Ndërsa Rusia përfaqëson një kërcënim të menjëhershëm, kërcënimi afatgjatë që paraqet Kina për rendin global është më serioz, tha Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Antony Blinken.
Antony Blinken mbajti të enjten (26.05) një fjalim që synon të mbledhë komunitetin ndërkombëtar për të penguar dhe kundërshtuar Kinën, të cilën SHBA e sheh si një kërcënim afatgjatë për stabilitetin global. Gjatë fjalimit në Universitetin George Washington Blinken u përpoq të vendoste një ekuilibër midis interesave konkurruese ekonomike dhe ushtarake duke përshkruar politikën e qeverisë së SHBA-së ndaj Kinës. Blinken tha se "Kina është i vetmi vend që ka synimin, si dhe mjetet ekonomike, teknologjike, ushtarake dhe diplomatike për të çuar përpara një vizion të ndryshëm të rendit ndërkombëtar."
SHBA e sheh Rusinë si një rrezik aktual dhe të menjëhershëm për rendin global. Kurse në aspektin afatgjatë, SHBA e konsideron Kinën si më të aftë se Rusia për të prishur sigurinë ndërkombëtare. "Themelet e rendit ndërkombëtar janë në një rrezik serioz dhe të vazhdueshëm," tha Blinken.
Përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën, ajo nënshkroi një pakt sigurie "pa kufij" me Kinën. Të dy vendet lëshuan një deklaratë të gjatë në lidhje me natyrën e bashkëpunimit, ndëkohë që përkthimi i deklaratës në gjuhën angleze nga Kina nuk i përfshinte formulimet e përdorura Moska në lidhje me NATO-n si kërcënim dhe kundërvënien ndaj saj.
Cili ishte qëllimi i fjalimit të Blinken mbi politikën e SHBA-së për Kinën?
SHBA kërkon të përdorë një sërë mjetesh për të kundërshtuar dhe penguar Kinën, duke përfshirë miqtë dhe aleatët e saj të shumtë, si dhe burimet e saj të konsiderueshme ushtarake si dhe burime të tjera.
Zyrtarët amerikanë pranojnë se nuk kanë shumë mjete për të formësuar dhe ndikuar në qëllimet e Kinës, prandaj në vend të kësaj, SHBA-të janë të interesuara për të formësuar mjedisin strategjik rreth Kinës në të cilin udhëheqësit në Pekin duhet të marrin vendime.
Politikë më konfrontuese ndaj Kinës
Kryediplomati amerikan theksoi se koalicioni i krijuar për t'iu kundërvënë Rusisë në Ukrainë paraqet një model të shkathët dhe me burime të mira për të përballuar sfidat e ardhshme nga Kina. "Duke e penguar Putinin të arrijë qëllimet e tij, ne besojmë se po forcojmë shumë dorën tonë për të mbrojtur dhe mbështetur këtë rend kundër sfidave nga të tjerët”, tha Blinken. "Vendet e botës kanë shmangur një luftë tjetër botërore dhe një konflikt midis fuqive bërthamore."
Pas goditjeve autoritare ndaj ujgurëve në Xinjiang dhe aktivistëve të demokracisë në Hong Kong, si dhe në Tibet dhe Detin e Kinës Jugore, administrata e Bidenit ka ndjekur kryesisht një politikë më konfrontuese ndaj Kinës në krahasim me politikën nën administratën e Trumpit. Blinken përmendi në fjalimin e tij veçanërisht ujgurët, kundër të cilëve Pekini sipas akuzave të SHBA po kryen gjenocid./DW