Deputeti i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka reaguar me një deklaratë publike në vijim të përplasjes politike për çështjen CEZ-DIA dhe hetimet ndaj Ilir Metës. Ai akuzoi se kallëzuesi Romeo Kara është përdorur politikisht nga kryeministri Edi Rama, duke vënë në dukje se Kara është dënuar më parë për dhunë në familje dhe, sipas tij, ka dhënë dëshmi të pavërteta në procese të tjera.

Blushi theksoi se këto rrethana e bëjnë Karën një kallëzues të pabesueshëm në çështjen ndaj Metës. Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje për moshetimin e pretenduar të një padie të Kontrollit të Lartë të Shtetit për dëmin financiar në rastin CEZ. Deklarata vjen në prag të nisjes së gjykimit në themel më 27 prill.

Ilir Meta mbahet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024 dhe përballet me akuza për korrupsion në lidhje me aferën CEZ-DIA, kontratën lobuese të LSI-së në Shtetet e Bashkuara, si dhe për pastrim parash e fshehje pasurie. Ndërkohë, më 27 prill, në Gjykata e Posaçme pritet të nisë edhe seanca e parë në themel ndaj ish-presidentit.

Deklarata e plotë e Tedi Blushit

Sot do t’u paraqesim shqiptarëve, mbështetur si gjithmonë vetëm në fakte dhe prova ligjore, të vërtetën mbi identitetin dhe rolin real të Romeo Karës, kallëzuesit të rremë, të përdorur nga Edi Rama kundër Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta.

Qëllimi ynë nuk është denigrimi i figurës së Z. Kara, por nxjerrja në dritë e fakteve që sqarojnë profilin e këtij kallëzuesi dhe problematikat e tij shumë të rënda me drejtësinë por edhe me shëndetin mendor.  Janë këto rrethana, sipas nesh, që janë shfrytëzuar nga Edi Rama si presion shtesë për ta detyruar Z. Kara të marrë rolin e kallëzuesit të rremë ndaj Z. Meta.

Kush është në të vërtetë kallëzuesi Romeo Kara?

Përgjigjen e parë e jep vendimi i Gjykatës së Tiranës, datë 15.05.21019. I pandehuri Romeo Kara, i akuzuar nga Prokuroria e shtetit për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”. Në konkluzionet përfundimtare, prokurori kërkon: Deklarimin fajtor të të pandehurit Romeo Kara, për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje” dhe dënimin e tij me 3 muaj burgim.

Ndalemi te rrethanat e faktit penal. Romeo Kara ka kërcënuar dhe ka rrahur motrën e tij, Znj. Eglantina Shtylla. Konkretisht, motra e ka kallëzuar Romeo Karan, se më datë 24.08.2016, rreth orës 12:00, vëllai, e ka kërcënuar dhe ushtruar dhunë fizike ndaj saj, duke tentuar ta nxjerrë nga banesa, që ata kanë në bashkëpronësi dhe që ndodhet në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Shumë i rëndë është fakti pasues.

Nga rrethanat e faktit penal, rezulton se Romeo Kara është recidivist në kryerjen e veprës penale të dhunës në familje. Ai nuk ka rrahur vetëm motrën, por edhe më tronditëse është fakti se ai ka rrahur edhe babain e tij të ndjerë. Vërtet shokuese.

Ky fakt është pohuar nga motra e tij, e cila shton se i kallëzuari, pra Romeo Kara, ka ushtruar dhunë edhe ndaj të atit të ndjerë, i cili në vitin 2015 i është drejtuar gjykatës për këtë shkak. Tronditëse se çfarë kallëzuesi ka përdorur Edi Rama ndaj Z. Meta.

Romeo Kara është kallëzuar dy herë për dhunë në familje. Një herë nga babai i tij i ndjerë dhe një herë nga motra e tij. Akoma edhe më tronditëse është dhuna çnjerëzore që Romeo Kara ka ushtruar ndaj motrës së tij. Rezultatet e aktit të ekspertimit janë shokuese dhe tronditëse dhe në këtë moment do të lutem që fëmijët të largohen nga ekrani dhe që ky pasazh të ndiqet vetëm nga të rriturit.

Akti i ekspertimit mjeko-ligjor, nr.15, datë 04.01.2017, mbi ekzaminimin e shtetases Eglantina Shtyla, përgatitur nga eksperti A. V, nga konkluzionet rezulton se si pasojë e dhunës së të vëllait Romeo Kara ajo ka pësuar: shembje të indeve të buta të pjesës së mbrapme, të poshtme të bacinit dhe kyçit të dorës së majtë.

Akoma më e rëndë është që gjatë ushtrimit të kësaj dhune barbare, Romeo Kara ka përdorur kundër motrës së tij edhe mjet prerës. Ju lutem edhe njëherë që fëmijët të mbahen larg ekranit sepse makabriteti është vërtet tronditës. Vijojmë me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor të dhunës që Kara ka ushtruar ndaj motrës së tij.

“Dëmtimet e mësipërme janë shkaktuar me mjet të fortë mbretës. Dëmtimet hyjnë në kategorinë e atyre që kanë shkaktuar humbje të përkohshme të aftësisë për punë”.

Gjykata pasi është shokuar nga akti i ekspertimit, i ka dhënë të drejtë Prokurorisë dhe ka vendosur: Deklarimin fajtor të të pandehurit Romeo Kara për kryerjen e veprës penale, e theksoj të përsëritur (më herët kishte dhunuar edhe babain e ndjerë), të dhunës në familje dhe dënimin e tij me burg.

Pra kallëzuesi i rremë i përdorur nga Edi Rama kundër Ilir Metës, është i dënuar me vendim të gjykatës së Tiranës për dhunë në familje. Por të mos harrojmë edhe një fakt, që kallëzuesi i përdorur nga Rama, nuk kishte vetëm probleme me drejtësinë. Ai kishte edhe një element shtesë për Edi Ramën, që e plotësonte perfekt identitikin e kallëzuesin. Pra në vitin 2016 u dënua dhe për të hequr dënimin, pak muaj më vonë, u përdor si kallëzues i rremë.

Siç sqarohet në vendimin e gjykatë së apelit (DOKUMENTI 6), që e ka prishur këtë vendim të gjykatë së Tiranës, më 15.07.2020, kur tanimë Romeo Kara e kishte bërë kallëzimin e rrëmë ndaj Z. Meta, rezulton se ai është edhe punonjës i OSSHE. Pra punonjës i Qeverisë ose thënë në zhargonin e përditshëm “patronazhist”.

Pra kallëzuesi ka dy elementë shtrëngues, e para i dënuar për dhunë në familje, e dyta punonjës i shtetit. Fiks kallëzuesi që i duhej Edi Ramës. Por nuk mbaron këtu. Romeo Kara ka edhe të tjera “merita” që për sytë e Edi Ramës e bënin atë super-perfektin, të duhurin, të përzgjedhurin për të qenë kallëzuesi i rremë kundër Ilir Metës. Romeo Kara i denoncuar nga babai i tij për rrahje, nuk ka kallëzuar vetëm Ilir Metën, por ka dhënë dëshmi të rreme edhe ndaj babait, Z. Rexhep Meta. Pra shihni deri ku shkon marrëzia e një kallëzuesi, tentativa e çmendur për të përfshirë edhe babain e Z. Meta në aferën CEZ-DIA.

Në një dëshmi të dhënë nën betim, por të rreme para prokurorit, Romeo Kara ka deklaruar: “Elvisi, pra Elvis Mataj, disa herë më ka pohuar se çfarë ka patur Iliri (Meta) me Kastirotin (Ismailaj) pasi disa herë babai i Ilirit, i quajtur Rexhep, kërkonte ta takonte, Kastrioti i fshihej apo i shmangej. Por çfarë thotë vetë Elvis Mataj për shpifjet e Romeos, jo vetëm për Z. Meta por edhe për babain, pra Z. Rexhep Meta.

“Dua të deklaroj me përgjegjësinë time të plotë se nuk kam dijeni për marrëdhënie të çdo lloji midis Kastriot Ismailaj dhe Ilir Metaj. Ju deklaroj se nuk kam qenë në asnjë takim të mundëshëm midis Ilir Meta dhe Kastriot Ismailaj”. A dini gjë për lidhje të K.I me Rexhep Metën?

“Nuk kam dijeni rreth njohjes dhe takimit midis K.I dhe Rexhep Meta”.

Pra Z. Elvis Mataj që i ka përgënjeshtruar para prokurorëve të gjitha gënjeshtrat ndaj meje që kallëzuesi i atribuon Elvisit. Pra siç e patë, derimë më tani, kallëzuesi plotëson TRE KRITERE ideale për Edi Ramën. I dënuar për dhunë në familje. Punonjës i shtetit. Gënjeshtar. Nuk mbaron me kaq. Kallëzuesi i rremë, Romeo Kara rezulton edhe gjobvënës.

Këtë e sqaron pastër fare, në dëshminë e dhënë nën betim para prokurorëve, Z. Kastriot Ismailaj.  Ja edhe fotot e takimit në Vjenë. Pra 4 KRITERE IDEALE, derimë tani për të qenë kallëzues për llogari të Edi Ramës. I dënuar për dhunë në familje. Punonjës i shtetit. Gënjeshtar. Gjobvënës. Por nuk mbaron këtu.

Në këtë pjesë të fundit, kemi dyshime të arsyeshme se një rol të madh duhet të kryente mjeku i shëndetit mendor. Sepse pyetjet që lindin natyrshëm janë a është normal nga shendeti mendor ky kallëzues i rremë? Më 13.11.2017, Romeo Kara depoziton kërkesën për të marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur.

Pra marrëzira, paranoja, të denja për skenarë hollivudianë, subjekte të mjekësisë së shëndetit mendor, por kurrësesi deklarata që mund të merren seriozisht nga një prokurori serioze, që udhëhiqet nga fakti, ligji e Kushtetuta.

Dhe në fakt se me çfarë niveli kallëzuesi kemi të bëjmë, se sa ordinere dhe të pavlera janë dëshmitë e tij, e jep kjo shkresë zyrtare e një prokuroreje të nderuar si Donika Prela, pranë gjykatës së së shkallës së parë për krime të rënda.

Në lidhje me kërkesën e kallëzuesit të “rremë” Romeo Kara për të marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur të drejtësisë, Prokurorja e nderuar Donika Prela, shprehet kundër dhe argumentat e saj janë asgjësuese, e theksoj janë asgjësuese.

“Dëshmia e tij (Romeo Kara) është indirekte (pra flet për të tjerë dhe për fakte që nuk i disponon) dhe duhet të konfirmohet (e theksoj) me prova të tjera që të kenë vlerë të plotë provuese dhe të jenë vendimtare për procesin penal (pra dëshmitë e tij nuk provojnë asgjë dhe as janë vendimtare për procesin).”

Pra i ka vënë vulën që i gjithë kallëzimi është një maskarallëk i provuar nga vendimi. Pra çfarë thotë vendimi i prokurores Prela. Që gjithë kallëzimi është një përrallë rrugësh, klubesh rakije të pijanecëve të lagjes ose tavolina zijaftesh, me zero fakte, zero prova dhe zero dokumenta kundër Ilir Metës.

Ky vendim e varros të gjithë kallëzimin dhe gjithë këtë process të turpshëm që duhet të mbyllej brenda ditës, përkundrazi duhet të niste menjëherë hetimi dhe procedimi për kallëzim të rremë ndaj një kallëzuesi, që siç e provuam, gjithmonë mbështetur mbi fakte është PUNONJËS I OSHEE (PATRONAZHIST), I DËNUAR PËR DHUNË NË FAMILJE (QË PËR TI SHPËTUAR DËNIMIT PRANON TË BËHET KALLËZUES I RREMË KUNDËR ILIR METËS), GËNJESHTAR, GJOBËVËNËS DHE ME DYSHIME SERIOZE PËR PROBLEME TË SHËNDETIT MENDOR.

Të gjitha sipas fakteve, provave ligjore që publikuam. Këto element e kanë bërë kallëzuesin ideal për Edi Ramën, për ta përdorur, madje për ta keqpërdorur, kundër Presidentit Meta. Këto fakte do bëhen të ditura gjatë gjykimit në themel, sepse janë shumë thelbësore për të kuptuar mungesën e personalitetit të kallëzuesit nga të gjithë, përveç prokurorëve të Ramës. Ndërkohë, pyetja kyçe për aferën CEZ-DIA duhet të jetë: Ç’bëhet me padinë zyrtare të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit kundër Edi Ramës për faljen e 479 milionë eurove CEZ-it?

Si mund të injorohet një institucion kushtetues si KLSH që pas auditimit të bërë, ka bërë kallëzim penal për një dëm kolosal prej 479 milionë eurosh dhe të merret “seriozisht” një kallëzues indirekt, me gjithë këto problem me drejtësinë, sic provojnë dokumentet zyrtare, që kalon sa nga prehëri i DIA-s te ai i OSHEE, por gjithmonë pa ju larguar prehërit të Edi Ramës.

Nëse do ishin minimalisht seriozë, prokurorët do i bënin një ekzaminim mjekësor për gjendjen mentale të kallëzuesit para se ta merrnin seriozisht. Por kur të urdhëron Edi Rama nga tribuna e Asamblesë së PS nuk ke kohë të bësh këto veprime profesionale dhe të përgjegjshme. Madje nga nxitimi edhe urdhrin e rrëmbimit e firmos mbi një ligj që nuk ekziston, sepse ishte shfuqizuar që në 2020, siç e ka konstatuar edhe Avokati i Popullit.

Por përballja mes fakteve dhe provave ligjore me të pavërtetat, mes ligjit dhe paligjshmërisë, mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, mes transparencës dhe propagandës, po afron, ndaj i ftoj të gjithë më 27 prill, në seancën e parë të gjykimit në themel.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.