ne do të kemi sukses në këtë operacion,pikërisht sepse ekonomia,financat e qeverisja jonë,janë krejt e kundèta e atyre që thotë pasqyra e dëshpërimit të opozitës sonë rrugëhumbur!

Edi Rama

Ligji kaloi me shpejtësi jo të zakonshme në Parlament të enjten, ku u depozitua si projektligj vetëm më 17 shtator. Kjo lidhet edhe me faktin se, sipas njoftimeve zyrtare, vitin e ardhshëm shteti shqiptar do të ndodhet përballë një nevoje likuiditeti shtesë prej të paktën 700 milionë eurosh.

Qeveria mendon se emetimi i eurobondit në tregjet ndërkombëtare në vitin 2018, me madhësi maksimumi deri në 500 milionë euro, me afat maturimi 5-10 vjet vlerësohet si mënyra optimale si për të plotësuar nevojat për financim për dy vitet në vijim, ashtu edhe për të mundësuar optimizimin e menaxhimit aktiv të detyrimeve të borxhit në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme. 

Në këtë eurobond synohen të futen disa elemente të reja si zgjerimi i formatit për të rritur aksesin në tregjet e SHBA-ve përveç tregjeve evropiane.