Blinken në Egjipt për bisedime mbi armëpushimin në Rripin e Gazës

Është bërë përparim në një propozim për marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës gjatë muajit të fundit, por tani Izraeli dhe Hamasi duhet të tregojnë "vullnet politik" për të arritur një marrëveshje mes tyre, tha të mërkurën Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

“Në marrëveshje janë 18 paragrafë, për 15 prej tyre është rënë dakord. Por çështjet e mbetura duhet të zgjidhen”, tha zoti Blinken gjatë një konference të përbashkët shtypi në Kajro me ministrin e Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty.

Zoti Abdelatty u tha gazetarëve përmes një përkthyesi se Hamasi ka konfirmuar angazhimin e tij të plotë ndaj marrëveshjes së armëpushimit të arritur më 27 maj dhe ndaj ndryshimeve të bëra më 2 korrik.

Të mërkurën, Sekretari i Shtetit Blinken dhe Ministri i Jashtëm Abdelatty zhvilluan bisedime në të cilat diskutuan nevojën urgjente për armëpushim në Rripin e Gazës dhe në Sudan.

Në Kajro, Sekretari Blinken zhvilloi bisedime edhe me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi.

Bisedimet disamujore të zyrtarëve amerikanë me Egjiptin dhe Katarin, që po ndërmjetësojnë negociatat mes Izraelit dhe Hamasit, nuk kanë sjellë një marrëveshje për t’u dhënë fund luftimeve. Negociatat janë përqendruar në një propozim, që përfshin ndërprerjen e luftimeve dhe lirimin e pengjeve, që ende po mbahen nga militantët e Hamasit në Rripin e Gazës.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë një afat kohor për propozimin e rishikuar, megjithëse zyrtarët amerikanë janë shprehur se ai do të paraqitet së shpejti.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, u tha gazetarëve të hënën se “Ne vazhdojmë të angazhohemi me partnerët tanë në rajon, veçanërisht me Egjiptin dhe Katarin, lidhur me propozimin dhe përpjekjet për ta përmirësuar atë në mënyrë që të marrë mbështetjen e palëve dhe të çojë në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.”

Përpjekjet për arritjen e një armëpushimi mund të ndikohen nga shpërthimet vdekjeprurëse të pajisjeve komunikuese “pager” të anëtarëve të grupit militant Hezbollah në Liban.

Shpërthimet ndodhën disa orë pasi Izraeli njoftoi zgjerimin e qëllimit të luftës së tij kundër Hamasit, duke përfshirë edhe operacionet për kthimin e banorëve të Izraelit verior në shtëpitë nga të cilat ata u evakuuan për shkak të përleshjeve mes trupave izraelite dhe militantëve të Hezbollahut përgjatë kufirit të Izraelit me Libanin.

Hezbollahu, një aleat i Hamasit, filloi sulme pothuajse të përditshme ndaj Izraelit menjëherë pas fillimit të luftës në Rripin e Gazës, duke detyruar dhjetëra mijëra njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Grupi i Hezbollahut, i cili ashtu si Hamasi mbështetet nga Irani, ka thënë se do t’i ndalë sulmet vetëm pas arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi për Gazën. Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera perëndimore.

Takimi i OKB-së

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së rihapi të martën një takim urgjent për situatën në Rripin e Gazës.

Delegacioni palestinez ka kërkuar që ky organ të hedhë për votim një rezolutë, që synon të detyrojë Izraelin t'i japë fund pushtimit të tokave palestineze brenda 12 muajsh dhe të vendosë sanksione ndaj atyre që janë "të angazhuar në ruajtjen e pranisë së paligjshme të Izraelit" në territoret palestineze. Rezoluta gjithashtu u bën thirrje vendeve të "ndërmarrin hapa" drejt përfundimit të furnizimit të Izraelit me armë, që mund të përdoren në zonat palestineze.

Delegacioni palestinez po përpiqet të shfrytëzojë prirjen pozitive nga një opinion i lëshuar në korrik nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që tha se aneksimi dhe pushtimi i territoreve palestineze është i paligjshëm dhe ligjet dhe politikat diskriminuese të Izraelit kundër palestinezëve "përbëjnë aparteid”.

Ne jemi të përkushtuar ndaj sundimit të ligjit ndërkombëtar dhe paqes së drejtë dhe të qëndrueshme në rajonin tonë”, tha i dërguari palestinez Riyad Mansour. “Kjo kërkon garanci që të njëjtat rregulla të zbatohen për të gjithë. Të mos ketë asnjë paragjykim apo standarde të dyfishta. Dhe të mos ketë asnjë përjashtim.”

Izraeli kritikoi opinionin e gjykatës dhe ambasadori i tij u kërkoi vendeve të OKB-së të mos mbështesin rezolutën e propozuar.

“Kushdo që e mbështet këtë cirk është një bashkëpunëtor i nxitësve të dhunës”, tha në takim ambasadori Danny Danon. “Çdo votë që ju jepni në mbështetje të këtij cirku nxit dhunën.”

Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje gjithashtu vendeve që të votojnë kundër projekt-rezolutës.

"Kjo rezolutë nuk ofron asnjë shpresë apo rrugë përpara", tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield. “Miratimi i saj nuk do të shpëtojë jetë palestineze, nuk do t'i kthejë pengjet në shtëpi, nuk do t'i japë fund vendbanimeve izraelite dhe nuk do të ringjallë procesin e paqes”, shtoi ajo në diskutimin mbi projekt-rezolutën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht detyruese, por ato mbajnë peshën e komunitetit ndërkombëtar. Më shumë se 90 vende planifikojnë të flasin në debat dhe një votim mbi këtë pritet të bëhet të mërkurën. Analistët thonë se rezoluta ka të ngjarë të miratohet.

Hamasi shkaktoi konfliktin me sulmin e tij të tetorit 2023 në Izraelin jugor, në të cilin u vranë 1200 njerëz dhe u rrëmbyen 250 të tjerë. Në kundërofensivën e Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 41,200 palestinezë. Izraeli thotë se në mesin e të vrarëve janë mijëra militantë të Hamasit./VOA

S.B/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë