Ministrja Bora Muzhaqi mori pjesë në “World Government Summit 2024” që po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, axhenda e të cilit fokusohet në formimin e një të ardhmeje më të mirë për njerëzimin, ku liderë, ekspertë globalë dhe vendimmarrës nga e gjithë bota mblidhen për të shkëmbyer ide e përvoja dhe për të kontribuar në zhvillimin e politikave dhe modeleve që janë thelbësore në formimin e qeverive të ardhshme.
Temat e diskutimit në tryezën e rrumbullakët përfshin si sektorin publik edhe atë privat duke u ndalur tek infrastruktura, energjia, mirëqenia, shëndetësia, por edhe shume fusha të tjera.
Bora Muzhaqi në cilësinë e Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, e ftuar në tryezën e rrumbullakët mbi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, theksoi rëndësinë e kontributit të të rinjve, fuqizimin dhe angazhimin e tyre për përmbushjen e këtyre objektivave.
Ministrja Muzhaqi sugjeroi se të rinjtë duhet të përfshihen në të gjithë procesin e vendimmarrjes për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm me qëllim që ata vetë të zbatojnë këto objektiva për gjeneratën e ardhshme.
Përsa i politikëbërjes rinore në Shqipëri, ministrja Muzhaqi ndau me të pranishmit gjithëpërfshirjen e të rinjve për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029.
“Të rinjtë kanë qenë pjesë aktive në hartimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029, pra është hartuar nga të rinjtë për të rinjtë, duke marrë parasysh kërkesat dhe nevojat e tyre, të konvertuara tashmë në një dokument strategjik për përmirësimin e jetesës së të rinjve.” u shpreh Muzhaqi.
Më tej, ministrja njohu të pranishmit me strukturat e ngritura në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar për përfshirjen e të rinjve shqiptarë në politikëbërje, të cilat synojnë njëherazi edhe fuqizimin, edukimin dhe mirëqenien e të rinjve.
“Në nivel lokal, janë ngritur Këshilla Vendor Rinor në të 61 bashkitë. Në nivel kombëtar, është ngritur Këshilli Kombëtar Rinor, ndërsa në nivelin ndërkombëtar të rinjtë kanë përfaqësuar Shqipërinë në Asamblenë e Përgjithshme të 77&78 të Kombeve të Bashkuara, në Konferencën e 28 të Ndryshimeve Klimatike, dhe që nga viti 2016 përfaqësojnë interesat e rinisë shqiptare në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet një përfaqësuesi në bordin drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor.”
Gjatë fjalës së saj, ministrja Muzhaqi u ndal edhe tek tema të tjera të rëndësishme siç është fokusi te kapitali njerëzor dhe zhvillimi i këtij kapitali duke u përshtatur me teknologjitë e reja, pa lënë mënjanë inteligjencën artificiale dhe inovacionin.