Blushi: S'marr pjesë në referendum
listat e anëtarësisë së PS do trukohen

Blushi: S'marr pjesë në referendum<br />listat e anëtarësisë së PS do trukohen
Pasi u bëri thirrje socialistëve nga Shkodra që të bojkotojnë referendumin e 9 prillit brenda Partisë Socialiste, deputeti Ben Blushi ka konfirmuar dje se edhe vetë nuk do të marrë pjesë në votim. I pyetur nga Shqiptarja.com nëse do të votonte të shtunën, Blushi tha se nuk do të bënte këtë për arsyen se rezultati do të trukohej. “Unë nuk do të votoj të shtunën sepse unë nuk mund të votoj për të legalizuar një shkelje. Ky referendum është një shpikje për të shmangur një garë.

Për shkak se ka filluar si një shkelje dhe nuk mund të kontrollohet, ky referendum është absolutisht e sigurt që do të trukohet. Shifra e vërtetë e pjesëmarrjes nuk do të merret vesh kurrë. Më pak se 50 % e anëtarëve të partisë do të marrin pjesë në referendum. Kjo është e sigurt”,-tha Blushi. Ai përsëriti dhe një herë argumentet e tij se pse ky referendum është i pavlefshëm. “Nëse Rama ka vendosur të ndryshojë pyetjen, sepse herën e parë nuk e dinte pyetjen, dinte një tjetër pyetje nga ajo që u shkrua.

Nëse ka vendosur të pyesë si ka punuar qeveria, kjo është akoma më keq. Megjithëkëtë, dua të them se ky referendum është totalisht i panevojshëm dhe krejtësisht në kundërshtim me statutin. Është një mundësi për të larguar një kandidat apo disa kandidatë nga gara. Është e vetmja mundësi që Edi Rama t’i numërojë votat vetë, siç do të bëjë”-tha Blushi. Socialisti kritik ndaj kreut të partisë së tij, tha dje se grupit kundër referendumit nuk i është dhënë mundësia që të kontrollojnë këtë proces zgjedhor. “Është e vetmja mënyrë për zgjedhje jashtë çdo kontrolli. Ju e dini që nuk ka një listë zgjedhësish e sa vetë do të votojnë.

Çështja është se refernedumi për të qenë i vlefshëm duhet të ketë pjesëmarrjen 51 %. Ne nuk dimë cila është lista e zgjedhësve mbi të cilën të llogarisim 51 %. A është dikush që e di sa anëtarë kemi? Nuk ka ndodhur këto 20 vjet në Shqipëri, palët që janë kundër këtij referendimi, nuk kanë pasur mundësi as të vëzhgojnë, as të bëjnë fushatë, as të numërojë votat. Çfarë referendumi është ky, kur votat i numëron ai që thërret referendumin. Lista e zgjedhësve duhet të ishte online për çdo kuti.

Është në kundër Kodit Zgjedhor në PS që nuk lejon referendum dy muaj para dhe pas Kongresit. Po ashtu, ka një ankesë në Komisionin e Garancive Statutore për ta pezulluar këtë referendum, për të cilën nuk ka një përgjigje. Gjithçka është totalisht e parregullt”-tha Blushi. Takimi në Shkodër fundjavën e shkuar, ishte i vetmi lobim i Blushit dhe grupit të tij kundër referendumit. E vetmja që e shoqëroi ishte Mimoza Hafizi, teksa Dade, Kopliku e figura të tjera brenda 12 vetëve të grupimit të tij, nuk janë shfaqur me të në takime të tjera. Nga Shkodra, Blushi dhe Hafizi prezantuan dhe paketën e 20 pikave kundër referendumit.  
 
Votimi
“Unë nuk do të votoj të shtunën sepse unë nuk mund të votoj për të legalizuar një shkelje. Ky referendum është një shpikje për të shmangur një garë. Për shkak se nuk mund të kontrollohet, ky referendum është absolutisht e sigurt që do të trukohet”.

Pjesëmarrja
“Ne nuk dimë cila është lista e zgjedhësve mbi të cilën të llogarisim 51 %. Shifra e vërtetë e pjesëmarrjes nuk do të merret vesh kurrë. Më pak se 50 % e anëtarëve të partisë do të marrin pjesë në referendum. Kjo është e sigurt”.


Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Akuzat e opozitës për mbylljen e TikTok! Rama fiton garën me fansat, 2 milionë pëlqime! Berishën e mund edhe Arlind Qori

Akuzat e opozitës për mbylljen e TikTok! Rama fiton garën me fansat, 2 milionë pëlqime! Berishën e mund edhe Arlind Qori