ERSEKË - “Qeveria shqiptare ka rindërtuar 1200 shkolla në të gjithë vendin duke i pajisur me kompjutera dhe internet, ka rritur pagat e arsimtarëve dhe punonjësve të shëndetësisë”. Kjo ka qënë deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike dhe kreu i listës së demokratëve për Korçën, Ridvan Bode në qytetin e Ersekës.

Bode reagoi pas akuzave të Ramës drejtuar mjekëve dhe arsimtarëve. “Unë e konsideroj këtë si të papranueshme, e shikoj si një hakmarrje që e majta dhe kryetari i PS-së, siluron në mënyrë të vazhdueshme administratën edhe në sektorin e arsimit dhe sidomos në sektorin e shëndetësisë.

Erdhi këtu dhe tha se duhet të kesh çanta me pare që të vesh të vizitohesh në Spitalin e Kolonjës. Kjo është qesharake sepse pikërisht punonjësit e sektorit të arsimit dhe shëndetësisë janë pikërisht ata që kanë përçuar ato reforma dhe kanë realizuar këto reforma kaq të mëdha”.

Bode tha se “reformat në sektorin e shëndetësisë dhe atë të arsimit do vijojnë më tej për të përmirësuar, modernizuar, por dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve”. Duke paralajmëruar se në mandatin e tretë do ketë më shumë investime.

Shkrimi u botua sot gazetën Shqiptarja.com (print) 08.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)