Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Iranit, duke deklaruar se Teherani do të përballet me pasoja të paprecedenta nëse ndërmerr një sulm ndaj Uashingtonit me një të ashtuquajtur “bombë të pistë” ose armë kimike.
Deklarata e Trump vjen pas raportimeve sipas të cilave shërbimet amerikane të inteligjencës kanë evidentuar informacione se Irani mund të jetë duke shqyrtuar mundësinë e një sulmi në kryeqytetin amerikan.
I pyetur nga gazetarët në Manila nëse Teherani po planifikon një sulm të tillë, Trump tha se autoritetet amerikane po i shqyrtojnë këto informacione dhe paralajmëroi për pasoja të rënda në rast se një plan i tillë vihet në zbatim.
“Ne po e shqyrtojmë. Nëse ekziston një plan i tillë, ata do të paguajnë një çmim që asnjë vend nuk e ka paguar ndonjëherë më parë”,- tha Trump.
Ndërkohë edhe Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, e cilësoi kërcënimin serioz, duke paralajmëruar se një sulm ndaj Uashingtonit apo një qyteti amerikan mund të shkaktonte një luftë të gjithanshme.
“Nëse do të sulmonit një nga qytetet tona apo Uashingtonin, do të shkaktonit një luftë të gjithanshme. Kjo do të thotë se do të përdornim të gjitha burimet në dispozicion për t'ju shkatërruar”.- u shpreh Mullin.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se administrata po monitoron çdo kërcënim të mundshëm, por deri më tani nuk ka rreziqe të besueshme dhe të menjëhershme ndaj territorit amerikan.
Irani ka mohuar pretendimet e publikuara në mediat amerikane. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane i ka cilësuar raportimet si të fabrikuara, duke akuzuar Uashingtonin se po përpiqet të krijojë justifikime për veprime të mëtejshme kundër Teheranit.
Lajmi kryesor:
Bisedimet më 19 nëntor në Kinë, Trump nis turin diplomatik në Azi dhe takohet me aleatët në Filipine! Në fokus siguria rajonale, tregtia dhe inteligjenca artificiale






