Bizneset dhe kontabilistët ngrenë shqetësimin se urdhrat për bllokim të të gjitha llogarive, përfshirë edhe valutën, për rastet kur rezultojnë debitorë, po shkaktojnë vështirësi për mbarëvajtjen e aktivitetit. Problem janë edhe procedurat e zhbllokimit, që nuk realizohen automatikisht pas pagesës së detyrimit të pashlyer, por kërkon mbërritjen fizike të një urdhri nga institucioni tatimor pranë bankës. Propozohet rishikim procedurash.

Drejtuesi i një klinike fizioterapie rezultonte debitor për një detyrim të papaguar ndaj Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore të Bashkisë së Tiranës (DTTV), në vlerën 4,800 lekë për vitin 2025.

Megjithatë, pavarësisht se në llogarinë e tij disponoheshin fonde me vlerë rreth 57,000 lekë, biznesi nuk po arrinte të kryente asnjë pagesë, përfshirë një transfertë prej 10 mijë lekësh për një zyrë kontabiliteti, pasi llogaria rezultonte plotësisht e bllokuar.

Nga pamundësia për kryerjen e një transaksioni, ai arriti të kuptojë bllokimin e llogarisë bankare. Pas interesimit të biznesit, rezultoi se bllokimi ishte kryer në bazë të një urdhri të lëshuar nga Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore, përmes Drejtorisë së Mbledhjes së Detyrimeve.

Pas kryerjes së pagesës të detyrimit të papaguar, llogaria e biznesit do të zhbllokohej vetëm pas mbërritjes fizike të urdhrit të zhbllokimit, nga taksat vendore në sistemin e institucionit financiar. Ai ngre shqetësimin se e gjithë kjo procedurë i mbajti të pezulluar për disa ditë kryerjen e pagesës për një palë tjetër.

Rasti i klinikës së fizioterapisë, jo vetëm ka nxjerrë në pah problematikat që bizneset hasin nga urdhrat e bllokimit të llogarive bankare për detyrime tatimore dhe vendore të papaguara, por ka hapur edhe debatin mbi nevojën për rishikimin e procedurave të bllokimit dhe zhbllokimit të llogarive.

Kontabilisti Armand Mala tha për “Monitor” se janë disa problematika që bizneset hasin, pas lëshimit të një urdhri për bllokim të llogarive bankare, nga administrata tatimore apo drejtoritë e tatim-taksave vendore, për mosshlyerje detyrimesh.

“Së pari, është bllokimi i llogarive bankare në çdo valutë, ku përveç bllokimit të shumës së detyrimit në llogarinë në Lek kërkohet edhe bllokimi për llogaritë në valutë. Me bllokimin e tyre, biznesit nuk i mundësohet konvertimi brenda llogarive në monedhë të huaj për të plotësuar shumën e papaguar, dhe për të kryer pagesën, por domosdoshmërisht duhet të paraqiten pranë institucioneve financiare për të kryer pagesën.

Së dyti, problem për biznesin mbetet edhe procedura e zhbllokimit, e cila nuk është automatike. Institucionet financiare për zhbllokimin e llogarive duhet të presin që në sistemin e tyre të mbërrijë fizikisht urdhri për zhbllokim llogarie.

Pra, edhe pasi nga subjektet kryhet pagesa për detyrimin e papaguar, llogaria zhbllokohet vetëm pas mbërritjes së urdhrit fizik pranë institucionit financiar. Si procedurat aktuale të bllokimit dhe zhbllokimit të llogarive krijojnë shpesh vonesa në pagesa dhe pengesa operacionale në aktivitetin e përditshëm të bizneseve”, thotë Mala.

Çfarë kërkohet në një urdhër-bllokimi të lëshuar nga taksat dhe tarifat vendore; Sa zgjasin procedurat për zhbllokim

Para nisjes së urdhrit për bllokim llogarie, nga Tatimet ezaurohen të gjitha procedurat për të njoftuar biznesin për pagesën e detyrimit të pashlyer.

Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore (DPTTV) sqaron për “Monitor” procedurat që ndiqen para lëshimit të një urdhri për bllokimin e llogarive.

“Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, në funksion të mbledhjes së detyrimeve të papaguara nga subjektet debitore ndjek hapat e përcaktuar në Udhëzimin e përbashkët numër 17, datë 20.6.2022, ‘Për përcaktimin e uniformitetit minimal të standardeve procedurale për mbledhjen e detyrimeve të taksave e tarifave vendore’, duke përfshirë hapa të tillë si ‘njoftim kërkesë-pagesa’, ‘urdhër bllokimi i llogarive bankare’, ‘urdhër ekzekutimi’, ‘njoftim i përgjithshëm për vendosjen e barrës siguruese dhe hipotekore’ dhe vendosje të këtyre barrëve mbi pasuritë e luajtshme e të paluajtshme të subjektit debitor, etj. Procedura ndiqet sipas rendit dhe afateve të përcaktuara në këtë udhëzim”.

Më tej, DPTTV sqaron se në urdhrin e bllokimit të llogarive bankare për subjektet debitore, kërkohet bllokimi vetëm për vlerën e debisë që dërgon institucioni. Vlera e debisë që kërkohet të bllokohet jepet e detajuar, sipas llojit të taksës, ndërsa urdhri iu dërgohet 11 bankave në vend.

“Urdhri i bllokimit të llogarive bankare të taksapaguesit iu dërgohet të gjitha bankave të nivelit të dytë, në të cilat taksapaguesi, mund të ketë llogaritë e tij. Urdhri i bllokimit përmban domosdoshmërisht të dhënat e mëposhtme: a) identitetin e taksapaguesit (personit juridik, fizik tregtar, individ), llogaritë e të cilit preken nga dalja e këtij urdhri; b) shkakun e nxjerrjes së tij; c) shumën që bankat duhet të bllokojnë. Detyrimi është në vlerën totale të debisë, por edhe i detajuar sipas llojit të taksave dhe viteve”, shpjegon DPTTV.

Sipas një urdhri që “Monitor” disponon, të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, 11 bankave të nivelit të dytë u është kërkuar bllokimi i llogarive bankare në masën e detyrimit të papaguar, ndaj një biznesi që rezulton debitor.

Urdhri i lëshuar parashikon bllokimin e llogarive në Lek dhe valutë në masën e debisë, kalimin e shumës së detyrimit në llogarinë e institucionit brenda tri ditëve dhe ndalimin e transferimeve jashtë vendit deri në shlyerje. Ai mbetet në fuqi edhe për llogari të reja të hapura nga subjekti.

Në urdhër thuhet se subjekti rezulton me detyrime të papaguara në shumën prej rreth 121,2 mijë lekësh ndaj Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, që përfshijnë taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe tarifën e pastrimit për vitin 2025, si dhe gjobat dhe kamatëvonesat, të cilat vijojnë të llogariten deri në shlyerjen e plotë të detyrimit.

Shqetësimi i biznesit lidhet me faktin se, edhe pasi ata kryejnë pagesën e detyrimeve dhe shlyejnë borxhet, llogaritë bankare nuk zhbllokohen menjëherë. Sipas tyre, bankat kërkojnë ende një urdhër fizik nga institucioni për të konfirmuar pagesën dhe për të hequr bllokimin, gjë që sjell vonesa dhe pengesa në aktivitetin e përditshëm.

Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore thotë se procedura e ndjekur prej saj parashikon që, pas likuidimit të detyrimeve nga subjekti, zhbllokimi i llogarive bankare kryhet brenda dy ditëve pune. Njoftimi përkatës dërgohet në bankat e nivelit të dytë me shkresë fizike përmes postës.

“Për subjektet që kanë likuiduar detyrimet, procedohet me zhbllokimin e llogarive bankare, si rregull brenda dy ditëve punë. Shkresa dërgohet me postë në bankën/bankat përkatëse të nivelit të dytë”, pohon DPTTV./Monitor