Bojkoti, Blendi Gonxhja: PD
para një akrobacie të rrezikshme

Bojkoti, Blendi Gonxhja: PD<br />para një akrobacie të rrezikshme
Blendi Gonxhja, një ndër themeluesit e Partisë Demokratike, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, shprehet se kjo parti sot gjendet para një akrobacie tepër të rrezikshme, me pasoja jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin.

Duke iu referuar vendimit për bojkotin e zgjedhjeve parlamentare, Gonxhja thekson se Partia Demokratike, në vend që të çelte kantierin e riorganizimit, rigjenerimit dhe rindërtimit të saj,ka vendosur që të sabotojë Vetingun, i cili lidhet me procesin e integrimit.

Ai shtoi se nëse 27 vjet më parë, marrëzia staliniste edhe pranohej, sot Partisë Demokratike nuk i falet loja e luftës me fatet e vendit. Megjithatë, Blendi Gonxhja shpreh bindjen se pjekuria e shumicës së elektoratit bashkë me ndihmën e partnerëve strategjikë do t’i japin zgjidhje kësaj situate të komplikuar.
 
-Z. Gonxhja, për herë të parë, që nga themelimi, Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit, duke paralajmëruar në të njëjtën kohë se nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve fasadë. Si themelues i kësaj partie, si e vlerësoni këtë vendim?
Si një nga themeluesit e PD në Dhjetor 1990, parti nga e cila jam dorëhequr qysh në Janar 1991 për shkak se sjelljet, formimi dhe praktikat e lidershipit të saj binin ndesh me pritshmërinë dhe vizionin për organizatat politike demokratike, pasi përjetova në lëkurën time diskriminimin e deri dhunën fizike (1992-1997) prej lidershipit të saj autoritarist e antidemokratik, edhe si dëshmitar i gropës dhe dramës ekonomike e sociale që Shqipëria pësoi prej qeverisjes së PD-së, shpresova për një PD në shërim e rindërtim pas zgjedhjeve të Qershorit 2013 që i humbi pa i shkatërruar si ngahera, duke lënë pushtet për herë të parë pa djegur e konfliktuar tërë vendin. Për herë të parë pas 24 vitesh kryetari problematik i PD hapi krahun për një zëvendësues që po investohej me një profil më racional, më civil, mision jo i lehte me atë PD qe ju la në inventar. Sot, 3 vite më pas, PD gjendet para një akrobacie tepër të rrezikshme për të si organizatë, për vendin dhe për shkak të brishtësisë së situatës rajonale dhe globale me pasoja edhe për rajonin. Linja zyrtare e PD pretendon se arsyet e jashtëzakonshme motivojnë reagimin e saj anormal, ultimatumin e saj ekstrem dhe përplasjen, sipas PD të pashmangshme, nëse nuk bëhet siç thotë PD!
 
-Tërheqja e shumicës nga Kavaja u lexua si shenjë dobësie...
Shtyrja e zgjedhjeve vendore në Kavajë i hoqi PD-së edhe një tjetër alibi, por edhe e zbuloi. Reagimi i lidershipit të PD tregoi shumë pak përgjegjësi, shumë pak vlerësim për lëshimin, deri në histeri. Sot, 27 vite nga themelimi, PD ka zgjedhur të kërcënojë me ndezjen e fitilit, përkundër gjithë trendit të shumicës së shqiptarëve që në zgjedhjet e organizuara në 2013, të njohura e legjitime botërisht, të zhvilluara me PD në pushtet, mandatuan Ramën Kryeministër duke u mbikonfirmuar me zgjedhjet vendore të 2015 ku përsëri shumica dërrmuese e shqiptarëve e mendonte ndryshe nga PD. Në vend që të çelte kantierin e riorganizimit, rigjenerimit e rindërtimit të saj PD ka vendosur që të sabotojë kantierin e Projektit të Shqipërisë! Jo rastësisht kjo përkon edhe me sabotimin e kantiereve si Vetingu = Integrimi. Sot ndjej shumë më tepër keqardhje për PD sesa në Janar 1991! Sepse nëse 27 vjet më parë marrëzia staliniste edhe pranohej se nga ajo barkë zbritëm, sot është e pafalshme kjo lojë lufte me fatet e vendit, ky dëmtim i imazhit të Shqipërisë, ky fjalor publik që më së paku e shëmton klimën në Shqipëri, ky mentalitet kamikaz i denjë për tribu, ky kërcënim idhnak se edhe pse tërësisht si pakicë mund së paku të zhbëjnë sistemin duke i pamundësuar një element të funksionimit të tij! Një PD me kaq pak kredibilitet, kaq primitive, thjesht vonon përparimin.
 
-Si e parashikoni fatin e Partisë Demokratike pas 18 Qershorit?
Personalisht as që më intereson fati i PD për sa kohë vetë PD-së nuk i intereson vullneti i shumicës së shqiptarëve dhe as interesi i vendit. Shqipëria dhe shqiptarët nuk ja kanë borxh edhe këtë ish-Kryetarit dhe lidershipit të PD-së. Cilat do qofshin shkaqet, arsyet, shtytësat, faktorët që e kushtëzojnë këtë aksion të gabuar të ndërmarrë gati personalisht prej një grushti njerëzish në PD, besoj plotësisht se inteligjenca dhe pjekuria e shumicës së elektoratit bashkë me ndihmën e partnerëve strategjikë do t’i japin zgjidhje (kurdo qofshin zgjedhjet) kësaj situate të komplikuar, por që mund të jetë e thënë ta vuajmë edhe si një operacion të fundit e të dhimbshëm të tranzicionit që kjo fazë t’i lerë më në fund vendin Shqipërisë Evropiane!
 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Media: Irani gati për të sulmuar Izraelin! Do ta bëjë para të enjtes!

Lufta/ Media: Irani gati për të sulmuar Izraelin! Do ta bëjë para të enjtes!