Bojkoti i PD-LSI, Deputetët
e PS: Është strategji

Bojkoti i PD-LSI, Deputetët<br />e PS: Është strategji<br>
Pas bojkotit dyditor të opozitës në komisionet parlamentare por edhe në Konferencën e Kryetarëve, Shqiptarja.com ka kontaktuar disa nga deputetët socialistë për të mësuar qëndrimin e tyre mbi këtë situatë. Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, përfaqësuese e Partisë Socialiste, u shpreh për Shqiptarja.com se edhe pse opozita po bojkoton në një moment të vështirë, shumica nuk do të ndalojë punën për tekat e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës. Një tjetër koment ishte nga deputeti Ilir Beqaj, i cili tha për Shqiptarja.com se opozita po i shmanget përgjegjësive, kur minimalja që deputetët e opozitës duhet të bëjnë, sipas tij është paraqitja në komisione.
Ndërsa, një deputet tjetër përfaqësues i kësaj force politike, Ervin Bushati e ka konsideruar bojkotin e opozitës një strategji, duke shkaktuar kështu sipas tij një rrëmujë politike. Megjithatë, ai tregon për Shqiptarja.com se deputetët socialistët nuk janë për të plotësuar kërkesat personale të opozitës por për të garantuar më të mirën për shqiptarët.

Komentet e deputetëve socialistë për bojkotin e opozitës:
-Vasilika Hysi
Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, njëherësh anëtare e Partisë Socialiste në Komisionin e Ligjeve, në një prononcim për gazetën Shqiptarja.com tha se Partia Demokratike ka zgjedhur të bojkotojë në një moment të vështirë, siç ishte ai për prezantimin e buxhetit. Pavarësisht kësaj, Hysi tregon se nuk mund të ndalojë puna për shkak të tekave të Bashës, pasi flitet për mirëqenien e shqiptarëve. “Momenti që kanë zgjedhur për të bojkotuar është tepër i vështirë. Megjithatë ne do të vazhdojmë punën që është e rëndësishme për mirëqenien e shqiptarëve. Ndaj edhe miratuam buxhetin, s’mund të stopojmë punën se i teket zotit Basha”, tha deputetja socialiste Hysi. 

-Ilir Beqaj
Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i kontaktuar nga Shqiptarja.com u shpreh se bojkoti i opozitës nuk është gjë tjetër vetëm se shmangie e përgjegjësive. Beqaj vlerëson se më e pakta që mund të bëj një deputet është pjesëmarrja në komisione apo mbledhje ku diskutohet më e mira për popullin, pasi ky është detyrim. “Kishim sot një marrëveshje në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese për rehabilitimin e rrugës së lumit të Vlorës, ku fondi saudit prej 75 milionë lekësh është shumë i rëndësishëm. Është detyrim i çdo deputeti, sepse nuk janë pak, janë 75 milionë lekë, kjo është më e pakta që duhet të bëjë një deputet për interesin publik. Nëse opozita akuzon për kanabizimin e vendit, kriminalitetin, le të vijë të propozojë për ta bërë më mirë. Nëqoftëse ne nuk kemi bërë aq sa duhet, hajde bëjmë më shumë.. por ata nuk duan, vazhdojnë me bojkot, me Facebook”, tha Beqaj, i cili shtoi se Basha vazhdon në të njëjtën linjë duke mos mbajtur përgjegjësi, njësoj siç nuk mbajti përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve më 25 qershor.

-Ervin Bushati
Deputeti Ervin Bushati e ka konsideruar bojkotin e opozitës si një sjellje aspak profesionale dhe serioze, e cila sipas tij është një strategji. I kontaktuar nga Shqiptarja.com ai deklaroi se opozita e ka kthyer në praktikë tashmë braktisjen e komisioneve, duke shkaktuar kështu një rrëmujë politike. Megjithatë, Bushati tregon për Shqiptarja.com se qeveria nuk është për të plotësuar kërkesat personale të opozitës, por për të qenë të përgjegjshëm për një vend më të mirë në të ardhmen. “Sot njerëzit presin përgjegjësinë e qeverisjes dhe jo rrëmujën që opozita shkakton. Sot njerëzit kërkojnë përgjegjshmëri, mjaft më me sherre politike, braktisje apo bojkotim. Por opozita tashmë duket se e ka bërë praktikë të sajën që sa herë nuk i pëlqen diçka, apo nëse diçka bie ndesh me kërkesat e tyre ata ngrihen edhe ikin.

Kjo nuk është aspak serioze, sepse nuk jemi këtu për të plotësuar kërkesat personale të opozitës. Nëse opozitës nuk i pëlqejnë projektligjet e propozuara kanë të drejtën e plotë të shprehen dhe të propozojnë argumentat e tyre. Ne pranojmë debatin, argumentat pro dhe kundër por jo sherret politike, ato nuk janë aspak serioze dhe nuk tregojnë aspak seriozitet  politik. Por pavarësisht këtyre sjelljeve aspak profesionale nga ana e tyre, ne do të vazhdojmë të marrim përgjegjësi edhe nëse opozita do të vijojë t`i shmangë përgjegjësitë e veta siç ka bërë deri më sot.

Për ne janë primare çështje si buxheti, shëndetësia, arsimi apo infrastruktura. Nuk besoj se në të gjitha komisionet opozita është kundër atyre që diskutohet, por ndoshta atyre u mungojnë argumentat dhe si rrugë më të lehtë zgjedhin ikjen. Ajo që mund të them është se PD-ja dhe LSI-ja kanë të drejtë të zgjedhin strategjinë e tyre, por ne kemi përgjegjësinë për të qeverisur. Ne kemi përgjegjësinë për të ardhmen, ne kemi përgjegjësinë për ato çka duhet bërë për një shoqëri më të mirë, për një Shqipëri më të mirë”,tha deputeti Bushati.

-Erjon Braçe
Deputeti Erjon Braçe, i cili ditën e hënë pati një përplasje me deputetin demokrat Edmond Spahon në Komisionin e Financave, i kontaktuar nga Shqiptarja.com u shpreh i painteresuar për të komentuar bojkotin e opozitës. Kujtojmë se dy ditë më parë, Spaho akuzoi qeverinë për një ekonomi kriminale dhe tejmbushjen e vendit me hashash. Sipas tij këtë e vërtetojnë edhe akuzat ndaj ish-ministrit Tahiri. Ndërsa, drejtuesi i komisionit Erion Braçe, teksa anëtarët e PD në këtë komision largoheshin, kërkoi që në qendër të debatit të jetë ekonomia dhe jo deklaratat politike.

-Evis Kushi
Kurse deputetja socialiste Evis Kushi, ditën e hënë pas braktisjes së Komisionit të Financave nga anëtarët e Partisë Demokratike, u ka bërë thirrje këtyre të fundit që të kthehen dhe të mos e bëjnë rrugë largimin. Sipas Kushit, kjo tregon se deputetët demokratë nuk kanë argumenta për debat. “I bëj thirrje opozitës të kthehen, jo të hedhin shashka e të largohen pa i qëndruar debatit. Fakti që ata nuk i qëndrojnë debatit do të thotë se nuk kanë argumenta dhe nuk munden ta përballojnë. Unë kështu e kuptoj”, ishte fjala e deputetes Kushi në mbledhjen e Komisionit të Financave. 

Taulant Balla
-Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar bojkotin e opozitës në Konferencën e Kryetarëve. Sipas tij, shqiptarët do të gjykojnë opozitën për braktisjen e diskutimeve për buxhetin. "Bojkotoni buxhetin ju por do iu gjykojnë shqiptarët. Më vjen keq për PD që u largua nga salla, nuk më vjen keq për LSI që e ndjek nga pas", tha Balla.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Siguria detare/ Bllokohen 39 mjete lundruese nga Ksamili në Koman! 100 mijë lekë gjobë 17 prej drejtuesve për mungesë dokumentacioni

Siguria detare/ Bllokohen 39 mjete lundruese nga Ksamili në Koman! 100 mijë lekë gjobë 17 prej drejtuesve për mungesë dokumentacioni