Blushi-Kumbaros:Sqaroni njerëzit
për zhvarrimin e Kodrës, flisni me ta

Blushi-Kumbaros:Sqaroni njerëzit<br />për zhvarrimin e Kodrës, flisni me ta
TIRANË - Debati mbi zhvarrosjen e eshtrave të piktorit Ibrahim Kodra është diskutuar dje në Komisionin e Politikës së Jashtme. Deputeti socialist Ben Blushi i ka kërkuar shpjegime ministres së Kulturës Mirela Kumbaro mbi çështjen në fjalë. Ben Blushi i ka kërkuar të tregojë testamentin që mund të ketë lënë Ibrahim Kodra.

“Dini gjë, se unë s’e kuptoj mirë kush ka të drejtë. Kam parë që banorët  e zonës kanë një ndjeshmëri aty deri diku të arsyeshme. Ata pretendojnë që personazhi artistik në këto raste kthehet një avantazh ekonomik për zonën”, tha Blushi.

Ndërsa ministrja Kumbaro është shprehur se Ibrahim Kodra ka lënë testament noterial për t’u varrosur në Tiranë, Ben Blushi nuk i ka kursyer dozat e ironisë ndaj përgjigjes së ministres së Kulturës, duke u shprehur se “Pyetja ime është: Ju jeni duke zbatuar amanetin e të ndjerit apo amanetin e atyre që kanë administruar amanetin e të ndjerit.” Blushi është shprehur skeptik për ekzistencën e një testamenti, duke debatuar me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro. “Nga ana tjetër qeveria pretendon që duhet varrosur në Tiranë, apo jo. Unë nuk e di kush është amaneti nga këto. Unë besoj se kushdo do të kishte qejf që të bëhej çfarëdo me një figurë si Ibrahim Kodra, derisa nuk ka lënë një gjë të shkruar. Bën përjashtim nëse na e keni dhënë një gjë të shkruar”, i tha Blushi Kumbaros, ndërsa ka ironizuar jo pak edhe faktin që Kodra të jetë pranë Fishtës. “Nga ana tjetër dua një arsyetim nga ju, edhe ne qoftë se vendimi është për ta sjellë në Tiranë dhe për t’i dhënë një përmasë të madhe kombëtare, ka një  përplasje të papërshtatshme, pse ta bëjmë “pis” një njeri si Ibrahim Kodra duke u përplasur, u duhet thënë një shpjegim këtyre njerëzve pse bëhet e si do të bëhet”, tha Blushi duke shtuar nëse Ibrahim Kodra mendohej se ishte i barabartë nga vlerat me Faik Konicën. “Është nderim për figurën e Ibrahimi Kodrës që të varroset pranë
vëllezërve Frashëri dhe Faik Konicës,” ka thënë Kumbaro.

“Më falni ju keni vendosur që ta varrosni bashkë me Faik Konicën, e pyeti Blushi ministren Kumbaro, duke shtuar se “Do të thotë që i ndjeri ka të njëjtën vlerë me Faik Konicën”. “Unë nuk hyj të bëj barazinë e vlerave”, tha Kumbaro. “Po ju po e bëni”, debatoi Blushi. Ndërsa protestat e banorëve të Ishmit, të cilët disa ditë rresht kundërshtojnë zhvarrosjen e eshtrave të Kodrës me pretendimin se amaneti i tij ishte të prehej në vendlindje, Kumbaro i ka quajtur një reagim emocional. “Në këto vite në Ishëm nuk është bërë asnjë aktivitet. Do të vendosim memorial në Ishëm, jemi në kontakt me komunitetin dhe administratorin,“ është shprehur Kumbaro.

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Inter, presidenti Zhang letër tifozëve: Klubi është në rrezik, sjellja e Oaktree zhgënjyese

Inter, presidenti Zhang letër tifozëve: Klubi është në rrezik, sjellja e Oaktree zhgënjyese