4 mbështetësit e tjerë të tij, si Ndre Legisi, Maqo Lakrori, Suzana Hakrama dhe Petrit Ago kanë ngelur jashtë Asamblesë, dhe pse ishin pjesë e këtij forumi drejtues në PS në mandatin e shkuar të saj. Teksa kjo është komentuar si një largim i njerëzve të Blushit nga Partia Socialiste, burime zyrtare pranë saj i thanë gazetës “Shqiptarja.com” se e vërteta është që vetë Blushi nuk ka bërë asgjë për ta, pasi nuk i ka propozuar ata për në listën e kandidatëve. “Kandidatët për anëtarë të Asamblesë janë bërë me propozim nga delegatët.
Për çdo 100 anëtarë ka pasur një delegat. Për çdo 500 anëtar ka pasur një përfaqësues në asamble. Kjo ka qenë norma e përfaqësimit. Emrat e kandidatëve për anëtarë të Asamblesë u propozuan nga grupimi i delegatëve të çdo qarku në Kongres. Pra, për shembull, delegatët e Tiranës janë mbledhur dhe kanë propozuar emrat për në Asamble për aq vende sa përfaqësohej anëtarësia e këtij qarku. Janë pikërisht këto emra të propozuara nga delegatët që kanë kaluar në votim”-tha një burim zyrtar i Partisë Socialiste. Në këtë mënyrë, kuptohet se këta persona nuk kanë marrë mbështetjen nga delegatët, konkretisht të qarkut Tiranë, ku kanë dhe vendbanimin e ligjshëm.
Por ata ishin vetë delegatë, së bashku me Blushin dhe mund të ishin vetëpropozuar apo të propozoheshin prej Blushit, dhe më pas të përballeshin në votim. “Të drejtën për të propozuar emra të rinj si kandidatë për Asamblenë e kishte çdo delegat brenda sallës së Kongresit. Vetë figurat në fjalë mund të ishin vetëkandiduar apo të kandidonin njëri-tjetrin. Të paktën hyrja në kandidim ka qenë e lirë. Nëse do të kandidonin dhe nuk do të fitonin, atëherë mund të hante interpretim çështja se procesi u ndikuar nga lobime pro njërit apo tjetrit”-tha i njëjti burim zyrtar për gazetën Shqiptarja.com.
E vërteta është se gjatë Kongresit, Ben Blushi nuk tha asnjë fjalë për mbështetësit e tij, dhe i gjithë fjalimi i tij u mbështet në çështjen e zgjedhjes së kryetarit, dhe nuk preku asnjë temë tjetër, dhe për asnjë rast, dhe pse lista e kandidatëve për në asamble, u lexua nga Sekretari Organizativ Blendi Klosi, përpara Kongresit publikisht, gati 2 orë para votimit, Blushi nuk propozoi asnjë prej mbështetësve të tij për tu shtuar në listë e më pas për tu përballur me votimit. Përpos mos angazhimit të Blushit, as ata vetë, dhe pse të pranishëm në punimet e Kongresit, nuk u “shqetësuan” për të propozuar vetveten, e drejtë kjo e garantuar në Statutin e PS-së, qoftë në variantin e ri, qoftë në atë të vjetrin.
Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)