Gjatë një prononcimi për mediat, jashtë sallës së Kuvendit, Peza tha se sulmet në adresë të tij nuk kanë qenë një betejë për të vërtetën. Ai theksoi se pasuria prej 1.13 miliard lekë me të cilat bleu aksionet në një bankë private, është siguruar nga kursimet.
Peza shtoi se në vitet e tij si gazetar dhe drejtues i disa mediave, ka marrë paga të larta, ndërsa nuk kurseu kritikat as për gazetarët, të cilët sipas tij nuk e kanë kontaktuar për të mësuar të vërtetën e pasurisë.
"Unë bëra një status në Facebook para katër ditësh dhe thash që dokumentet e mia janë në ILDKP. Kjo është një betejë më shumë se politike. Dhe PD nuk tha asgjë, s'tregoi asnjë provë. S'ishte asnjë betejë morale, se të ishte, gazetarët, ju ish-kolegët e mi, mos shkofshit në ILDKP të paktën të shkonit në zyrën e pronarit tuaj dhe t'i pyesnit, ky Peza kur punonte te Vizion + pse e kishte 10 mln lekë rrogën, kur ishte te Ora News pse merrte mijëra euro, kur punonte te Shekulli pse paguhej kaq shumë. Kjo është beteja e ziliqarëve për lekët e mia.
Ju nëse do të donit, mund të vinit të kontaktonit mua, kolegun tuaj. Askush s'e ka marrë bashkëshorten time në telefon e t'i thotë dua një prononcim. Kur isha gazetar më adhuronit, tani që jam në politikë më sulmoni.
Kam 28 vjet të punoj. Bashkëshortja ime ka përfunduar studimet në '94-ën dhe ka 23 vjet që punon. Pra, kemi 51 vjet që punojmë", tha Peza.
Peza akuzoi dhe kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, se deklaroi pasuri marramendëse kur ishte vetëm 30 vjeç dhe me më pak vite pune se ai.
"Lulzim Basha ka deklaruar pasuri mbi 1 milionë euro, 300 mijë dollarë më shumë se unë. Kjo është beteja kundër modelit tim në politikë. Unë kam qenë i pari kandidat për deputet i Rilindjes, model i ardhur nga Shoqëria Civile, media profesionit, si një njeri që ka deklaruar që në sekondën e parë pasuritë e tij. Modeli im është modeli i atij njeriu që ka punuar 24 orë si një profesionit i vetëm. S'kam bërë asnjë ditë pushim", shtoi ai.
Deputeti socialist shtoi gjithashtu se ILDKP ka nisur verifikimet për pasurinë e tij, ndërsa për deputetët e akuzuar për trafik droge dhe prostitucion nuk është nisur asnjë hetim.
"Nëse unë do të kisha qenë një deputet i ardhur si trafikant droge, prostitutash, nuk do isha sot në hetim. A keni dëgjuar ju për deputetë të akuzuar për trafik droge e trafik prostitucioni, të vihet në hetim dhe t'i kontrollohet pasuria si Alfred Pezës? Nuk ka ndodhur, dhe as nuk ka për të ndodhur. PD u habit nga pasuria ime. Ata që kanë qindra mijëra herë pasuri më shumë se unë. Ata janë tmerruar prej lirisë time për të deklaruar të gjithë pasurinë time në çdo kohë. Sepse ata nuk e deklarojnë pasurinë e tyre, hynë me pantallona të grisura në politikë dhe u pasuruan. Unë e kam deklaruar pasurinë për 15 vjet me radhë", tha Peza.
Deputeti socialist tha se PD sulmon Alfred Pezën sepse kërkon të fshehë krimet e djalit të Sali Berishës në megaaferën CEZ.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com