Rithemelimi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka lejuar kontrabandën e naftës ruse në portet shqiptare duke iu referuar rastit më të fundit të kapjes së anijes që transportonte 22.500 tonë naftë në portin e Durrësit.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Rithemelimit, Floriana Garo tha se kapja e kësaj anije nuk mund të konsiderohet punë e mirë e policisë pasi dhjetëra anije të tjera lejohen të vazhdojnë shkarkimin.

Ajo tha se kryeministri, Rama ndryshe nga sa shfaqes si mbështetës i perëndimit, lejonte naftën ruse në portet e vendit tonë.

“Kapja e kësaj anijeje nuk mund të duartrokitet si punë e mirë e organeve ligjzbatuese, sepse siç dëshmojnë raportet mediatike dhe konfidenciale, për çdo anije të kapur disa dhjetëra lejohen të vazhdojnë shkarkimin. Anija e kapur me mijëra tonelata naftë vinte nga Rusia, një vend në sanksionet e ShBA dhe Bashkimit Europian.

Anijet me naftë ruse, apo nga zonat nën embargo si Libia e Siria, nuk janë tashmë një lajm i ri për kronikën policeske dhe mediatike. Me sa duket, Rama me oligarkët e tij e kanë në gojë Perëndimin sa për sy faqe, por pas shpine, sa herë u jepet rasti dhe për përfitime personale, bëjnë pakte me të gjithë armiqtë e vendeve të lira”-tha Garo mes të tjerash.

Sipas saj, hapja e portit të Durrësit dhe Adriatikut që Moska e ka ëndërr shekullore, është një tradhëti e dyfishtë kombëtare që i bëhet vendit.

Në 20 shkurt, u bë i ditur lajmi se 6 milje larg portit të Durrësit prej ditësh ishte bllokuar nga autoritetet, anija çisternë "Grace Felix" me 22.500 ton naftë kontrabandë në bordin e saj. Anija kishte destinacion "Romano Port" ku do të shkarkonte ngarkesën për llogari të kompanisë shqiptare "Bella Gaz" me pronar Ilir Bellën.