PRISHTINË, 20 Tetor/ATSH/.- Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s, nesër në orën 15:00, në seancën plenare do të diskutojë për Kosovën.
Në kuadër të seancës plenare, Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s do të debatojë dhe votojë për kërkesën e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO).
Bordi Ekzekutiv përbëhet nga gjithsej 58 shtete anëtare prej të cilave 32 tashmë e kanë njohur Kosovën. Diskutimet rreth kërkesës së Kosovës për anëtarësim, për në Paris do të udhëtojë edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, njëherësh Ministër i Jashtëm i Kosovës.
Në rast të epilogut pozitiv të votimit të Bordit Ekzekutiv nesër, ku Kosovës do t'i nevojitet shumica e thjeshtë e votave të anëtarëve të Bordit, Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s do të votojë në fillim të nëntorit anëtarësimin e Kosovës në këtë agjenci të Kombeve të Bashkuara./Gazeta Ekspress/