Bora në veri, moti i keq pengon
shpërndarjen e ndihmave

Bora në veri, moti i keq pengon<br />shpërndarjen e ndihmave
TIRANE-Reshjet e borës nuk kanë të ndalur dhe sa vijnë e vështirësojnë situatën, sidomos në veri dhe verilindje të vendit. Ndërkohë që trashësia e borës, dhe mjegulla e bëjnë të pamundur ndërhyrjen nga ajri. Në shumë zona mungon dhe uji i pijshëm dhe ka ndërprerje të energjisë. Mbrëmë në Pukë temperaturat arritën në -16 gradë Celcius

PUKE

Rrethi i Pukës është i izoluar totalisht, ndërsa është e pamundur lëvizja as brenda qytetit. Reshjet e borës kanë rënë gjithë natën dhe vazhdojnë të bien edhe mëngjesin e sotëm. Temperaturat gjate natës kanë zbritur deri në – 16 gradë Celcius.
Rezervat e shtetit dërguan dje në qytetin e Pukës një kamion me ushqime. Sipas burimeve jo zyrtare kamioni është i vendosur në ambientet Policise së Pukës, ndërkohë që shpërndarja në rrethin e Pukës është totalisht e pamundur pasi komunat Iballë, Fierzë, Blerim, Qelez dhe shumë fshatra të tjerë janë të izoluar dhe rrugët janë totalisht të pakalueshme. E vetmja mundësi eshte ajo nga ajri. Edhe kjo mund të bëhet e pamundur për shkak të trashësisë së borës dhe mjegullës.
KUKES
Në Kukës vetëm gjatë natës trashësisë së borës i janë shtuar 50- 60 cm borë, duke bërë që trashësia e saj në qytet të arrijë 1 metër, ndërkohë që komuna e fshatra arrin në mbi 2 metra.
Situata është vërtet e rëndë, pasi të gjitha komunat, të 14-tat, e këtij qarku janë të bllokuara. Akset nacionale dhe akset rurale vazhdojnë të jenë të bllokuara përjashto aksin Morinë- Kalimash- Rrëshen, i cili është i kalueshëm vetëm për automjete me fuqi motorike të lartë. Në autostradë, në disa zona bora shkon deri në 1 metër.
Familjarët nga komuna të thella vazhdojnë të bëjnë apel për furnizimin me ushqime dhe ilace, ndërkohë që trashësia e borës, dhe shikueshmëria e mjegullës e bëjnë të pamundur ndërhyrjen nga ajri. Në shumë zona mungon dhe uji i pijshëm dhe ka ndërprerje të energjisë.
Ndërkohë që ndeshja Kukës- Butrinti e vlefshme për kategorinë e dytë, e parashikuar të luhej sot nuk do të zhvillohet pasi stadiumi është pushtuar nga bora.
BULQIZE
Në Bulqizë situata është shumë problematike, dhe lartësia arrin mbi 80 cm. Të gjitha komunat e bulqizës janë të bllokuara. Nga Ostreni dhe një 12 vjecar i sëmurë me temperature, është transportuar dy orë në këmbë, derisa e kanë dërguar në Bulqizë. Bora herë pas here kthehet në stuhi duke bllokuar aksin nacional në Fushë-Bulqizë. Në Martanesh ka fshatra që janë të izoluar prej 20 ditësh. Sot pritet të mblidhet sërish Shtabi I Emergjencave në Bulqizë.

SHKODER RINISIN RESHJET, DUKAGJINI I BLLOKUAR
Për të tretën herë brenda pak ditëve, qyteti i Shkodrës është mbuluar nga dëbora, e cila ka shkaktuar vështirësi të shumta për qytetarët dhe automjetet. Duket se këto të fundit, të cilat filluan që në orët e mbrëmjes të së premtes dhe që vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në orët e para të mëngjesit, janë më të mëdha nga ato të mëparshmet. Të frikshme e bëjnë situatën në një farë mënyre edhe bubullimat e shumta, që dëgjohen në sfond, që sipas të moshuarve ka vite që nuk dëgjohen të tilla gjatë rënies së dëborës.
Sipas tyre, nëse kjo situatë do të vijojë të jetë e tillë, ka shumë mundësi që t’ia kalojë edhe vitit 1985, periudhë e cila mbahet mend si më e vështira e viteve të fundit për qytetin e Shkodrës.
Në të tilla kushte, kur përveç trashësisë së dëborës janë shfaqur edhe shtresat e akullit, qarkullimi në akset rrugore paraqitet e vështirë. Drejtuesit e automjeteve, por edhe vetë qytetarët, të cilët përpiqen të lëvizin për nevoja personale, shfaqen të pakënaqur nga mosndërhyrja në kohë e mjeteve të bashkisë, ku në ndryshim nga dy radhët e mëparshme, këtë herë ato akoma nuk janë parë të ndërhynë në normalizimin e situatës.
Të paktën deri në ora 09.00 të mëngjesit të së shtunës, asnjë nga strukturat e grupit të emergjencës së bashkisë nuk është parë të ndërhyjë në akset rrugore të qytetit, kur një gjë e tillë mund të kishte qënë fare mirë edhe gjatë orëve të natës për të mos e lënë krijimin e shtresave të akullit, që tashmë janë bërë shqetësim serioz, jo vetem për automjetet, por edhe për këmbësorët në trotuare.
Në qarkun e Shkodrës, vijojnë të jenë të bllokuara komuna e Vermoshit dhe Dukagjinit.
GJIROKASTER
Moti i keq, me reshje dëbore dhe me temperatura nën zero gradë ka shkaktuar probleme në disa zona malore në qarkun e Gjirokastrës, por nuk ka krijuar probleme në rrugën kombëtare, njofton sot drejtoria e policisë së qarkut të Gjirokastrës, në jug të vendit. “Komunat Pogon, Zagori (Gjirokastër), Buz e Luftinjë (Tepelenë), si dhe Frashër (Përmet), lëvizja e automjeteve kryhet me zinxhirë, për shkak se trashësia e dëborës varion nga 30 deri në 50 centrimetra”, thuhet në komunikatën e policisë lokale.
Të njëjtat burime theksuan se të gjitha strukturat e policisë lokale kanë kaluar në gadishmëri të përforcuar dhe janë shpërndarë në të gjitha komunat ku janë shfaqur probleme, duke marrë kontakt me kryetarët e komunave dhe kryepleqtë e fshatrave për t’iu ardhur në ndihmë banorëve në raste emergjencash.
“Fatmirësisht të gjitha segemente rrugore kombëtare janë të kalueshme. Problem paraqet segmeti rrugor Jorgucat – Qafë Muzinë, me gjatësi 15 km, ku si pasojë e temperaturave nën zero gradë, disa segmente kanë ngrirë”, thotë policia, duke shtuar se, në kthesën e Jorgucatit është ngritur një postobllok policie 24 orëshe, për t’i ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve.
(sg/shqiptare.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024