ATHINE- Vendimin e qeverisë greke për tregtimin e produkteve ushqimore të skaduara, të cilat do të tregtohen me çmime disi më të ulëta nga të tjerat, e ka komentuar me një mënyrë sarkastike Leonid Bersinski në një artikull të tijin në agjencinë “Bloomberg” me titull “Supermarketet greke lejohen të shesin të skaduara!”.
 
“Greqia po përjeton vitin e gjashtgë të krizës së rëndë ekonomike dhe tashmë në supermerkato lejohet tregtimi i ushqimeve edhe pasi ka kaluar data e skadencës së tyre për konsumim. Nga data 2 shtator, dyqanet do të mund të ndajnë ushqimet e skaduara, të cilat do të shiten më lirë nga të tjerat”, nënvizon gazetari.

“Masa u  bë për t’u ardhur në ndihmë si tregtarëve të pakicës, të cilët janë goditur pa mëshirë nga kërkesa e ulët, por edhe vetë konsumatorët. Në të njëjtën kohë analistë të revoltuar grekë të shtypit kanë kritikuar këtë lëvizje të qeverisë konservatore, si një kujtesë të rreptë për qytetarët të vijës ndarëse ndërmjet të pasurve dhe të varfërve!”, thuhet në artikull.
 
“Grekëve iu mori shumë kohë që të ndërgjegjësohen se ajo ç’ka i ndodhi ekonomisë së vendit ishte rezultat direkt i faktit që jetuan përtej mundësive të tyre. Raftet e reja me produktet e skaduara kanë të bëjnë më tepër me varfërinë sesa me pabarazinë”, mbyll artikullin e tij Leonid Bersinski.
 
Ndërkohë njëri nga komentet që shoqëron artikullin thotë tekstualisht: “Le të mësohen dhe grekët të konsumojnë ushqime të skaduara, ashtu si qytetarët e vendeve të treta dhe të Afrikës”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)