HIMARE - Dy turiste gjermane janë shpëtuar nga policia pasi kishin humbur rrugën në kanionet e Gjipesë. Dy turistet J.M dhe K.U, 37-vjeçare, po eksploronin zonën malore të Kanionit të Gjipesë në Himarë, por gjatë natës kanë humbur rrugën e kthimit duke mbetur të bllokuara. Ato kërkuan ndihmën e policisë, ndërkohë që menjëherë u angazhuan jo vetëm shërbimet e policisë në Himarë, por edhe FNSH dhe zjarrfikëset e bashkisë.

Pas marrjes së informacionit, policia ka nisur aksionin për shpëtimin e tyre që ka zgjatur rreth tre orë. Të dyja turistet nuk kanë pësuar asnjë lëndim dhe ndodhen në gjendje t ëmirë shëndetësore.

Aksioni ka qenë i vështirë për shkak të terrenit, ndërkohë që nga sa raportohet nga policia, ndërhyrja është bërë duke i nxjerrë me litar.

Turistet gjermane kanë falënderuar Policinë dhe zjarrfikësit për angazhimin dhe ndihmën e dhënë.

Gjiri i Gjipesë është një terren i vështirë për tu eksploruar dhe tërheq më së shumti turistët e huaj, që për ta vizituar nuk zgjedhin rrugën nga deti me mjete motorike, por preferojnë ta përshkojnë në këmbë përmes rrugës malore.