Duke filluar nga ora 13:00 e ditës së sotme një litër naftë do të shihet në pikat e karburantit jo më shumë se 192 lekë për litër, 3 lekë më pak se ç’ ishte.

Vendimi është marrë këtë të premte nga Bordi i Transparencës i cili ka ulur gjithashtu me 3 lekë më pak edhe litrin e benzinës i cili do të shitet me 172 lekë/litri, nga 175 që ishte.

Sa u përket shitjeve me shumicë Bordi ka vendosur që nafta të mos shitet më shumë se 180 lekë/litër, ndërsa benzina të mos i kalojë 160 lekë/litër.

Kujtojmë se në lidhje me mënyrën se si llogariten çmimet e hidrokarbureve nga Bordi ka pasur pakënaqësi nga kompanitë e këtij sektori në vend, ndërsa një ditë më parë ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se zhvillohet një analizë ekonomike për të vendosur nëse formula aktuale e përcaktimit të çmimeve të karburanteve duhet të ndryshohet.