Gjermani-Argjentinë do të jetë finalja e kampionatit botëror të Brazilit që do të zhvillohet më datë 13 Korrik në ‘Maracana’. Argjentina mundi në gjysmëfinale ekipin e Holandës me penallti me rezultatin 4-2. Koha e rregullt e ndeshjes përfundoi me rezultatin e bardhë 0-0. Edhe dy shtesat përfundon pa gola duke dërguar ndeshjen në shtesë. Nga pika e bardhë Mesi, Garay, Aguero dhe Rodrigues tregohen të saktë, ndërsa për Holandën shënuan vetëm Roben dhe Kuyt, ndërsa Vlar dhe Shnajder gabuan.


Gjysmëfinalja e dytë e kampionatit botëror të Brazilit mes Holandës dhe Argjentinës ka nisur me pritshmëri të larta pas asaj që dhuroi gjysmëfinalja e parë Brazil-Gjermani. Arbitri turk vërshëlleu për fillimin e takimit pas një minute heshtje në nder të legjendës argjentinase të Realit të Madridit, Di Stefano, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë.

Dy ekipet ishin të vendosura me mjaft kujdes në fushë duke zhvilluar një luftë të fortë në mesfushë për të mbajtur sa më larg topin nga porta. Sytë e të gjithë ishin te Mesi dhe Roben, por përveç nga një goditje për secilin në pjesën e parë nuk kishte asgjë tjetër për t’u veçuar. Shnajder tentoi me një goditje dënimi që të vendoste në vështirësi portierin argjentinas në pjesën e parë, por pa shumë rezultat. Ndërsa Higuain u mbërthye nga mbrojtja tulipane duke mos i krijuar asnjë zonë të lirë nga ku mund të rrezikonte.

Sulmuesit i duhej të kthehej në mesfushë për të marrë topin, pasi portokallinjtë markonin një për një dhe ushtronin presion në gjysmëfushën argjentinase. Në pjesën e parë vlen të theksohet edhe një përplasje e Masceranos me një futbollist holandez duke e lënë për disa minuta pa ndjeja argjentinasin.

Pjesa e dytë e ndeshjes ka qenë me një ritëm më të lartë dhe ndryshe nga e para që ishte e përgjumur. Holanda u zhvendos e gjitha në sulm në kërkim të golit të avantazhit, por deri në minutën e 90, përveç reshjeve të shiut nuk kishte asgjë për të shënuar në tabelën e rezultatit, pasi gjithcka mbyllet në barazim pa gola me Mesin që ishte akoma në ‘kafazin’ e krijuar nga Van Gal. Barazimi detyron ekipet t’i drejtohen shtesës për të zgjidhur fituesin, por as në shtesën e parë nuk gjendet rrjeta.

Edhe pjesa e dytë e shtesës përfundon pa gola duke drejtuar ekipet drejt ‘ruletës ruse’ për të zgjidhur finalisten nga pika e bardhë e penalltive. Nga pika e bardhë e penalltive Argjentina tregohet më e saktë duke fituar biletën për në finale.


d.b/shqiptarja.com