Republika e Shqipërisë ka nisur dje zyrtarisht procesin e emetimit të eurobondit 5 vjeçar. Emetimi vjen vetëm një ditë pasi Ministria e Financave kreu në momentin e fundit pagesën e eurobondin pesëvjeçar, të emetuar në vitin 2010. Sipas njoftimit, shuma e paguar është 322.5 milionë euro, nga e cila 300 milionë euro është vlera e principalit dhe 22.5 milionë euro është kësti i fundit i interesit. Fondet për shlyerjen e pagesës u siguruan: 250 milionë euro nga një kredi (me garanci të Bankës Botërore) e marrë në tregjet ndërkombëtare dhe 50 milionë euro nga instrumente të emetuara në tregun e brendshëm.