Sipas tij, PD kërkon të armatosë Shqipërinë, ndërsa PS e ka mbytur në borxhe dhe po tenton të gjejë shpëtim te kanabisi.
"PD kërkon të armatosë Shqipërinë, tjetra po e mbyt në borxhe dhe e vetmja mënyrë për të gjetur shpëtim është kanabisi. Shqipëria ka nevojë për një ofertë të re, nuk e di kush do ta japë. Partia Demokratike shkon për armatosje kjo tjetra shkon për kanabis”, u shpreh Blushi, duke theksuar se këto janë arsyet se pse Shqipërisë i duhet një ofertë e re. "Shqipëria ka nevojë për një alternativë të re, nuk e di kush do t’ia japë".
Ai theksoi gjithashtu se Rama ka propozuar për kryesinë e PS vartësit e tij.
Ai e cilësoi kryesinë e re të socialistëve si lavatriçe mediokriteti, ndërsa akuzoi Asamblenë se ratifikoi grabitjen e referendumit me rrëzimin e kërkesës për dorëzimin e materialeve zgjedhore.
“Ka kthyer vartësit e vet në Kryesi. Vartësit e vetë, në pishina, hamame, palma i ka kthyer në Kryesi. Njerëzit që ndriçojnë stadiume, marrin ilaçet e të varfërve.
Kjo s’është kryesi, por lavatriçja e mediokritetit. Sigurisht, kjo ndarje është e qartë sot. Socialistët dolën nga rilindja me vullnet. Rilindja u fut në kryesinë e PS. Si banjat e viteve ’91 me pllaka metalike, kjo është kryesia e PS sot. Kemi kërkuar të dimë sa socialistëve kanë votuar. Kjo Asamble ka ratifikuar grabitjen e referendumit. Janë bërë palë me vjedhjen e Asamblesë. Nuk kemi marrë asnjë shpjegim. Thjesht nuk u votua”, u shpreh Blushi.
Për këto arsye Blushi tha se nuk mund të ishte pjesë e kryesisë së PS.
“Nuk mund të isha pjesë e kësaj kryesie. Kjo s’është kryesia e PS, por e rilindjes. Çfarë është Rilindja? Rilindja është një lavatriçe mediokriteti. S’mund të isha pjesë e saj. Në PS po bëhet tender se kush shan më shumë. I vetmi propozim që ka bërë Rilindja është sesi të legalizohet kanabisi. Rilindësit ndahen në dy palë, krenarist dhe kanabist, e kam thënë edhe më parë”, tha ai.
I pyetur për kandidimin e Koço Kokëdhimës në postin e Sekretarit për Reformën dhe Emigrantët, Blushi e cilësoi rikthim të tij nga koha e Partisë së Punës.
“Kokëdhima ka 30 vjet që pret të kthehet, u rikthye. Dhe Edi Rama ia dha këtë mundësi, se ai ka qenë Sekretar. Ndaj, nuk u jap mundësi të votoj. Kjo është marrja pa votë, në mënyrë arbitrare e një partie normale. PS kishte një projekt politik që në disa raste votohej e në disa raste jo. Shqiptarët nuk mund të jenë të heshtur ndaj kësaj gjëje”, tha ai.
Dorëheqjen nga kryesia të Arta Dades dhe Namik Dokles, Blushi e komentoi si vendim të socialistëve të vërtetë për të mos qenë pjesë e kryesisë së Rilindjes.
“Socialistët e vërtetë nuk pranuan që të ishin pjesë e një kryesie të Rilindjes. Falenderoj znj.Dade dhe z.Dokle, të dy thanë se s’duam të jemi pjesë e kësaj. S’janë dakord me këtë që po ndodh sot në PS, me këtë manipulim votash, me këtë mediokritet monumental që ka rilindja. Ky mediokritet po shkatërron Shqipërinë, po e zhyt në borxh dhe korrupsion çdo ditë. Kjo është kryesia e PS”, tha ai.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com