TIRANE- Një avion sportiv që ndodhej në hambarin e një fshatari në zonën e aerodromit ushtarak të Gjadrit dhe që dyshohet se është pronë e një diplomati austriak në Tiranë, është sekuestruar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Vendimi, për sekuestrimit është marrë fill pas dyshimeve se avioni në fjalë ka bërë ngritje dhe ulje në pistën ushtarake të Gjadrit. Lidhur me këtë çështje pak ditë më parë në prokurori është thirrur për të dëshmuar zyrtari i ambasadës së Austrisë, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ku mësohet se ka deklaruar që avioni sportiv është në pronësi të tij dhe se ai e përdorte vetëm për qëllime personale dhe jo kriminale. Por dyshimet janë se ky avion është ngritur nga pista e Gjadrit disa herë, ndaj dhe është vënë nën sekuestrim. Masa e sekuestros prenventive sipas prokurorëve do të vijojë të qëndrojë deri në sqarimin e plotë të dyshimeve që kanë lindur për këtë avion. Sipas diplomatit austriak, avioni kishte dy vite që nuk ishte ndezur dhe qëndronte në hangar.

Montimi në Gjadër
Avioni është sekuestruar në ambientet e një hangari që është në pronësi të shtetasit të quajtur Paulin. Gjatë marrjes në pyetje, ky i fundit ka treguar se avioni është montuar në pistën e Gjadrit, me pjesët e sjella nga Italia dhe Sllovenia.

Për montimin e tij është marrë një inxhinier i ish-forcave ajrore shqiptare. Ai ka shpjeguar se pjesët e avionit janë sjellë dhe montuar në vitin 2009, ku është ngritur disa herë në fluturim nga pilotë shqiptarë dhe vet diplomati austriak. Nga verifikimi i dokumentacionit, sipas akuzës rezulton se ka parregullësi në lidhje me zhdoganimin e avionit. Diplomati austriak, gjatë marrjes në pyetje ka pranuar se ka fluturuar disa herë nëpër Shqipëri. Por 2 vitet e fundit avioni nuk është përdorur sipas tij.

Pyetja e inxhinierit
Të njëjtat fakte ka deklaruar edhe inxhinieri që ka montuar avionin. Sipas dosjes, edhe Autoriteti i Aviacionit Cvil dhe Alb-kontrolli, kanë konfirmuar fluturimet e avionit të diplomatit austriak, duke dhënë sqarime se leja është marrë për të fluturuar vetëm mbi bregdetin shqiptar. Aktualisht prokuroria është vënë në kërkim të një avioni tjetër të vogël, të regjistruar në emër të një shtetasi shqiptar, avioni i cili rezulton se ka fluturuar disa herë nëpër Shqipëri.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)