MAQEDONI - Deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi është i pari nga politikanët shqiptarë që vizion Kumanovën, pas sulmit të përgjakshëm mes policisë dhe grupit të armatosur të cilësuar nga autoritetet vendase si terrorist, ku humbën jetën edhe civilë, ndërsa bilanci përfundimtar ishte 22 viktima.
 
Blushi është gjendur sot në Lagjen e Trimave, ku shumica e shtëpive janë të shkatërruara nga ajo që u kthye në një luftë të vërtetë të shtunën e dy javëve më parë, ku është takuar me banorët e kësaj zone.  
 
Deputeti i PS e ka cilësuar si të pabesë shtetin maqedonas.

“Jam këtu për të parë ç’po ndodh me civilët e pafajshëm. Ju kanë cenuar pronat dhe dinjitetin njerëzor. Ju kanë cenuar pabesisht dhe padrejtësisht. Kur shteti është i pabesë, ky është fundi i tij”, ka thënë Blushi.

Ai bëri apel që partitë shqiptare të Maqedonisë të ngrenë zërin për të drejtat e komunitetit shqiptar në vendin fqinj.

A do të ketë mundësi Republika e Maqedonisë të na njohë si qytetar me të drejta të barabarta, kjo është pikëpyetja e të gjithë shqiptarëve dhe një pikëpyetje tjetër është a përfaqësohemi sic duhet? A ka sot shiqptarët e Maqedonisë përfaqësimin e duhur? Shumë thonë që jo..pra duhet që partitë shqiptare të Maqedonisë të ngrenë zërin, të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe të jenë demokratë.