Deputeti socialist Ben Blushi e ka konsideruar mbledhjen e grupeve parlamentare në praninë e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, si tallje për klasën politike shqiptare.

Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Blushi tha se ambasadorët kanë vendosur të mbledhin grupet parlamentare për t'i bindur për reformën dhe kjo sipas tij tregon se politikanët shqiptarë po detyrohen ta bëjnë atë.

"Klasa politike po e saboton qëllimisht reformën. Ambasadorët kanë vendosur të mbledhin grupet për t'u caktuar punën dhe oraret e punës. Ato kanë vendosur ta mbledhin parlamentin jashtë kësaj salle. Në një kuptim dhe në cdo kuptim nga kjo ditë ky parlament ka humbur legjitimitetin evet. Fatmirësisht ajo që po ndodh është që të huajt nuk po na lënë vetëm," tha Blushi.

Por sipas tij çmimi i kësaj reforme është tallja nga ndërkombëtarët dhe shqiptarët me klasën politike.

"Kjo mbështetje për reformën në drejtësi ka një çmim. Çmimi është tallja me ne. Çmontimi i këtij parlamenti, përçmimi i kësaj klase politkke dhe në fund fare shfarosja si specie e kësaj klase politike. Jemi shumë afër shafarosjes, proces që shqiptarët nuk e bën dot me vot, por kjo do bëhet përmes reformës në drejtësi. Shqipëria do jetë më mirë kur ne të ikim. A është ky çmimi i merituar? Nëse pyesim shqiptarët janë të gjithë dakort se ne e meritojmë të tallemi," u shpreh ai.

Sipas Blushit nëse reforma në drejtësi do të kalojë, do të shërbejë për të ndaluar shpopullimin e Shqipërisë dhe zmbrapsjen e vendit nga politikanët. Blushi tha se parlamenti ka qenë besnik i parimeve esadiste, kundër interesit kombëtar, por që po shënon fundin me ndihmën e ndërkombëtarëve.

"Ndoshta nëse fuqitë e huaja do marrin në dorë drejtësinë në Shqipëri ka shumë shpresë se politka esadiste të shterojë. Ky parlament ka qenë sadist, por çdo ditë esadist. Ka ecur me këmbëngulje 25 vite në rrugën e Esat Toptanit dhe të jesh esadist do të thotë të jesh kundër interesit kombëtar, kundër atyre që vuajnë që janë të pabarabartë.  Do të thotë të jesh kundër Shqipërisë. Esadistët nuk përkuleshin nëse ndërkombëtarët nuk hynin në lojë. Ky parlament si besnik i parimeve esadiste po shënon fundin e vet me ndihmën e partnerëve," u shpreh Blushi.

Më tej deputeti socialist tha se të huajt po i heqin mundësinë klasës politike të emërojë gjyqtarët dhe prokurorët e vet, pasi parlamenti s'ka dinjitetin për ta bërë.

"Ambasadorët vijnë në grupet tona për të na bindur se duhet të bëjmë drejtësi. Kjo do të thotë se ne nuk duam por po detyrohemi të bëjmë reformën. Kjo është e vërtetë. Kjo është një ditë në të cilën provohet se parlamenti s'ka as dinjitetin as mundësinë për të bërë atë që duhet dhe pritet prej tij. Po tallemi nga ndërkombëtarët dhe nga shqiptarët, të cilët kanë të gjitha arsye të besojnë se ky parlament ka konsumuar orën e fundit. 3 grupet tona duhet të skuqen dhe unë nuk do doja të isha pjesë e asnjërit. Kjo klasë politike e meriton deri në fund këtë tallje. Ky do ishte fundi i fillimit. Të huajt po i heqin mundësinë kësaj klase politike të emërojë gjyqtarët dhe prokurorët e vet. Koha e sadistëve esadist ka përfunduar," deklaroi Blushi.


Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)